Aktualitet

Dhëndri i Donald Trump merr statusin “investitor strategjik” në Shqipëri

Dhëndri i Donald Trump merr statusin “investitor strategjik”

Qeveria shqiptare I ka dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë së Jared Kushner për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit.

Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike, KIS, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama më 30 dhjetor.

Sipas vendimit të KIS, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 për qind të ishullit ose 45 hektarë.

“Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë Euro”, shkruhet në vendimin e KIS.

Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit që shkoi.

Planet dhe aprovimi apriori i qeverisë shqiptare u kritikuan nga opozita se po bëheshin për të përfituar favore politike në rast të rizgjedhjes së Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe mungesës së transparencës e garës.

Vendimi i KIS parashikon një sërë hapash që do ndërmerren kryesisht nga institucionet shtetërore në Shqipëri, për të ndihmuar kompaninë në sigurimin e pronës, dokumentacionin e nevojshëm dhe veprime të tjera që pritet të përmbyllen në tre muajt në vijim. Kompania nga ana tjetër do duhet të nënshkruaj një kontratë me Korporatën e Investimeve Strategjike dhe Albanian Seaports Development Company sh.a ndërsa do duhet të sigurojë me investimin e vet ujin, energjinë e të ngjashme.

“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane”, thuhet në vendim.

Vendimi i KIS bën me dije se statusi jepet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ndërtimi parashikohet të jetë i ndarë në trefaza.