Aktualitet

Ardian Dvorani kërkesë për t’u rikthyer në KED

Ardian Dvorani kërkesë për t’u rikthyer në KED

Ardian Dvorani kërkon që të ribashkohet në trupën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se ish-kryetari i KED-së, Ardian Dvorani kërkon që të ribëhet pjesë e trupës nga e cila u largua pak kohë më parë.

Nëpërmjet një shkrese drejtuar Vitore Tushës, pasueses së tij në drejtimin e këtij institucioni, Dvorani kërkon që mandatin ta ushtrojë deri në fund të vitit 2020, kur edhe përfundon.

Në kërkesën e tij Drovani thekson se kalimi nga Gjykata e Lartë në Gjykatës e Apelit Administrativ të Tiranës, nuk përbën pengesë për ushtrimin e detyrës së anëtarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duke shtuar se kjo trupë është kolegjiale.

Pra, përbërja e saj vjen nga disa hallka të gjyqësorit ku përfshihen edhe gjykatat e apelit. Kësisoj, sipas gjyqtarit Dvorani, mandati i anëtarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk mund të ndërpritet, por duhet të vijojë deri në fund të vitit 2020.

“Nisur nga kuptimi dhe interpretimi i sipërtrajtuar të dispozitave kushtetuese dhe ligjore të zbatueshme, kam vlerësimin se rrethana e krijuar e mosushtrimit të mëtejshëm të funksionit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe vijimi prej datës 30.07.2020 në funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, nuk e ndërpret të drejtën dhe detyrimin tim kushtetues dhe ligjor për të qenë në përbërje të KED, të caktuar për të ushtruar veprimtarinë gjatë vitit kalendarik 2020”, thuhet në letrën që z. Dvorani i drejton kreut aktual të KED, Vitore Tusha.

Ardian Dvorani kërkon gjithashtu që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të marrë në konsideratë këtë çështje dhe të dalë me një vendimmarrje.

*Marrë nga Euronews Albania