Aktualitet

Arben Kraja pyetet si do veprojë SPAK për të shpallurit non grata si Berisha?

Arben Kraja pyetet si do veprojë SPAK për të shpallurit non grata

Nga Kuvendi ku po raporton për aktivitetin e SPAK gjatë 2020-ës, kreu i SPAK Arben Kraja u pyet se çfarë do të ndodhë me personat të shpallur non grata nga SHBA-të, si në rastin e ish kryeministrit Berisha. Kreu i SPAK tha se në Shqipëri ka procese për rastin e procedimeve penale deri në shkuarjen në Gjykatë. Dhe se çdo indicie apo material në dispozicion për këta persona do ketë hetim. Ai foli konkretisht për Berishën.

Ralf Gjoni: Shpresa më e madhe e shqiptarëve është që SPAK të fillojë të funksionojë. Kur mendoni se do të vijë kjo ditë, që shqiptarët të keni besim të plotë te SPAK? Kur do fillojnë të procedohen penalisht “peshqit”? A do ketë hetime në 2-3 vitet e ardhshme ndaj përfaqësuesve të krimit, që sot ende bëjnë ligjin? Nga lista e personave “non grata”, Shqipëria është ndër të paktat vende ku këto persona nuk kanë pasur një procedim penal para se të shpalleshin “non grata”, a mund të kemi shpresë çdo veprim “non grata” i SHBA do të ndiqet nga ana juaj?

Arben Kraja: Në lidhje me pyetje e parë, është një proces, do kohën e vet, se kur SPAK do të fillojë të ketë rezultate. Prokuroria e Posaçme duhet të ketë parasysh se ndëshkueshmëria dhe respektimi i të drejtave të njeriut shkojnë paralel. Ne kemi dhënë rezultatet e para, janë goditur grupet e para. Bashkëpunojmë me të gjitha strukturat, me Policinë, por edhe me faktorin ndërkombëtar. Rezultate ka pasur. Pritshmëritë e njerëzve janë nga më të mëdha, ne ndeshemi aty edhe me gjëra që nuk kanë lidhje fare me punën tonë. Por ne jemi të vendosur që çdo rast që do të evidentohet, do ta hetojmë deri në fund, pa asnjë tërheqje.
Ndërsa për pyetjen e dytë, lista është një proces që ndodh në SHBA, ne jemi në Shqipëri dhe kemi parashikimet tona për një procedim penale e si shkohet deri te gjykata. Çdo indicide, apo material që do të kemi ne në dispozicion, në raport me çdo shtetas shqiptar, pa diskutim që jemi të vendosur për ta çuar hetimin deri në fund. Çfarëdo që do të vijë, përfshirë dhe partnerët ndërkombëtarë.

*Tiranapost.al.