Aktualitet

Giorgia Meloni i paguan faturën restorantit në Berat pasi turistët italianë ikën pa paguar

Giorgia Meloni i paguan faturën restorantit në Berat pasi

Sigurisht jo direkt kryeministrja italiane por e ka bërë këtë përmes ambasadës italiane në Shqipëri. Meloni mesa duket ka mësuar historinë që u bë virale në rrjet dhe ka vendosur të shlyejë detyrimin e një grupi turistësh italianë të cilët u larguan nga një restorant në Berat pa paguar.

Selia diplomatike thotë se sipas porosisë së kryeministres Meloni, ambasadori ka qenë vetë në Berat.

“Sipas porosisë së Kryeministres Giorgia Meloni, kryem pagesën e llogarisë së lënë pa paguar nga një grup turistësh italianë në një restorant në qytetin e Beratit. Italianët u përmbahen rregullave dhe i shlyejnë detyrimet e tyre dhe urojmë që ndodhi të tilla të mos përsëriten më”, thotë deklarata e ambasadës.

Kryeministrja Giorgia Meloni e cila qëndroi për 4 ditë në vendin tonë, ka porositur ambasadorin Fabrizio Bucci para se të largohej nga Vlora që të shkonte menjëherë në Berat dhe të paguante faturën prej 80 eurosh të turistëve italianë.

Katër prej këtyre të fundit, ditë më parë hëngrën darkë në Restorant “Guva” në Berat dhe u larguan pa paguar. Pamjet u bënë virale në internet, aq sa lajmin e mësoi dhe kryeministrja italiane që ishte duke pushuar me familjen në jug të Shqipërisë.