Aktualitet

Foto/ Rikonstruktohet shkolla ‘Fiqiri Kurti’ në Kavajë: 400 nxënës do nisin vitin shkollor aty

Foto/ Rikonstruktohet shkolla ‘Fiqiri Kurti’ në Kavajë:

400 nxënës të Kavajës do e nisin vitin e ri shkollor në një shkollë të rikonstruktuar, pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i nëntorit 2019. Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Kavajën, inspektoi punimet në shkollën 9-vjeçare “Fiqiri Kurti”, e cila do të jetë edhe parashkollor.

“Fakti është se 400 fëmijë, që kanë 400 ëndrra dhe 400 aspirata, do ta fillojnë shkollën këtu, nga 4-vjeç derisa të shkojnë në gjimnaz, në një shkollë me standarde evropiane. U jam shumë mirënjohës kolegëve të Bashkimit Evropian, që kanë marrë përsipër rikonstruksionin”, tha Veliaj.

Me rikonstruksionin e shkollës zgjidhet edhe arsimimi i fëmijëve për 400 familje të Kavajës. “Mezi pres të shikoj përfundimin e punës - tani që u hap koha, mund të ecim me të pestin. Cilësia e shkollës do na bëjë të gjithëve krenarë, mund të themi se ia vlejti për të bërë diçka shumë herë më të bukur”, vijoi ai.

Foto/ Rikonstruktohet shkolla ‘Fiqiri Kurti’ në Kavajë:

Më tej, Veliaj shtoi se në shtator do nisë ndërtimi i 11 shkollave të reja në Kavajë dhe 40 në Tiranë.

“Do kemi reputacionin e atyre që ndërtuan shkolla dhe nuk ndërtuan gardhe, mure, zaptime e çudira. Sot jemi në një situatë kur vetëm në Tiranë kemi rreth 800 kantiere pune, në Kavajë kemi 100 kantiere, po punohet kudo. Nëse këto kantiere do dalin faqebardhë, më shtëpi të reja, pallate të reja, shkolla të reja, ia ka vlejtur i gjithë ky mundim”, përfundoi kryebashkiaku.

Foto/ Rikonstruktohet shkolla ‘Fiqiri Kurti’ në Kavajë:

Shkolla 9-vjeçare “Fiqiri Kurti” u dëmtua nga tërmetet e nëntorit të vitit 2019. Pas rikonstruksionit, shkolla do ketë një kapacitet të shtuar dhe me të gjitha mjetet e duhura për mbarëvajtjen e mësimit. Struktura e saj është shumë më e fortë dhe me sistem ngrohjeje.

*Tiranapost.al.