Aktualitet

Ditmir Bushati: Nuk do ta quaja Samit, më tepër një aktivitet të përbashkët!

Ditmir Bushati: Nuk do ta quaja Samit, më tepër një aktivitet

Në një intervistë për Erla Mëhillin në Euronews Albania, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati thotë se Samiti nuk ishte një Samit. As nga forma dhe as nga përmbajtja. Të plotë sqarimin e tij e lexoni në artikull.

Ai komentoi edhe Vuçiç, i cili dje tërhoqi vëmendjen në Tiranë duke ndryshuar dy pika tek marrëveshja.

Sipas ish-ministrit ajo ishte një përpjekje e presidentit serb për të rregulluar imazhin e zi që ka në Serbi, sepse ka shumë probleme atje…

Kuriozitet pati edhe përfshirja e Soros në takimet e djeshme. Edhe për këtë ai dha një përgjigje.

Lexoje të plotë

Pse ishte aktivitet jo Samit: Nuk do ta quaja Samit, më tepër do ta quaja një aktivitet të përbashkët sepse nuk përmbush parametrat e një Samiti as nga pikëpamja e thelbit, as nga pikëpamja e formës. Nga pikëpamja e formës duket të kemi parasysh që të shkojmë në një Samit duhet të dalin fillimisht në Ring diplomatët, ministrat, duhet të ndërmerren disa angazhime, duhet të sheshohen disa keqkuptime, duhet të bëhen kompromiset e nevojshme dhe në fund udhëheqësit e shteteve marrin angazhime të karakterit politik, ekonomik, financiar dhe pse jo të karakterit ushtarak. Kështu që gjeografia që synohet mes Europës Juglindore dhe Ukrainës plus Moldavisë duket si një gjeografi që ne e kemi e ushtruar në formatin e bashkëpunimit të vendeve Juglindore, por është për të ardhur keq që pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë, përpjekje të lavdërueshme, në këtë takim, aktivitet inaugurues pati mungesa, Turqia, Greqia, Rumania, Sllovenia, nga të cilat Turqia luan një vend kyç në NATO, vend kyç në rajon, ndërsa të tjerat ishin në takimin e presidentit Macron. Ka lidhje me pjesëmarrësit në këtë format, duhet të jemi të sinqertë dhe të ndershëm me njëri-tjetrin. Flitet për konkurencë rendesh të sigurisë, kemi një tërësi shtetesh pjesëmarrëse në këtë aktivitet, të cilat jo thjesht kanë dënuar agresionin e Rusisë, por edhe janë pjesë e sanksioneve të Perëndimit. Ndërkohë është Serbia, e cila nuk është pjesë e sanksioneve, por edhe mbrojtjen e integritetit territorial të Ukrainës e bën në mënyrë perfide, duke vendosur paralele me ndërhyrjën e NATOS në Kosovë, që në fakt shpëtoi kosovarët nga genocidi. Gjithashtu është i vetmi vend nga ku mund të nisen avionët e Beogradit drejtuar Moskës, gjithashtu është i vetmi vend që nuk pranon edhe ata pak disidentë që kanë mbetur në Rusi dhe kërkojnë shpëtim. Kemi një rend të dytë të sigurisë të cilët janë vendet e vogla që janë anëtare të NATOS ku përfshihet Shqipëria, me një qasje të qartë strategjike. Kemi edhe vende si Kosova, Moldavia apo Ukraina që edhe pse nuk janë në NATO, duan të jenë, duan të behën pjesë e kuadrit të sigurisë që ofron organizata. Dhe në këto dy rende konkuruese ka edhe qasje mbivendosëse siç është qasja e Ukrainës dhe Moldavisë që edhe pse kanë shprehur mirënjohjen ndaj rolit të Kosovës dhe Solidaritetit të saj gjatë këtyre viteve, sërish nuk kanë hedhur asnjë hap thelbësor drejt njohjes se Kosovës si shtet. Pra ky është realiteti që mendoj unë se u zhvillua ky aktivitet i sotëm në Tiranë.

Ia doli Vuçiç t’i imponohej Tiranës?

Nuk do ta lexoja në këtë kënd, sepse deklaratat në takime apo aktivitete të tilla janë produkt i një kompromisi. Pra për të gjithë pjesëmarrësit është më e rëndësishme firma në dokument sesa fjala në atë dokument, për të krijuar idenë simbolike që ka një proces që po niset dhe në këtë pikë mendoj se kemi një paralele që nuk mund ta mohojmë. Pra nga një njëra anë kemi Putin, në 2005 pati thënë që shpërbërja e BS ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit dhe nga ana tjetër kemi një Serbi dhe një establishment politik që nuk njeh realitetin e pas luftës në ish-Jugosllavinë. Po të marr shembullin e Malit të Zi, nuk po të marr Kosovën. Kë ka fqinj Mali i Zi, Serbinë, Bosnjen, Kroacinë, Kosovën dhe Shqipërinë. Me të vetmin fqinj që ka probleme është Serbia. Shohim Kosovën, me të vetmin që ka probleme është gjithashtu Serbia. Marrim Kroacinë, nga të gjithë fqinjët që ka, me të vetmin që ka probleme është Serbia. Marrim Maqedoninë e Veriut e njëjta gjë. Serbia nuk e ka ndarë mendjen për të qenë një model europian demokratik. Beteja që do të zhvillohet në Ukrainë, më shumë se sa në funksion të ruajtjes, të integritetit territorial të Ukrainës, në finale do të ketë rëndësi nëse do të kemi një Ukrainë demokratike dhe në rast se do të triumfojë orientimi perëndimor i vendit.

Pjesëmarrja e Soros: Pikërisht unë e thashë pak më pak më parë se nuk është një samit, është një aktivitet, ku kam përshtypjen formati i pjesëmarrjes është fleksibël dhe ku mund të ketë patur siç është rasti i Soros dhe institucione apo organizata, të cilat kanë një kontribut të posaçëm për paqen në botë, sepse në dijeninë time Fondacioni ‘Për një Shoqëri të Hapur’ ka krijuar një fond për Ukrainën. Mund të jetë në këtë kontekst.