Videopodcast

Sara pati një ide të guximshme dhe pjesa tjetër është histori

Sara pati një ide të guximshme dhe pjesa tjetër është

Nga Mira Kazhani/ Kur mbarova regjistrimin e podcast-it me Sarën dhe përgjatë gjithë pasdites më shoqëroi një reflektim kronik për gjeneratën e re. Ne nuk i njohim, por madje ka edhe një si modë për t’i kritikuar, se nuk janë të përgjegjshëm si brezi ynë, se nuk lexojnë letërsi, se rrinë në telefon tërë ditën, se e marrin jetën si t’u vijë… ka besoj edhe shumë të tjera si këto stigmat.

Disa prej tyre mund të jenë plotësisht të vërteta, por po aq frymëzuese.

Çfarë do mendonit ju nëse njëri prej nesh do linte shkollën, në vitet 2000? Faliment! Fëmijë i pabekuar. Dhe nëse lije shkollën, vërtet s`kishe të ardhme, ose ku të mbyteshe.
Sara, më tregoi gjatë bisedës se ndërsa ishte një nxënëse shumë e mirë, në Austri në klasën e Arkitekturës, filloi të mendonte se ajo gjë s`po e frymëzonte.

Kish filluar pikërisht në atë kohë t`iu bënte make up shoqeve të konviktit, dhe për t`iu shpëtuar atyre nisi t`i postonte në YouTube. Hapi kanalin e parë me make up dhe në një kohë shumë të shpejtë nisën ndjekësit dhe reklamat me produkte.

Aty, Sarës 20-vjeçare i shkrepi një ide! Pas atij momenti kur mori valixhet dhe erdhi në Shqipëri, kanë kaluar 5 vjet, dhe drejton disa kompani, Skosmetics, Screatore, Selfskn e fundit.

Historia e saj është frymëzim, por edhe reflektim që ky brezi i ri, është milje larg botës në kuadrat. Ata mund të rrokin botën me kurajën, vetëbesimin dhe dhuntitë e tyre teknologjike. Nuk shkruajnë poezi, por ndoshta shkruajnë histori!


Intervista e transkriptuar

Mira Kazhani: Para disa ditësh vendosa të bëj intervistën e famshme të Instagramit: “Ask me a question”. Përveçse nuk e dija që të bllokonte për disa orë, u kënaqa që pyetjet më së shumti ishin për video podcastin dhe personazhet e tij. Mes shumë pyetjesh, ishte një vajzë që më kërkoi të intervistoja Sara Karaj. I premtova vajzës X që do ta bëja dhe ja ku jam sot me Sarën. 26 vjeçe, rrugës për bebin dy, me disa kompani biznesi që drejton, dhe të mendosh që çdo gjë nisi në dhomën studentore në Austri, kur bënte video make up-i që të shpëtonte nga shoqet që i kërkonin tërë kohës t`i lyente dhe t`i bënte të bukura.

Sara, tani që e mendoj edhe unë i kam bërë make up shoqeve tërë jetën, po as kam bërë lekë me këtë histori…

Sara Karaj: Po ke bërë me gjëra të tjera. Me njërën do bësh… (qesh) Do e nisësh me njërën.

Mira Kazhani: Nuk kam të dhëna në biznes. Po kjo pak rëndësi ka për këtë podcast.

Sara Karaj: Shumë faleminderit për ftesën. Është kënaqësi, sepse unë e ndjek podcast-in tënd dhe të komplimentoj për nismën edhe për diçka shumë të veçantë që po bën!

Mira Kazhani: Faleminderit Sara! Unë në fakt kam shumë komplimente për ty, për gjithçka kam parë gjatë këtyre ditëve. Se të kam survejuar pak në Instagram. U përpoqa të të njoh më shumë. Të njihja, e dija që ishe Sara e famshme që bëri një linjë make up-i të suksesshme në Shqipëri, që u pëlqye shumë nga vajzat. Më pëlqeu me thënë të drejtën edhe fakti që ti relativisht ishe e panjohur. Nuk ishe një vajzë që shfrytëzove famën tënde, ishe në televizion, kishe miliona ndjekës, ishe vajza apo trashëgimtarja e ndonjë të pasuri… Ti çdo gjë e bëre si Sara dhe në këtë pikë Chapeau Sara!

Sara Karaj: Faleminderit!

Mira Kazhani: Ku e kishe fuqinë dhe magjinë që ia dole?

Sara Karaj: Në fakt, siç edhe ti e përmende, unë e kam nisur në dhomën time të konviktit. Unë nuk kisha asnjë fuqi. Nuk kisha as njohje. Kisha shumë vite që nuk jetoja në Shqipëri dhe të vetmit të njohur të mitë, ishin mikeshat e mia që edhe ato jetonin jashtë. Kështu që relativisht nuk kisha asnjë indicie për të nisur diçka në Shqipëri. Ajo që bëra unë dhe mbase më “karakterizon” për gjërat që marrë përsipër, është që unë kam shumë besim tek vetja. Kur nis diçka dhe e shikoj që po ecën mirë, për shembull videoja e parë e YouTube-t që unë bëra ishte në gjuhën shqipe. Nuk kishte video YouTube për atë periudhë, make up-i në gjuhën shqipe, dhe në ditën e parë që u postua shkoi 300, 400 klikime. Për mua, në atë periudhë normalisht ishte shumë. Se unë aq nuk kisha as të njohur (qesh). Dhe nga ajo nismë, fillova të kontaktoja njerëzit e njohur në Shqipëri. Nuk e di pse kisha këtë besimin që do më kthenin përgjigje dhe do më mbështesnin. Po ja që ky besimi që kisha rezultoi i suksesshëm, sepse kishte disa personazhe si Aulona, Armina që më kanë mbështetur që në fillim dhe kanë postuar kanalin e YouTube-it dhe kështu nisi e gjitha.

