Aktualitet

Falja e gjobave për ndërtimet pa leje shkakton përplasje mes qeverisë dhe opozitës

Falja e gjobave për ndërtimet pa leje shkakton përplasje mes

Partia Socialiste propozoi në seancën plenare ditën e sotme një ligj për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale.

Propozimi shkaktoi debate të ashpra në Kuvend, pasi opozita theksoi se nuk ishte njohur më parë për këtë nismë.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, e akuzoi mazhorancën se, pasi burgosën 38 mijë shqiptarë për ndërtimin e një avllie, tani po i falin gjobat për shkak të afërsisë me zgjedhjet.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, iu përgjigj duke theksuar se mazhoranca ka numrat e nevojshëm dhe do ta kalojë ligjin për faljen e gjobave, pa marrë parasysh kundërshtimet e opozitës.

“Pyetja është e thjeshtë: A jeni dakord që ky Parlament të anulojë gjobat e paekzekutuara ndër vite? Ne si mazhorancë kemi numrat dhe do t’i anulojmë këto gjoba. Ky Parlament është në të drejtën e tij për t’i anuluar dhe do ta bëjmë këtë. Kur të vini ju, anulojini ju. Ky Parlament, brenda këtij sesioni parlamentar, do ta kalojë ligjin dhe do të anulojë gjobat,” tha Manja.