Aktualitet

Çfarë vështirësie kanë bizneset italiane në Shqipëri dhe lidhja personale e ministrit Di Maio me shqiptarët

Çfarë vështirësie kanë bizneset italiane në

Ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio, tha se 50% e investimeve të huaja në Shqipëri janë italiane, por sipas tij këto nuk janë të mjaftueshme. I pyetur nëse ka vështirësi përsa i përket investimeve italiane në Shqipëri, ai u shpreh se po punohet në luftën kundër korrupsionit, duke e lënë të nënkuptohej si arsye e mungesës së këtyre investimeve.

“Për mua si ish-ministër për Tregtinë me Jashtë, investimet nuk janë asnjëherë të mjaftueshme. Por më lejoni të them së në Shqipëri 50% e sipërmarrjeve të huaja janë italiane dhe në to janë të punësuar 90 mijë veta. Unë besoj se puna e madhe që jemi duke kryer së bashku, i referohem këtu prof. Paola Severino, që nëpërmjet kryesisë së OSBE-së, po punon për masat ndaj korrupsionit dhe kjo veprimtari shërben për të krijuar gjithmonë e më shumë një klimë sa më të favorshme për investimet e huaja në përgjithësi por edhe për ato italiane. Puna që po kryejmë së bashku edhe në fusha të cilat duket sikur nuk kanë karakter ekonomik, në të vërtetë shërbejnë për të përmirësuar klimën e investimeve, ndaj i drejtohem të rinjve, por jo vetëm, se krijojnë mundësi të reja punësimi në këtë vend”, tha Di Maio në një intervistë në ‘Opinion’.

I pyetur për ecurinë e komunitetit shqiptar në Itali, ministri italian zbuloi se një nga mbështetjet e tij për t’i hyrë politikës ishte një shqiptar.

“Komuniteti shqiptar është integruar më së miri si në aspektin social ashtu dhe në atë ekonomik. Ne jemi shumë krenarë për këtë komunitet. Mund t’ju them gjithashtu se kur nisa të merrem me politikë në universitet, një prej zgjedhësve të mi më të mirë ishte një miku im shqiptar, me emrin Alket, një avokat i cili kishte studiuar në Universitetitn “Federico II” të Napolit. Pra një pjesë e historisë sime politike i kushtohet dhe atij, mbështetjes së tij dhe i të gjithë komunitetit të studentëve shqiptarë që studionin në Napoli. Pra, gjatë kohës që isha student kam pasur miq shqiptarë që studionin në atë kohë bashkë me mua dhe më kanë mbështetur, më pas u njoha me këtë lëvizje të cilën e kam ndërtuar së bashku me shumë të tjerë”, tregon ai.