Mira Kazhani: Sa të mira! Iu pëlqente make up-i që ti bëje?

Sara Karaj: Ndjekësve po. Ndërsa Aulonës, Arminës dhe vajzave të tjera që më kanë suportuar i pëlqente nisma edhe fakti që unë nuk kisha turp, ose frikë që t`i kërkoja ndihmë për të arritur një gjë që unë e kisha me shumë qejf. Se normalisht, nëse do shikoja që do kisha 5, 6 klikime, mbase nuk do ta vazhdoja më.

Mira Kazhani: Kjo është gjenerata juaj. Është gjenerata e Online- it, e YouTube-it, e Tik Tok-ut, e Instagramit. Për hir të së vërtetës, kush është “gifted”, kush është me një dhunti, ia del. Ti je e para që hape një kanal YouTube-i në Shqipëri apo kishte edhe të tjerë?

Sara Karaj: Për make up-in kam qenë e para. Dhe e para që është regjistruar. Se që të thuash që je e para duhet të kesh një fakt.

Mira Kazhani: Si të shkoi në mendje kjo ty?

Sara Karaj: Që të hap një kanal YouTube-i?

Mira Kazhani: Po.

Sara Karaj: Sepse unë kam parë gjithë jetën time video YouTube-i për çdo gjë. Edhe për leksionet që ne bënim, nëse nuk kuptoja diçka, më përpara shkoja në YouTube dhe kërkoja video tutorial dhe pastaj nëse s`e kuptoja nga ajo gjë pyesja profesorët e mi. Kështu që edhe për make up-in aty e kam mësuar që të bëja një make up të denjë. Mbaj mend që kur më vinte ajo kuota nga familja ime, që vjen mujore kur jeton jashtë, më përpara shkoja njëherë tek dyqanet e make up-it dhe çfarë ngelte ishte për pjesën tjetër të muajit. Kështu që kam qenë gjithmonë e apasionuar për make up-in. Jo për shndërrimin që bënte make up-i, por për produktet. Gjithmonë kam qenë kurioze për ingredientët, për teksturat e ndryshme, çfarë ndryshonte tëk njëra, tek tjetra. Kam qenë kurioze më shumë për produktin sesa për tërësinë e gjësë kur vendoset në fytyrë pastaj.

Mira Kazhani: Ti ke të dhëna tipike të këtyre të pasurve të kohës tani. Për shembull, ti ke studiuar arkitekturë, por shkolla është një diplomë në jetën tënde tashmë sepse…

Sara Karaj: Po unë e kam lënë përgjysmë vetëm për këtë…

Mira Kazhani: E ke lënë përgjysmë?

Sara Karaj: Po.

Mira Kazhani: Je fiks prototipi, arketipi i të pasurve të sotëm. U shqetësuan prindërit që e le përgjysmë shkollën?

Sara Karaj: Unë kam qenë studente shumë e mirë në Innsbruck, ku studioja.

Mira Kazhani: Në Innsbruck të Austrisë?

Sara Karaj: Po, në Innsbruck të Austrisë.

Mira Kazhani: Tek ajo zona e bukur.

Sara Karaj: Po ajo zona e bukur, me male. Dhe nuk e di se çfarë më kapi dhe i thashë mamit dua të kthehem, nuk dua të rri më këtu. Ka ndodhur për dy javë. Për dy javë unë thashë dua të kthehem, sepse mendoj që këtë gjënë që po bëj në YouTube - se dhe atje kisha suport, për shembull kompanitë kur unë u shkruaja mesazh, më dërgonin produkte, dhe unë mendoja, kur më dërgojnë produkte këtu, në Shqipëri mund të jetë një gjë edhe më e madhe. Mund të bëhet një gjë më e madhe kjo gjëja. Normalisht këtë nuk ia thashë mamit, që po kthehesha për këtë gjë, se nuk do më merrte seriozisht.

Mira Kazhani: Nuk ia the troç që do lije edhe shkollën?

Sara Karaj: Jo, ia thashë që nuk dua ta vazhdoj më këtu, do ta vazhdoj në Shqipëri, sepse nuk ndihem mirë. Dhe realisht nuk po ndihesha e frymëzuar. Se unë nëse nuk frymëzohem, nuk e bëj dot më atë gjë. Normalisht familjet në Shqipëri e mendojnë pak si dështim, po si t`ia bëjmë tani, ndërkohë që unë thjesht hoqa dorë sepse nuk doja, jo sepse po shkoja keq dhe si do t`ia bënim tani. Më pas vazhdova studimet këtu prapë për arkitekturë. Normalisht në atë periudhë që unë isha, isha shumë konfuze se çfarë doja të bëja dhe i bëja të gjitha në të njëjtën kohë. Domethënë zgjohesha në orën 5 të mëngjesit dhe flija në orën 2 të natës që t`i bëja të gjitha.

