Aktualitet

Gjyqtarja Hoxha kërkon lirinë në Gjykatën e Posaçme: Djali është rënduar, vajza ka braktisur shkollën

Gjyqtarja Hoxha kërkon lirinë në Gjykatën e Posaçme:

Gjyqtarja Enkeleida Hoxha ka dërguar në Gjykatën e Posacme një kërkesë për të ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Hoxha argumenton se gjendja shëndetësore e djalit të prekur nga Çrregullimi i Spektrit Autik është rënduar dhe se vajza e mitur ka braktisur shkollën.

“Gjendja shëndetësore e djalit tim është rënduar. Ai ka nevojë për kujdesin tim. Vajza e mitur ka braktisur shkollën që pas arrestimit tim”, shkruhet në kërkesën e saj.

Kërkesa është dorëzuar nga avokati Ardian Visha dhe pritet të shqyrtohet brenda pesë ditëve.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha së bashku me 9 të tjerë janë arrestuar me urdhër të SPAK pas dyshimeve se janë përfshirë në afera korruptive dhe dhënien e lirisë në mënyrë të pamerituar.

Gjyqtarja Hoxha ka firmosur lirimin nga burgu të anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ka liruar nga burgu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.