Aktualitet

Elbasan/ Qëllonte me armë çdo ditë, 45-vjeçari arratiset në pyll pasi kundërshtoi policinë për kontroll në banesën e tij

Elbasan/ Qëllonte me armë çdo ditë, 45-vjeçari

Një ngjarje e rëndë u regjistrua sot në fshatin Zavalinë të Gjinarit, ku një 45-vjeçar hapi zjarr ndaj policisë. Personi në fjalë është identifikuar si Josif Kavaja.

Ky i fundit kishte kundërshtuar një vendim gjykate për kontroll për armë në banesën e tij dhe sapo ka parë policinë në oborr, ka qëlluar me armë. Fill pas këtij episodi ai është larguar drejt pyllit, ndërsa policia po vijon aksionin për arrestimin e tij.

Sipas raportimeve ishin banorët e fshatit ata që kishin bërë denoncimin për Josif Kavajën, i cili sipas tyre në orë të ndryshme të ditës qëllonte me armë, duke terrorizuar zonën.

Këtë shqetësim ia kishin shprehur policisë, ndërsa kjo e fundit përmes një urdhri gjykate kishte shkuar për të ushtruar kontroll në banesën e 45-vjeçarit. Burime të grupit hetimor thanë se person në fjalë vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ndërkohë që mësohet po ashtu se ai kishte qëlluar me kallashnikov për disa minuta ndaj policisë, ndërsa fatmirësisht asnjë person nuk është lënduar. Më pas ai është fshehur në masivin pyjor që ndodhet në këtë fshat.