Mira Kazhani: 20 vjeçe ishe atëherë?

Sara Karaj: Po, 20 vjeçe. Bëja dhe projektet, bëja edhe videot e YouTube-it, çdo gjë në të njëjtën kohë që të funksiononte njëra nga gjërat.

Mira Kazhani: Ti Sara për një kohë të gjatë bëje make up, gjeje reklama dhe ky ishte biznesi yt.

Sara Karaj: Po, ky ishte biznesi im.

Mira Kazhani: Si shkoi ideja për të bërë një linje kozmetike, make up-i tënden? Nuk është e thjeshtë për një treg kaq të vogël sa Shqipëria. Kam dëgjuar shumë njerëz që e kanë këtë aspiratë. Disa bëjnë kërkime deri në Kore. Koreja e Jugut duket shumë interesante. Ti po bashkëpunon dhe e ke realizuar këtë me Italinë. Si ia dole o Sara?

Sara Karaj: Unë bëj një gjë. Çdo 5 vite bëj një listë të gjërave që unë dua të arrij. E kam bërë pothuajse gjithë jetën time, që kam qenë koshiente.

Mira Kazhani: Çdo 5 vite?

Sara Karaj: Çdo 5 vite bëj një listë të gjërave që dua të arrij. Mund të jenë arritje 10-vjeçare, mund të jenë edhe arritje që dua për 1 vit dhe për 5 vite. Një nga pikat që unë kisha vendosur është që dua të marr një kompani në distribucion, ose të krijoj një kompani timen make up-i. Kur ia thoja këtë familjes sime, sigurisht qeshnin. Kur ia thoja këtë të dashurit tim, sigurisht qeshte. Nuk e merrte seriozisht. Të gjithë ishin: Mirë, por tani duhet të qëndrosh me këmbë në tokë. Kishin edhe frikën që në ato momente që merr vrull edhe që fillon të fitosh ca para, i kursen të gjitha për të mos bërë asgjë, që pastaj të bësh një gjë të madhe, mos pastaj do më binte shumë keq psikologjikisht.

Mira Kazhani: Ta sqarojmë një detaj të vogël. Ti po i bëje të gjitha këto me paratë që kishe fituar vetë? S`po ia merrja as mamit dhe babit dhe as të dashurit.

Sara Karaj: Jo. Nuk m`i jepnin, edhe të doja unë. (qesh)

Mira Kazhani: Ata vetëm qeshnin. Po tani qeshin më ata?

Sara Karaj: Unë qesh, qeshin edhe ata kur e kujtojnë. Kështu domethënë nisi. Unë fillova të bëja research. U dërgoja email-e konstante kompanive fasonerive, fabrikave që prodhojnë produkte. Sigurisht kam pasur shumë refuzime, se unë isha askushi. Por kam pasur edhe email-e që kanë thënë: Ok, hajde takohemi.

Mira Kazhani: Refuzimi që të ka dhembur? Fjalia tipike e një refuzimi që filloi të të irritonte.

Sara Karaj: Je shumë e vogël. Që nuk ka lidhje fare puna që bëj unë, mosha timen. Më është dashur disa herë - edhe e them me shumë keqardhje këtë - se po bisedonim edhe pak më parë për rritjen e një gruaje në Shqipëri, - më është dashur shumë herë të marr Dartin me vete, që të më merrnin seriozisht kompanitë në Shqipëri. Darti nuk kishte në asnjë moment asnjë rol në rritjen time profesionale.

Mira Kazhani: Ishte figurant i mirë…

Sara Karaj: Ishte thjesht figuranti, që është Darti aty, që është një mashkull ngjitur me mua.

Mira Kazhani: Pse kur e shikonin Dartin kompanitë të merrnin më seriozisht?

Sara Karaj: Po, më merrnin më seriozisht. Është për të ardhur keq. Tani nuk e bëj më këtë gjë, por në atë moment duhej që të bëja diçka që të më merrnin seriozisht, sepse nuk më merrnin seriozisht. Nga mosha, nga fakti që kisha këtë aspiratën edhe që isha shumë e sigurt. Ishte një gjë e re për Shqipërinë. Nuk është se kishte si tani, shumë influencer dhe njerëzit njiheshin me këtë lloj tregu dhe të kuptonin që kjo funksionin realisht.

Mira Kazhani: Më ngeli pak mendja tek fakti që nuk të kanë marrë seriozisht. Mund të ketë qenë për shembull mosha. Moshën e mendoj dhe e mirëkuptoj. Edhe këtë tjetrën e kuptoj se është histori e vjetër sa bota. Nuk është e thjeshtë. Në Itali t`u desh ta merrje shokun tënd me vete?

Sara Karaj: Në Itali e mora që të mos shkoja vetëm. (qesh). Po kur vendosa që të hapja kompaninë e dija që doja një suport më patjetër, emocional. Se është shumë e vështirë edhe emocionalisht, edhe fizikisht që ti t`i bësh të gjitha. Darti u përfshi në fillim me editimin e videove të mia. Ai qëndronte deri në 5 të mëngjesit që ne t`i editonim ato video dhe t`i hidhnim në kohë. Se në një moment u bënë shumë bashkëpunime dhe ato normalisht kishin deadline-et e tyre. Ishte punë reale. Dhe sa të merrja dikë që nuk e njihja, i thashë Dartit, hajde e bëjmë këtë gjë bashkë. Kur më kthyen përgjigje pozitive në Itali, 2-3 kompani, i thashë Dartit, shiko duhet të ikim që t`i takojmë. Dhe për mos ta trembur, se Darti është pak pesimist në disa gjëra…

Mira Kazhani: Pak burrë… (qesh)

Sara Karaj: Pak burrë… është gjithmonë që Sara, mos fluturo, etj. etj, i thashë, thjesht do t`i takojmë. T`i takojmë njëherë.

