Aktualitet

Akuzohet se ka bashkëpunuar me Habilajt, SPAK-u kërkon 8 vite burg për ish-shefin e krimeve

Akuzohet se ka bashkëpunuar me Habilajt, SPAK-u kërkon 8 vite burg

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK) ka dhënë këtë të hënë pretencën për ish-zyrtarin e policisë së Vlorës, duke kërkuar 12 vite heqje lirie.

Ish-shefi i krimit të organizuar është akuzuar për trafik narkotikësh dhe bashkëpunim me grupin kriminal të Habilajve. Por, ai mund të dënohet me 8 vite burg, sepse përfiton gjykim të shkurtuar.

Ndërsa për ish-shefin e stacionit policor Dhërmi, Sokol Boden, dosja është veçuar, pasi ai nuk e ka pranuar gjykimin e shkurtuar.

Ish-zyrtarët akuzohen se kanë bashkëpunuar me grupin kriminal të Habilajve për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit drejt Italisë.

Fillimisht, ata u hetuan së bashku me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish Drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën, por më pas, çështja e tyre u veçua.

Masa e sigurisë ‘’Arrest me burg’’ në mungesë, për dy ish-zyrtarët e policisë Jaeld Çela dhe Gjergj Kohila, u caktua në fund të muajit nëntor të vitit 2017, kohë deri në të cilën ishin në fuqi dy urdhër-ndalimi të lëshuara nga Prokuroria.

Sipas hetimeve, zyrtarët kanë bashkëpunuar me grupin e “Habilajve”, të cilët gjatë katër viteve, pra gjatë periudhës 2013-2017 trafikuan drejt Italisë 3.5 ton lëndë narkotike kanabis sativa.