Dalin pamjet nga laboratori i ri i testimeve. Manastirliu thotë se do kryhen më shumë teste në këtë moment epidemie

Opozita akuzon ministrinë e Shëndetësisë dhe qeverinë për numër të ulët testimesh, ndërsa sot ministrja Ogerta Manastirliu u shfaq në një laborator të ri të testimeve. Sipas ministres ky laborator është përgatitur si pjesë e skenarit apo planit të vjeshtë-dimrit për rritjen e kapaciteteve në këtë fazë epidemie të koronavirusit. Ky laborator shpjegoi ministrja, do të jetë në mbështetje të laboratorit qendror të Institutit të Shëndetit Publik.
Manastirliu tha:
'Me të gjitha parametrat e duhur, ky është një laborator i cili siguron jo vetëm gjithë standardet e sigurisë por ka edhe një staf të kualifikuar profesionistësh. Do të jetë një laborator mbështetës për laboratorin qendror, atë të viriologjisë të Institutit të Shëndetit Publik. Është një strukturë mbështetëse e ngritur posaçërisht për të siguruar më shumë lehtësi në kryerjen e testimeve në këtë moment të epidemisë'.
Nuk ka një datë ende se kur do të vihet në punë ky loborator, ndërkohë që testimet ditore janë mbi 2000, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministrja foli edhe për testimin e shpejtë ku tha se po kryhen procedurat për ti patur në një kohë sa më të shpejtë në shtet, ndërsa ky lloj testi është i aksesueshëm tashmë tek privati.
“Testimi shpejtë është një tjetër element që do t’i shtohet strategjisë së testimeve. Jemi në procedura për ti patur në një kohë sa më të shpejtë. Edhe ky testim do të jetë edhe një tjetër avantazh në luftën me këtë virus”, tha Manstirliu.
Videoja e plotë si më poshtë.
*Tiranapost.al.