Mira Kazhani: Ti vetëm hajde.

Sara Karaj: Mendoji si pushime. Dhe kështu ndodhi. Shkuam në Itali.

Mira Kazhani: Në çfarë vendi?

Sara Karaj: Në Milano.

Mira Kazhani: Atje ku ndodh…

Sara Karaj: Atje ku ndodhin thuajse të gjitha. Fillova t`i shpjegoja mbi konceptin tim. Unë në përgjthësi, kur e marr një gjë me qejf, edhe e tregoj me shumë pasion edhe me dëshirë. Ata u ndjenë shumë të inspiruar me gjithë gjënë. Dhe pastaj nga ai moment e tutje ishte thjesht zhvillim i konceptit tonë.

Mira Kazhani: Ia prezantove në italisht, në anglisht?

Sara Karaj: Në anglisht. Edhe duke qenë se Darti ka studiuar në Itali, më suportonte me ca fjalë.

Mira Kazhani: Po kishte diçka bindëse përveç shpirtit tënd edhe natyrës tënde këmbëngulëse në atë që the? Kishte një frazë, një propozim, një ide që iu bëri shumë përshtypje dhe ngecën ata?

Sara Karaj: Unë i kam thënë historinë time pak a shumë. U kam thënë, si e kam nisur. Që kam qenë e para që e kam nisur këtë gjë në Shqipëri. Kush jam në Shqipëri, me ata ndjekës që kam, aspiratën që kam dhe u kam thënë që do ta bëj këtë gjë. Me ju, ose pa ju, unë do ta bëj. Doni që të jeni pjesë e kësaj gjëje që ne do realizojmë, sepse unë e di që do jetë një gjë e madhe? Dhe pas kësaj fjalie, të treja kompanitë që kam kontaktuar, kanë pranuar.

Mira Kazhani: Ti këtë e ke bërë para sa vitesh?

Sara Karaj: Para 5 vitesh. Diçka e tillë.

Mira Kazhani: Ndërkohë para pak javësh unë kam lexuar një intervistë të Elon Musk. Kur e pyesnin se mbi cilat kritere e punësonte dikë, si e merrte në punë, ai tha: “Nuk e pyes as për diplomën, nuk e pyes as ku jeton, çfarë ka bërë, është burrë apo grua”. Po pyetja e tij ishte: “Ke patur ndonjëherë një ide biznesi dhe ndonjë problem dhe si e ke zgjidhur?” Pra kërkonte prakticitetin, shembullin konkret. Mesa duket kjo funksionon. Ky është sekreti tani me kompanitë apo jo?

Sara Karaj: Mendoj se po. Unë jam person që në përgjithësi i mbaj pothuajse të gjitha problemet për vete, se mendoj që mund t`i zgjidh të gjitha vetë. Kjo është edhe gjë e keqe, po nga ana tjetër duke qenë se truri më punon gjatë gjithë kohës mundohem që të shikoj gjithmonë anën pozitive të çdo situate, jo vetëm anën negative.

Mira Kazhani: Gjithmonë njeriu i bën vetëm vetë gjërat. Akoma nuk kam takuar njeri të suksesshëm që të ketë një njeri që është më i mençur dhe më i suksesshëm se suksesi i tij. Kështu që mos u shqetëso! Është pak e lodhshme për njerëzit.

Sara Karaj: Është shumë e lodhshme. Ndonjëherë unë mendoj sa bukur do të ishte që të isha në vendin e një prej gocave që punojnë në Skosmetics, që të kthehesha në shtëpi në orën 5 të pasdites dhe ta mbyllja.

Mira Kazhani: E di sa të kuptoj për këtë. Edhe unë e kam ëndërr të jem një herë gazetare tek Tiranapost. (qesh).

Sara Karaj: Fiks.

Mira Kazhani: Është sensi i përgjegjësisë… Cila është një gjë që tek suksesi, tek sipërmarrja, te biznesi fillon dhe bëhet e bezdisshme, e lodhshme që të duhet ta përballosh me shumë nerv të ftohtë Sara?

Sara Karaj: Përgjegjësia. Përgjegjësia bëhet në një moment shumë e lodhshme, sepse ti je gjithë kohës përgjegjës për njerëzit, për vendimet që merr, për produktet që nxjerr, për kompanitë që bashkëpunon, për pagesat që bëhen, çdo gjë është në dorën tënde në finale fare. Kështu që kjo bëhet pak e lodhshme kur krijon një familje, kur ke përgjegjësi dhe në familje pastaj. Përgjegjësia është gjëja që më lodh më shumë.

Mira Kazhani: Jemi tek familja dhe ti po bëhesh mami për herë të dytë së shpejti. Nuk e di për sa muaj, por e ke lajmëruar.

Sara Karaj: Për 5-6 muaj.

