Aktualitet

Deep i lumtur, Heard e zhgënjyer, çfarë thanë pas vendimit të gjyqit më të ndjekur dy aktorët

Deep i lumtur, Heard e zhgënjyer, çfarë thanë pas vendimit

Dita e sotme ka qenë më e lumtura pas 6 vitesh për Johnny Depp ndërsa Amber Heard ka mbetur thellësisht e zhgënjyer nga vendimi në procesin më të ndjekur ndonjëherë në ndonjë gjykatë. Të dy kanë folur, njëri për fitoren tjetri për humbjen pasi Gjykata në Fairfax të Virginias vendosi në favor të yllit të “Pirates of the Caribbean”, duke i quajtur shpifje akuzat e Amber Heard.

Depp i cili nuk ka qenë sot i pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit, në momentin e shpalljes së verdiktit ka thënë se juria i ka kthyer edhe jetën për së dyti:

Deep i lumtur, Heard e zhgënjyer, çfarë thanë pas vendimit

“Akuza të rreme, shumë të rënda dhe kriminale u ngritën ndaj meje përmes mediave, të cilat shkaktuan një breshëri të pafund përmbajtjesh urrejtjeje. Ato tashmë kishin udhëtuar nëpër botë dy herë brenda një nanosekondi dhe kishin një ndikim sizmik në jetën dhe karrierën time. Dhe gjashtë vjet më vonë, juria ma ktheu jetën time. Jam vërtet i përulur. Vendimi im për të ndjekur këtë çështje, duke ditur shumë mirë lartësinë e pengesave ligjore me të cilat do të përballesha dhe spektaklin e pashmangshëm mbarëbotëror në jetën time, u mor vetëm pas një mendimi të konsiderueshëm. Që në fillim, qëllimi i sjelljes së këtij rasti ka qenë zbulimi i së vërtetës, pavarësisht nga përfundimi. Më e mira nuk ka ardhur ende dhe një kapitull i ri më në fund ka filluar. E vërteta nuk humbet kurrë”, ka shkruar Depp në deklaratën e tij.

Heard flet për zhgënjim, trishtim dhe pikëllim, ndërsa e quan vendimin si cënim të fjalës së lirë:

Deep i lumtur, Heard e zhgënjyer, çfarë thanë pas vendimit

“Zhgënjimi që ndjej sot është përtej fjalëve. Jam zemërthyer që një mal provash akoma nuk ishte i mjaftueshëm për t’i bërë ballë fuqisë joproporcionale dhe ndikimit të ish-bashkëshortit tim. Jam akoma më e zhgënjyer me atë se çfarë do të thotë ky vendim për gratë e tjera. Është një kthim prapa. E kthen orën në një kohë kur një grua që flet mund të turpërohet dhe poshtërohet publikisht. E kthen prapa idenë se dhuna ndaj grave duhet marrë seriozisht. Besoj se avokatët e Johnny ia dolën që ta detyronin jurinë të anashkalonte çështjen kyçe të lirisë së shprehjes dhe të shpërfillte provat që ishin aq bindëse përmes të cilave fituam në Mbretërinë e Bashkuar. Jam e pikëlluar që e humba këtë çështje. Por, jam akoma më e trishtuar që duket se kam humbur të drejtën që mendoja se e kisha si amerikane, për të folur lirshëm dhe hapur”, thuhet në deklaratën e aktores.