Aktualitet

Çfarë është harta e re gjyqësore dhe pse po protestojnë avokatët

Çfarë është harta e re gjyqësore dhe pse po

Harta e re gjyqësore e miratuar nga Këshilli i Lartë gjyqësor konsiston që përgjysmimin e gjykatave në vend. Reforma është kundërshtuar nga Dhoma e Avokatëve, pasi sipas tyre shkel të drejtat e njeriut dhe cenon aksesin në drejtësi.

Çfarë është konkretisht harta e re gjyqësore?

Harta e re gjyqësore parashikon se do të jenë 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykatë apeli për të gjithë vendin. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.

Pse po protestojnë avokatët?

Nga dita e nesërme avokatët do të futen në grevë dhe do të të bojkotojnë seancat gjyqësore për katër ditë, si kundërshtim për hartën e re gjyqësore.

"Ky vendim cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit, si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes në heshtjet penale, civile dhe administrative. Me keqardhje konstatojmë se ky vendim është në përputhshmëri dhe ne perkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.

Me këtë vendim u injoruan haptazi gjithë problematikat dhe argumentet e parashtruara nga ana e Organeve drejtuese të Dhomës Qendrore dhe atyre vendore gjate procesit të diskutimit te draftit në shkallë vendi, fakt i cili tregoi qarte formalitetin, paragjykimin dhe abuzivitetit në mosmarrjen në konsideratë të mendimit te grupeve të interesit, përfshi Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë si një nga aktorët kryesor në procesin e dhënies së drejtësisë", thuhet në reagimin e Dhomës së Avokatëve.

Reagimi i Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja

Në një prononcim ministri Manja ka theksuar se harta e re gjyqësore është në përputhje me paketën e reformës në drejtësi. Manja u bën apel avokatëve që të reflektojnë lidhur me vendimin e tyre për të bojkotuar seancat gjyqësore për hartën e re gjyqësore.

“Avokatët janë grup interesi i rëndësishëm që garantojnë mbarëvajtjen e procesit të rregullt ligjor në zinxhirin e sistemit të drejtësisë dhe si të tillë janë konsultuar me draftin e hartës gjyqësore gjatë fazës së konsultimit publik. Janë marrë në konsideratë disa sugjerime me vlerë që kanë ardhur edhe nga avokatia, të cilat janë reflektuar në draft, por riorganizimi gjyqësor është përgjegjësi e Këshillit të Lartë Gjyqësor si qeveri e gjyqësorit dhe e Ministrisë së Drejtësisë.Harta e re gjyqësore, referuar standardeve evropiane, zbatimit të ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi dhe gjendjes së sistemit të drejtësisë, krijon balancën e duhur mes aksesit të qytetarëve te drejtësia dhe efiçencës së sistemit gjyqësor”, deklaron ministri.