Mira Kazhani: E ke lajmëruar me një video të bukur në teatër madje. Ja ku jemi prapë në teatër këtu, është rastësi. Po i bën të gjitha gjërat shpejt, me ritëm. Kështu vrapon?

Sara Karaj: Unë vrapoj gjatë gjithë kohës. Karantina për shembull ka qenë një nga periudhat më stresante për mua.

Mira Kazhani: Çfarë bëre në karantinë?

Sara Karaj: Kam kaluar në depresion. (qesh)

Mira Kazhani: Dhe bëra një fëmijë në karantinë. (qesh)

Sara Karaj: Realisht unë nuk rri dot kot duke pritur. Kam shumë ide, por jo të gjitha realizohen. Dua që jeta ime të jetë e gjallë dhe me shumë gjëra e me larmishmëri, sepse nëse nuk është e tillë unë mërzitem dhe mendoj që nuk e përjetoj mirë. Kam pasur momente të tilla edhe kur kam bërë shkëputjen nga universiteti atje, në universitetin këtu, një periudhë pak bosh që bëra vetëm YouTube-n dhe mendoja gjithë kohës të bëja gjëra të reja. Nuk ka qenë periudhë e mirë. Po të shikohen ato video duket që unë nuk kam qenë mirë mendërisht. Isha si në depresion. Doja të bëja diçka me patjetër. Më dukej vetja shumë e paaftë që po bëja vetëm një gjë.

Mira Kazhani: Po ja ku je falë asaj një gjësë që ke bërë atëherë dhe ke qenë shumë e re Sara.

Sa fëmijë do të bësh ti? Do ta mbyllësh me dy apo do vazhdosh?

Sara Karaj: Unë nuk dua ta mbyll me dy. Me siguri do ketë një periudhë tjetër të jetës sime që do dua të bëj shumë gjëra dhe unë nuk e di se sa fëmijë do të bëj, se është një pyetje që nuk e kam vetëm unë në dorë, por unë do doja 4. Nuk e di se sa do të mundem.

Mira Kazhani: Darti qesh kur thua ti që do të bësh 4?

Sara Karaj: Ai meket. (qesh)

Mira Kazhani: Ai qesh, po ti i bën të gjitha ndërkohë.

Sara Karaj: Pas disa vitesh do t`i mbushet mendja. Kështu ndodh për të gjitha gjërat.

Mira Kazhani: Kush është njeriu më krenar për ty?

Sara Karaj: Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë gjëra që unë të studioj jashtë, që unë të kem mundësinë atë dhomën që unë doja ta kisha në privatësi për të bërë videot e mia dhe jo vetëm kaq. Nuk është se kanë qenë dy prindër që kanë pasur mundësi financiare ekstreme që unë të kisha atë jetën që unë doja. Dhe unë që në fëmijërinë time kam qenë një person që nëse e dua këtë gjë, do ta marr atë gjë. Kjo ka qenë një ndër gjërat që mbase edhe më ka shtyrë më vonë kur kam qenë e pavarur nga ata, që t`i arrij gjërat vetë, sepse edhe në fëmijërinë time unë i kam marrë gjërat që kam dashur. Ata ma tregonin mundin që unë i kam marrë dhe sa janë munduar ata që unë ta marr, por në fund finalja ishte me të gjitha gjërat e realizuara. Mendoj që prindërit e MI do të ishin më krenarët dhe më pas Darti. Se unë me Dartin jemi rritur bashkë. Ne njihemi që në klasë të gjashtë. Kemi qenë shokë të ngushtë. Dhe më pas ka kaluar historia e një telenovele derisa jemi këtu me dy fëmijë.

Mira Kazhani: Keni pasur ndonjë shkëputje ndonjëherë?

Sara Karaj: Po patjetër se dhe nga klasa e gjashtë…

Mira Kazhani: Jo, jo. Nuk mendova që jeni dashuruar që në klasë të gjashtë. Se atëherë nuk e keni kuptuar edhe nëse ka qenë dashuri, po flas më vonë, në moshën e pjekur.

Sara Karaj: Jo. Nuk kemi pasur shkëputje dhe duke qenë se ne jemi rritur bashkë, realisht ndihemi shumë krenarë për arritjet e njëri-tjetrit. Të mendosh që ne kemi qenë dy fëmijë të vegjël, në një shkollë, në një klasë që nuk e mendonim kurrë që do të ishim këtu tani.

Mira Kazhani: Ua ke kthyer prindërve atë shpenzimin që kanë bërë për ty? Dashurinë dhe mirënjohjen e di, po prindërit shqiptarë sakrifikojnë shumë për fëmijët. Unë mendoj që edhe fëmijët përpiqen që t`ua shpërblejnë një ditë. Më duket sikur këtë pikë e kemi të fortë ne shqiptarët si shoqëri, familjen.

Sara Karaj: Unë mendoj që jo vetëm për prindërit e mi, por në përgjithësi për njerëzit e mi të afërt, sakrifikoj shumë. Jam një person që më pëlqen më shumë të jap, sesa të marr. Nuk e kam shumë qejf pjesën e marrjes. Më shumë qejf kam reagimin e njerëzve. Dhe kjo është pak egoiste (qesh), por kam më shumë qejf të jap sesa të marr dhe këtë mundohem ta bëj në maksimumin tim. Nuk mendoj se do mund t`ua shpërblej ndonjëherë, sepse ata kanë kaluar shumë vështirësi në jetën e tyre duke më pasur dhe mua aty. Unë jam edhe me mendimin që fëmijët nuk duhet t`i rrisim me idenë që unë po ta bëj këtë tani, që ti të ma shpërblesh më shumë. Nuk ma kanë bërë ndonjëherë këtë lloj presioni.

