Aktualitet

DW: Efektivi që vrau Klodian Rashën është në gjendje të rënduar psikologjike

DW: Efektivi që vrau Klodian Rashën është në gjendje

Nga hetimet paraprake ende nuk është zbardhur rrethana e ngjarjes së orëve të para të mëngjesit të 8 Dhjetorit, ku mbeti i vrarë 25-vjeçari Klodian Rasha nga një efektiv policie.

Burime konfidenciale nga Policia thanë për Deutsche Wellen, që efektivi i Forcave speciale është në gjendje të rënduar psikologjike.

Të njëjtat burime pohuan se në Shqipëri mungon shërbimi psikologjik për efektivat e policisë, që në punën e tyre të përditshme ndeshen me anën e errët të shoqërisë, me krimin, gjë që sjell pasoja negative në shëndetin e tyre mendor.

Pandemia e Covid-19 ka shkaktuar një stres të madh edhe mes efektivave të policisë që duhet të kontrollojnë zbatimin e masave kufizuese, distancimin social, vendosjen e maskave.

Mungesa e shërbimit psikologjik për të menaxhuar stresin shkakton edhe veprime të tilla, argumentuan burime konfidenciale për Deutsche Wellen.

Nga ana tjetër në ligjin e Shqipërisë për funksionimin e Policisë së Shtetit ka disa nene lidhur me të drejtën e përdorimit të armës së zjarrit. Përdorimi i armës së zjarrit kundër 25 vjeçarit Klodian Rasha nuk bën pjesë në asnjë nga nenet e ligjit. Në to theksohet domosdoshmëria e paralajmërimit dhe hapja zjarr jo për të shkaktuar humbjen e jetës, gjë që nuk ka ndodhur në rastin e viktimës./ DW