Aktualitet

15 vjet nga tragjedia e Gërdecit familjarët e viktimave ende kërkojnë drejtësi

15 vjet nga tragjedia e Gërdecit familjarët e viktimave ende

Sot u mbushën 15 vjet nga tragjedia e Gërdecit, ku nga shpërthimi i një depoje municionesh u vranë 26 vetë. Por sot bëhen po 15 vite pa drejtësi për familjarët e atyre që humbën jetën. Si çdo vit ata vijojnë të bëjnë homazhe në heshtje për të afërmit tyre që u vranë 15 vjet më parë, ndërkohë që ende nuk e kanë humbur shpresën për drejtësi.

Zamira Durda, një prej nënave që humbi të birin Erisonin në këtë tragjedi, djalin e vogël 7-vjeçar që po luante me një biçikletë në momentin e shpërthimit, kujton edhe njëherë atë ditë të zezë për të dhe familjen e saj:

“Kujtoj një ditë të zezë. Kam dëgjuar shpërthimin e parë, kam dalë kam dhe parë një mjegull. Kërkova çunin. Më thanë që ishte duke luajtur me biçikletë. Kisha dhe gocën, thoshte do vij dhe unë. Nuk dija nga të mbaja. U ktheva, mora kalamajtë e vëllezërve dhe ika. Ditë e zezë për mua ajo. 15 vjet pa çunin. Do ishte 22 vjeç sot. Kam shumë dhimbje,” shprehet ajo.

A ka hequr dorë nga drejtësia?

Ajo ka qenë në çdo nismë për drejtësi për këtë tragjedi, por edhe sot ajo jo vetëm që nuk heq dorë, por vijon të kërkojë drejtësi.

“Është një krim shtetëror. Këtu vepronte ushtria shqiptare. Pa firmën e ministrit këto municione nuk lëviznin në asnjë lloj depoje, prandaj e quaj krim shtetëror. Ka dështuar gjithë piramida shtetërore. I jam drejtuar të gjitha institucioneve të drejtësisë, tani edhe SPAK-ut, të shohim, ishalla vendoset drejtësi. Gjithsesi mëdyshje kam. Me akuzën që kanë çuar ata, “shpërdorim detyre” për vrasjen e 26 personave, nuk e di...! Vetë akuza është vrastare për ne,” thotë ajo.

15 vjet nga tragjedia e Gërdecit familjarët e viktimave ende

Çfarë ndodhi në 15 mars?

Në 15 mars të vitit 2008, një shpërthim i fuqishëm pak pas orës 12:00 tronditi Tiranën. Pak kilometra larg, në fshatin Gërdec ku ndodhej një punishten e demontimit të municioneve shtetërore, u vranë 26 persona e mbi 300 të mbetën të plagosur. Plot 100 shtëpi u rrafshuan.

Aktualisht i pandehur është ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Mbi të rëndojnë dy akuza,ajo e “Shpërdorimit të detyrës” dhe "Shpërdorim i detyrës mbi bazë të kodit ushtarak".