Mira Kazhani: As nuk e bëjnë prindërit atë.

Sara Karaj: Por unë e kam ndjerë vetë dhe mundohem gjithmonë që pas çdo arritjeje timen, një pjesë të mirë të arritjes ta marrin edhe ata.

Mira Kazhani: E qartë! E kuptova Sara çfarë the, që një pjesë të arritjes tënde ta marrin edhe ata. Është e rëndësishme paraja për ty? E kursen? E shpenzon?

Sara Karaj: Për mua paraja është mjet. Nuk është gjëja më e rëndësishme në jetë, por është mjeti më i rëndësishëm në jetë. Unë paranë nuk e shpenzoj për gjëra që e shikoj që nuk janë të domosdoshme.

Mira Kazhani: Për shembull? Ke ti çanta të shtrenjta? Kërkon të qëndrosh në hotele të shtrenjtë?

Sara Karaj: Unë kam një çantë të shtrenjtë. Të shtrenjtë, varet se ështe relative.

Mira Kazhani: Çfarë është ajo çanta?

Sara Karaj: Është një çantë Gucci që unë e përdor çdo ditë të jetës time. Unë marr gjëra të mira, por nuk marr në sasi. Unë marr një çantë të shtrenjtë dhe deri sa të prishet ajo, nuk do marr më asnjë çantë të shtrenjtë tjetër. Ose një gjë tjetër… Unë kam një makinë që e kam blerë të re, por nuk është makina më e mire në planet. Pra mundohem që të kursej në gjërat që unë mendoj se…

Mira Kazhani: Cila është makina e ëndrrave të tua?

Sara Karaj: Unë nuk kam një makinë ëndrrash. Kam një shtëpi ëndrrash. (qesh) Makina është një mjet që ndryshohet çdo dy vite, çdo tre vite nëse ti ke mundësi.

Mira Kazhani: Po edhe shtëpia.

Sara Karaj: E di, por ka një limit. (qesh)

Mira Kazhani: Cila është shtëpia e ëndrrave?

Sara Karaj: Shtëpia e ëndrrave të mia është një shtëpi e madhe mjaftueshëm, por jo e ekzagjeruar. Të jetë funksionale.

Mira Kazhani: Apartament, private?

Sara Karaj: Private.

Mira Kazhani: Me pishinë?

Sara Karaj: Apartamentin mendoj se të gjithë mund ta arrijnë në një moment të caktuar, ndërsa një vilë të madhe që të jetë funksionale, pra jo e ekzagjeruar, mendoj që është pak më e vështirë për ta arritur. Dhe këto gjërat janë me synime pak më të gjata sesa 5-vjeçare.

Mira Kazhani: Po ka kohë, e ke gjithë jetën përpara. Në Shqipëri gjithmonë është e ardhmja jote?

Sara Karaj: Nuk e di këtë pjesën. Nuk e di se varet. Unë jam aty ku shkon puna. Nëse vjen një moment i caktuar që unë me familjen time duhet të shpërngulemi në një vend të caktuar, sepse puna jonë e do që neve të shkëputemi aty, patjetër.

Mira Kazhani: Nëse do kishte alternativë për të zgjedhur një vend, cili do të ishte?

Sara Karaj: Milano. Gjithë jetën time do jetoja në Milano.

Mira Kazhani: Çfarë ka Milano që të tërheq shumë, përveç zhvillimit dhe kësaj pjesës që të ngjan ty, është pak Sara.

Sara Karaj: Është vend totalisht internacional sipas mendimit tim. Ndryshe nga gjithë pjesa tjetër e Italisë që është më tradicionale. Është shumë afër nga ne. Nëse dua të takoj të afërm… dhe për punën që kemi këtu është shumë afër. Dhe është gjithë prodhimi i jetës time në Milano. Ne thjesht e marrim dhe e sjellim këtu. Nuk është se ne bëjmë diçka konkrete këtu. I gjithë produkti bëhet atje dhe thjesht merret.

Mira Kazhani: Ke aspiratë për ta futur linjën tënde Skosmetics në Sephora, në Harrords, Rinascente?

Sara Karaj: Patjetër.

Mira Kazhani: Është e vështirë? Çfarë kushtesh ka?

Sara Karaj: Është shumë e vështirë, sepse ata kanë një minimum produktesh edhe sasish. Janë totalisht të paarritshme momentalisht. Unë dua të jem shumë e sinqertë tek kjo pjesa. Edhe ana financiare normalisht ndikon. Se në momentin që je thjesht duke prodhuar, prodhuar, prodhuar, siç po bëj dhe unë në këto momente duke u munduar të ngre emrin e brandit, nëse nuk ke një investitor të jashtëm ose një kredi nuk mund ta arrish atë. Sado kompani e mirë mund të jesh. Ka plot kompani të mira në botë dhe nuk janë në këto pika. Po sigurisht është në planet e mia se ai është kulmi. Nëse futesh në këto brand-e, e vetmja që gjë duhet të bësh, është ta mbash.

Mira Kazhani: Cilat janë kompanitë që të pëlqejnë ty të make up-it, që janë ndërkombëtare?

