Aktualitet

Çfarë do të ketë ndryshe në Maturën Shtetërore? Nga provimet në salla të mëdha deri te rivlerësimi i testit

Çfarë do të ketë ndryshe në Maturën

Provimet e Maturës do të zhvillohen në auditoret e universiteteve, pallatet e sporteve ose korridoret e shkollave. Kështu është shprehur ministrja Evis Kushi gjatë një takimi me mësuesit dhe gjimnazistët në Elbasan. Kjo mënyrë është zgjedhur për të shmangur kopjimet ose parregullsitë e tjera gjatë procesit, tha Kushi.

“Këto qendra të mëdha natyrishtdo të jenë të monitoruara edhe me kamera që pastaj çdo pretendim i ngritur nga maturantë apo mësues, apo administratorë, apo prindër të mund të verifikohet dhe të shmanget çdo lloj abuzimi, të shmanget çdo lloj problematike që ne mund ta kemi patur vitet e kaluara”, tha Kushi.

Ministrja foli edhe për testin shtesë për të hyrë në universitetet që do të jetë pilot te Universiteti i Mjekësisë, teksa thekson se do të ketë 30% të peshës.

“Pra 70% do të jetë nga notat e tre viteve dhe provimeve të maturës, sipas formulës që është sot në fuqi, ndërsa 30% do ta ketë provimi i automatizuar”, shpjegoi ministrja.

Ndërkohë në provimet e maturës shtetërore do të hiqet fletë-përgjigja dhe do të kthehet rivlerësimi i tezës.