Aktualitet

Dvorani flet për herë të parë pas shkarkimit dhe sqaron pse e shpalli të pafajshëm Ilir Metën në video-përgjimin me Dritan Priftin

Dvorani flet për herë të parë pas shkarkimit dhe sqaron pse

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pak ditë më parë ta konsiderojë të përfunduar mandatin e anëtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani.

Ardian Dvorani, për herë të parë pas këtij vendimi, foli për “Java në RTSH” ku sqaroi pozicionin e tij, por edhe përplasjet me Presidentin Ilir Meta.

Fillimisht tha se është tepër e vështirë t’i gjesh një epitet vendimit të KLGJ dhe shtoi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij nuk ka llogaritur kurrë se cilin ka përballë, por ka ndjekur gjithmonë parimet dhe ligjshmërinë.

Në lidhje me ankimimin e mundshëm të vendimarrjes nga KLGJ, shtoi se do t’i konsiderojë të gjitha rrethanat dhe se nuk tërhiqet nga parimet.

Dvorani komentoi edhe vendimin për pafajësi ndaj Ilir Metës, që ai mori pas gjyqit për çështjen e videopërgjimit me Dritan Priftin.

I pyetur nga analisti Vangjeli për kohën kur ai ishte gjykatës i Presidentit të sotëm, Dvorani tha se i ka dhënë hakun kujtdo sipas ligjit.

“Ju keni firmosur për pafajësinë e zotit Meta pas një procesi të bujshëm. Ishit pjesë e rezultatit pesë me zero të trupës gjykuese”, komentoi Lorenc Vangjeli.

“Ai është një vendim prej 100 e ca faqesh. Prej tyre 26 faqe është mendimi im që është ndryshe nga pjesa tjetër e trupës gjykuese.

Por ka një parim. Për aq kohë sa nuk është provuar fajësia, gjyqtari nuk mund të japë vendim ndryshe. Gjyqtari është i ftohtë, mund të gjykojë jashtë seancës çfarë të dojë. Por në seancë merr vendim mbi materialet e dosjes.

E kam thënë se isha pro pafajësisë, por kisha rezerva për të gjithë procesin. Provat nuk u shqyrtuan të gjitha, seancat me dëshmitarë nuk u kryen të gjitha, ekspertiza amerikane ishte e vlefshme, ekspertiza shqiptare ishte e padenjë e kështu me radhë.

E dini ju që Gjykata e Lartë në atë kohë nuk e pa dhe nuk e dëgjoi atë që panë të gjithë? Në sallë nuk u pa dhe nuk u dëgjua”, tha Ardian Dvorani.