Do përzgjidhet kush do kurohet e kush jo! Kryeministri sqaron me video deklaratën e ministres Manastirliu: As e ka thënë, as s'ka dashur ta thotë

Një deklaratë e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dje në Kuvend ‘për mbingarkesën e spitaleve dhe kush pacient do të trajtohet i pari’ bëri bujë në media dhe në rrjetet sociale, ndërsa gjatë shpërndarjes pati edhe ndryshime të bëra ose jo me qëllim. Kryeministri Edi Rama vendosi të sqaronte atë që tha Manastirliu, duke publikuar fjalimin e saj, si një përgjigje edhe për akuzën e hedhur sot nga kryedemokrati Lulzim Basha i cili e quajti ministren ‘kriminele’.
Në një postim në Facebook, Rama shkruan se deklarata ‘pacientët do përzgjidhen se kush do kurohet e kush jo’ nuk është thënë në të vërtetë nga ministrja.
“As e ka thënë, as nuk ka dashur të thotë tjetër gjë nga ajo që ka thënë dhe themi përditë: o njerëz mbroni veten dhe të tjerët, se vende shumë të forta se ne kanë gjetur belanë me këtë mortje!”, shkruan Rama, krahas videos, ku dëgjohet deklarata e ministres.
Postimi i plotë:
Sot Lulëzim Basha nxorri nga konteksti i fjalës së Ministres së Shëndetësisë, shprehjen e shqetësimit të saj për se si mosmarrja e masave individualisht nga çdo qytetar mund të ndikojë në përkeqësimin e situatës në spitale, ku largqoftë mund të arrihet në pikën ku arritën gjatë valës së parë spitalet e disa vendeve shumë më të zhvilluara, që zgjidhnin se kë mund të pranonin e kë jo nga mungesa e shtretërve!
Sipas Lulëzim Bashës, i cili e ka lëshuar krejt frerin e gjuhës dhe vetëm shan, shpif, akuzon e abuzon, në një përpjekje të dëshpëruar për të rikuperuar imazhin e tij që vetëm degradon çdo ditë prej paaftësisë, mendjelehtësisë e përgjumjes kronike, Ogerta Manastirliu, “kjo kriminele e pashpirt”, paska thënë që pacientët do u përzgjidhkan se “kush do kurohet e kush jo!”!
As e ka thënë, as nuk ka dashur të thotë tjetër gjë nga ajo që ka thënë dhe themi përditë: o njerëz mbroni veten dhe të tjerët, se vende shumë të forta se ne kanë gjetur belanë me këtë mortje!
Lulëzim Basha, Monika Kryemadhi, Ilir Meta, tanimë krejt njësoj si famëkeqi Sali, nuk pyesin më se çfarë nxjerrin nga goja, mjafton që ajo çfarë thonë të jetë sa më e zezë, sa më e pistë, sa më e ulët për veshët e publikut, sepse ata janë në situatën e të mbyturit që kërkon me çdo kusht të të marrë me vete.