Aktualitet

Emërimet në Kushtetuese/ Venecia i jep të drejtë Metës

Emërimet në Kushtetuese/ Venecia i jep të drejtë Metës

Është publikuar draft-opinionin i Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ku duket se justifikon veprimet e Presidentit Meta. Sipas raportit të zbardhur në pikën '98, Venecia i jep të drejtë Metës që nuk pranoi betimin e Arta Vorpsit, që u zgodh automatikisht nga mekanizmi zhbllokues.

Për opinionin e Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, reagoi edhe Presidenti Ilir Meta, i cili në një postim të shkurtër në Facebook shkruan: "Kauza e 2 marsit fitoi! Kushtetuta e para".

“Presidenti, përmes Aktit të tij të 5 nëntorit 2019, pezulloi në mënyrë të njëanshme procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar në ligj. Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet në mënyrë eksplicite nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese, ai mund të jetë në përputhje me një mekanizëm zhbllokues që ka për qëllim zhbllokimin e një situate kur ka mosveprim ose vullnet dashakeq nga njëri prej aktorëve të përfshirë. Nëse nuk ka as vullnet dashakeq dhe as mosveprim, por përkundrazi duhet të plotësohet një boshllëk ligjor, ku mekanizmi zhbllokues nuk do të ishte i zbatueshëm. Ndaj, në bazë të një interpretimi teleologjik të dispozitave ligjore, është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht”, shkruhet në raport.

Po ashtu Venecia i jep të drejtë Presidentit Meta edhe në lidhje me kreun e KED, Ardian Dvoranin:

“Çështja më problematike e shkaktuar nga vendimet e KED-së në vitin 2019 në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me kohën e përcjelljes së listave të renditjes së kandidatëve tek Presidenti dhe Kuvendi. KED formoi katër lista të kandidatëve (dy për Presidentin dhe dy për Kuvendin) më 21.09.2019; ai më pas i dërgoi Presidentit dy lista më 08.10.2019 dhe dy lista në Kuvend më 14.10.2019. Kjo shkaktoi një incident të rëndë procedurial”.