Aktualitet

Bllokimi i rrugëve, nën hetim 30 protestues dhe 4 deputetë

Bllokimi i rrugëve, nën hetim 30 protestues dhe 4 deputetë

Pas protestës së djeshme të opozitës, janë vënë nën hetim 30 protestues dhe 4 deputetë të Partisë Demokratike. Më problematiku ishte bllokimi i rrugës te mbikalimi i Kamzës.

Deputetët e proceduar janë Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu dhe Asllan Dogjani. Veç bllokimit të rrugës ata akuzohen edhe për kundërshtim të forcave të rendit ndërsa disa nga protestuesit për djegien e gomave.

Opozita protestoi të martë e djeshme në gjashtë akse kryesore të vendit.

Deputetët e opozitës shqiptare ndaluan makinat e tyre në mbikalimin e Kamzës, në hyrje të Tiranës, duke njoftuar zyrtarisht nisjen e protestës, prej orës 17:00 të së martës. E njëjta skenë u përsërit edhe në pesë rrethrrotullime të tjera të vendit, në Shkozet, Bradashesh, Rrogozhinë, Levan dhe Milot, duke sjellë bllokimin e qarkullimit rrugor.