Sara Karaj: Po ka plot. Mua nuk më pëlqejnë kompanitë në tërësi, më pëlqejnë produkte të caktuara në kompani të caktuara.

Mira Kazhani: Më bëj një linjë me produkte të caktuara që pëlqen Sara, përfshi edhe të tuat. Më e mira e Sarës…

Sara Karaj: Vetëm me Skosmetics. (qesh)

Mira Kazhani: Ok, përveç teje.

Sara Karaj: Swagata për shembull më pëlqen shumë koncepti që ka, që janë natyrale. Luxury, por jo ekstremisht të shtrenjta. Nuk më pëlqejnë brand-et si Chanel, Gucci apo të tjera që janë fokusuara më shumë tek veshjet dhe thjesht kanë marrë edhe këtë kategori dhe po e fusin. Njerëzit edhe manipulohen pak…

Mira Kazhani: Blejnë emrin.

Sara Karaj: Po.

Mira Kazhani: Ky është gabimi.

Sara Karaj: Nuk i shohin ato ingredientët nga pas. Dhe i kuptoj sepse dhe unë e kam bërë këtë gjë para se të futesha në këtë industri. Thjesht nuk jam fanse e tyre. Jam fanse e atyre që janë të fokusuara vetëm në make up.

Mira Kazhani: Kishe në YouTube një nga videot me shumë views, “Gabimet që bëjnë shqiptarët me make up-in”. Unë do doja që ndoshta ti me linjën tënde ta promovosh pak linjën tënde, make up-in e lehtë. Se na mori malli të shohim goca me një sy normal. Dhe jo atë penelin që mbaron këtu (tregon me gjeste) Pse ka kaq tualet të rëndë rrugëve tek ne, në ekran edhe në Instagram?

Sara Karaj: Nuk e kam bërë tej ajo videoja dhe kam marrë shumë komente negative. Dua ta bëj sot. Nuk gjykoj asnjë preferencë, Të gjitha preferencat janë personale. Gocat e dinë vetë. Po unë mendoj që në përgjithësi, si çdo gjë, edhe për make up-in jemi më shumë të drejtuar nga ana e lindjes, nga ato make up-et e rënda. Prandaj këtu pëlqehet shumë edhe Huda Beauty, që është një ndër kompanitë arabe që janë pak më të rënda, më të theksuara, që të tregojnë më të ekzagjeruar. Unë mendoj që ka të bëjë edhe me këtë, edhe në Arabi, edhe në Shqipëri, vajzat gjykohen për moshën që kanë. Pra nëse unë bëj një make up të tillë, siç e kam sot, unë dukem në moshën që kam, ose pak më e vogël. Nëse unë bëj një make up më të ekzagjeruar, njerëzit mund të më marrin pak më të madhe dhe automatikisht në mendjen e grave mendoj është krijuar ky mentaliteti që nëse e bëj më të rëndë, do merrem më seriozisht.

Mira Kazhani: Ndoshta një nevojë për pushtet. Po kam përshtypjen gratë sot duan të duken më të reja. Pse duhet të rëndohen? Apo është kjo lufta mes pushtetit?

Sara Karaj: Është në subkoshiencë kjo. Ti i thua, ma bëj pak syrin më të rëndë…

Mira Kazhani: Ma thekso pak… (qesh)

Sara Karaj: Që ti të ndihesh në atë lloj mënyre. Po kanë filluar ndryshimet. Se edhe varet çfarë të ofron make up artisti ku ti shkon.

Mira Kazhani: Varet dhe nga shembujt.

Sara Karaj: Më përpara, kur unë e kam bërë këtë video nuk ekzistonin make up artistet që bënin make up si në Amerikë, si në Europë, natyrale, me shkëqim etj, etj. Ishin më shumë hajt të vendosim 7 ngjyra tek sytë, 5 ngjyra tek faqet që ti të theksoheshe sa më shumë.

Mira Kazhani: Po disi po ndryshon Sara. Vajzat po bëhen më të latuara, më të sofistikuara është shenjë e mirë. Më natyrale…

Sara Karaj: Po, po. Rëndësi ka që ato të ndihen mirë. Po unë mendoj që çdo grua duhet të ndihet mirë në lëkurën e vet. Maksimumi që duhet të bëjë në përditshmëri po flas, sidomos kur ka raste si martesa ose evente që do t`i ngelen gjithmonë në kujtim, të jenë ato që janë realisht.

Mira Kazhani: Cilat janë ato rregullat Sara që të dukesh si yjet e Hollivudit, që duket sikur kanë fjetur gjumë 24 orë, që tualetin e kanë, por s`e kanë të theksuar?

Sara Karaj: Po nuk është vetëm make up-i, nuk është vetëm kozmetika.

Mira Kazhani: Janë edhe vajza shumë të bukura…

Sara Karaj: Është edhe rutina, trajtimet…

Mira Kazhani: Kremrat…

Sara Karaj: Është pastaj make up artisti që ti zgjedh. Produktet që ti zgjedh, domethënë janë të gjitha që të personifikojnë ty. Po ta shikosh edhe vajzat e famshme jashtë, kanë një make up artist që janë vetëm për to. Po ta shikosh për shembull Arielin, që bën make up-in e Kylie-t, nëse të bën ty make up, ti do ngjash pak a shumë si Kylie, sepse ai është fiksuar me atë lloj modeli fytyre dhe me atë fizionomi. Kështu që e bën të ngjashme me persona të tjerë. Varet se çfarë të pëlqen ty dhe çfarë do të arrish ti, por çelësi nuk është vetëm make up-i. Nuk mund të shkosh tek një make up artist dhe të presësh që do të bëjnë mrekullitë.

