Aktualitet

A mund të vdesë njeriu nga kërpudha në ditët e sotme?!

A mund të vdesë njeriu nga kërpudha në ditët e sotme?!

Pas ngjarjes së trishtë me tre familjarët nga Gjilani që humbën jetë pasi konsumuan disa kërpudha, vëmendja është kthyer tek produktet që mund të jenë të rrezikshme për shëndetin. Familja i mblodhi vetë kërpudhat teksa ndodheshin në Gjirin e Lalzit me pushime. Mjekja toksikologe Sonila Bitri ka treguar rreziqet e kërpudhave të tilla dhe jo vetëm.

Ajo thotë se shpesh njerëzit anashkalojnë rrezikun e lartë që paraqesin toksinat në kërpudha, dhe prekja e organeve të brendshme mund të rezultojë fatale.

“Helmet nga toksinat janë përgjegjëse për shenjat klinike që dhe kjo familje ka patur. Shenjat gastrointensinale, të vjellat dhe të përziera të cilat janë shenja që zakonisht jep dhe një intoksim ushqimor i zakonshëm, konsumojmë një ushqim të ndenjur dhe shenjat klinike janë të ngjashme me shenjat e helmimit nga kërpudhat. Të përzierat, të vjellat, pak dhimbje koke apo dhe temperaturë janë shenjat e para që kanë pacientët me toksikim nga kërpudhat. Dhe jo gjithmonë e çojnë pacientin në urgjencë dhe ky është problemi pse ndodhin dhe fatalitetet. Neglizhohet nga individët dhe në informacionin që i japin mjekut kur shkojnë në qendra shëndetësore”.

A mund të vdesë njeriu nga kërpudha në ditët e sotme?!

Mjekja tha se trajtimi ndaj helmimit nga kërpudhat është vitaminoterapia, perfuzionet me preparate mbrojtëse të mëlçisë dhe veshkave dhe deri në tranfuzione apo karboni aktiv, të cilat shërbejnë për të nxitur eliminimin e toksinave nga trupi. Megjithatë ajo thekson se nëse ndodh dëmtimi qelizor, është e vështirë që të gjendet një trajtim specifik.

“Zgjat disa ditë, shenjat e para është faza gastrointesinale, në të dytën ndodh një përmirësim i lehtë, individi ndihet më mirë. Në 24 orëshin e dytë pacienti ndihet më mirë dhe në fazën e tretë fillojnë komplikacionet serioze që prekin mëlçinë dhe veshkat. Ndodh dëmtimi qelizor, disa kërpudha dëmtojnë ADN dhe ARN, gjithë aktivitetin bazë të qelizës dhe trajtimet specifike nuk është se e kthejnë pas dëmtimin që ka nisur.”

*Tiranapost.al.