Aktualitet

Çertifikata e vaksinimit e detyrueshme, përndryshe test i përjavshëm ose mësim alternativ për studentët

Çertifikata e vaksinimit e detyrueshme, përndryshe test i

Vaksinohuni! Ky është apeli i fundit që ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka bërë nga qendra shëndetësore nr.4 në Tiranë për pedagogët, mësuesit dhe studentët.

“Duke filluar edhe nga dita e hënë, ne do të lëshojmë udhëzimin që do të ndiqet për të verifikuar ata që kanë kryer vaksinimin, duke filluar nga arsimtarët. Urdhri përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do duhet që të kontrollojnë nërpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë çertifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët”, nënvizoi Manastirliu.

Alternativa e mungesës së çertifikatës së vaksinimit do të jetë testi i përjavshëm ose mësimi alternativ për studentët e pavaksinuar.

“Për arsimatarë të cilët ende nuk e kanë kryer vaksinimin, do të duhet të paraqesin pranë institucioneve shkollore testin dhe të konfirmojnë që nuk janë të prekur nga COVID19 dhe kjo kërkesë do të jetë kërkesë e përjavshme. Nga ana tjetër, vetë universitetet do të organizojnë mësimin e alternuar për ata studentë të cilët nuk do të kenë kryer ende vaksinimin”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka bërë më dije se interesi i shtuar në muajt e hapur të vaksinimit nga pesoneli arsimtarëve, e ka çuar në mbi 80% vaksinimin e tyre me një dozë dhe mbi 60% me dy doza, duke paraqitur mbulesë të lartë vaksinale.

“Në këto dy muaj kemi pasur një interes të shtuar sa i përket vaksinimit, edhe shihet që ka një interes të shtuar të studentëve. Përsa i përket arsimtarëve, janë mbi 80% e tyre që e kanë kryer dozën e parë të vaksinës, edhe mbi 60 përqind e tyre janë vaksinuar plotësisht, padyshim janë shifra inkurajuese”, tha Manastirliu.