Aktualitet

Duhet të ndajmë Tiranën nga Shkupi nëse Bullgaria nuk heq veton për konferencën ndërqeveritare

Duhet të ndajmë Tiranën nga Shkupi nëse Bullgaria nuk heq

Komisioneri për Zgjerimin në BE insiston që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet në qershor, edhe nëse për Maqedoninë e Veriut deri në muajin tjetër, Sofja nuk heq dorë nga vetoja.

Në konferencën e organizuar nga Këshilli i Atlantikut, Oliver Varhelyi tha se nëse Bullgaria nuk heq dorë nga vetoja për Shkupin, duhet të ecet para me procesin vetëm për Shqipërinë.

Oliver Varhelyi:

“Ne po punojmë shumë për të gjetur një zgjidhje si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Jemi të bindur se të dyja këto shtete i kanë përmbushur tashmë kushtet që iu kemi vënë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Duhet të keni parasysh se ka mbetur edhe pak kohë deri në fund të Qershorit për të realizuar këtë objektiv. Presidenca portugeze e BE-së po ashtu synon që ta rikthejë këtë çështje në tavolinën e vendimarrjes para përfundimit të mandatit të saj gjashtë mujor”.

Ideja e komisionerit për ndarjen Tiranë-Shkup u la mënjanë për momentin nga ministrat e jashtëm në takimin dy ditor të fillim javës, por eurokomisioneri shprehu bindjen se në fund të muajit qershor, ministrat e jashtëm të Europës do binden për idenë e tij:

“Nëse ne duam që të tregohemi të ndershëm, Shqipëria i ka përmbushur kushtet njësoj si Maqedonia e Veriut. Unë dua t`iu rikujtoj kohën kur dy vite më parë u hodh në tavoline opsioni për t’i veçuar këto dy shtete dhe ecur përpara vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe duke lënë Shqipërinë mbrapa. Pra i njëjti argument është përdorur asokohe në favor të Shkupit për t’i veçuar këto dy shtete. Çështja që unë kam ngritur personalisht është që na duhet që të kemi një rezultat deri në Qershor”.

Varhelyi shprehu shqetësimin që Bullgaria mund të mos heqë dorë nga vetoja për negociatat me Maqedoninë e Veriut:

“Nëse ne shkojmë drejt fundit të Qershorit pa patur një zgjidhje për çështjet dy palëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që po bllokon hapjen e negociatave, jam i bindur që do të vihemi para situatës që në mënyrë të pashmangshme duhet t’i ndajmë Shkupin e Tiranën. Ky opsion nuk është larg në kohë për t’u shtruar. Këtë gjë jua bëra shumë të qartë edhe ministrave të Jashtëm”.

Ndërkaq, më 18 Maj liderët e Ballkanit Perëndimor janë të ftuar në një darkë pune në Bruksel. Ata janë ftuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për politikën e jashtme, Josep Borrell.

*Tiranapost.al.