Mira Kazhani: Ngjyra jote e preferuar Sara?

Sara Karaj: Janë disa, por ngjyra që unë mund të rrija gjithë kohës ta shikoja dhe nuk do mërzitesha, janë këto ngjyrat pastel të hapura, roza e hapur, bluja e hapur, që nuk të mërzisin, nuk të lodhin sytë.

Mira Kazhani: Një gjë që më ka bërë përshtypje rreth teje, është se ty të donin shumë njerëzit. Unë e kam kuptuar jo vetëm nga ajo vajza që më kërkoi që të intervistoja dhe bëri shumë mirë. Ndoshta do isha kujtuar, po ndoshta edhe jo. Sa mirë që ma futi në mendje. Po pashë që ty përgjithësisht njerëzit të donin. Ti nuk kishe njerëz që nuk të pëlqenin. Ishin shumë fansa të tu, të pëlqenin, të pranonin kështu siç ishe, edhe pse ishe e suksesshme.

Sara Karaj: Unë kam edhe njerëz që nuk më pëlqejnë, patjetër. Shumicat i kam bërë block dhe prandaj nuk janë më nëpër komente. (qesh) Por shumica, njerëzit që nuk më pëlqejnë janë faqe Instagrami që janë anonim dhe mbase është një person që ka 10 faqe, nuk i dihet. Nuk e di çfarë të të them për këtë pjesën.

Mira Kazhani: Në përgjithësi të duan! Mendon që ka një gjë që ti thua që ndoshta më duan për këtë tipar timin?

Sara Karaj: Unë mundohem të jem ashtu siç jam në përditshmërinë time. Madje unë mundohem ta ul dozën e asaj që jam në përditshmëri, sepse e di që jo të gjithë do ta kuptojnë ironinë time të përditshme që ndonjëherë kalon në sarkazëm edhe ndonjëherë njerëzit acarohen, por mua më pëlqen kjo gjëja. Unë kam ditë të mira, kam ditë të këqija. Në përgjithësi jam shumë pozitive. Nuk jam një person që nevrikoset. Domethënë jam realisht kështu. Nuk është se po e ndryshoj.

Mira Kazhani: Çfarë shenje je në horoskop?

Sara Karaj: Binjakët.

Mira Kazhani: Nuk është se i njoh shumë shumë mirë, po…

Sara Karaj: Ja kështu janë.

Mira Kazhani: Sa Sara ka?

Sara Karaj: Ka goxha.

Mira Kazhani: Një Sara duket me shumë shpejtësi dhe me shumë ide?

Sara Karaj: Ka goxha Sara në Sarën time. (qesh)

Mira Kazhani: Unë për shembull të kujtoj në ato fillimet. Pashë që vitet e fundit, edhe për shkak të bebit numër 1, të djalit, shtove ca kile. M`u duke shumë origjinale. Nuk e pate shumë problem. Ka një kulturë dhe ka shumë receta në Instagram, kur të gjithë përfshihemi nga pak, për të qenë shumë perfekt, për t`u lodhur, për të mos ngrënë shumë, për të mos e shijuar jetën, për të qenë kështu. Sikur na ka marrë malli njëçik për njerëz që ndonjëherë i lënë gjërat të ndodhin, edhe peshën.

Sara Karaj: Edhe unë kam rënë në këtë grackë dhe periudha më e keqe, që njerëzit mund të tregohen aq të këqinj edhe të të vendosin në pah peshën tënde, është pas shtatzënisë, direkt. Unë dy ditë pasi linda, pyetjet ishin: Si do dobësohesh? Ndërkohë që unë kisha thjesht dy ditë që kisha lindur. Edhe unë kam rënë në këtë grackën e komplekseve, e të dashurit një trup më të hollë. Më përpara kam qenë një person që shkoja në palestër, rregullisht. Thjesht është genetike që pas lindjes unë mora peshë. Jo vetëm genetike, po ishte edhe karantina që mua më detyroi të mos lëvizja dot shumë. Edhe në periudhën që shkoja çdo ditë në palestër, gjykohesha që isha e shëndoshë. Domethënë njerëzit nuk do kënaqen kurrë. Po pas lindjes e përjeton më keq. Se edhe ti vetë nuk ndihesh brenda trupit tënd. Unë shikoja rroba, dhe shikoja rroba të masës S, sepse kam qenë S-ja. Nuk e perceptoja dot që ajo veshje nuk do më bënte, sepse në mendjen time unë aq isha. Pavarësisht se kur shkoja në pasqyrë dhe e shikoja veten, nuk isha ashtu. Unë tentova të bëja njëherë balonin gastrit. Nuk e kam thënë asnjëherë këtë. Pas lindjes. Dhe ka qenë eksperienca më e tmerrshme e jetës time. E hoqa brenda dy ditëve, sepse realisht po më dëmtonte mua fizikisht, psikologjikisht dhe ishte realisht e tmerrshme. E kam hequr brenda dy ditëve dhe që në atë moment thashë ok, unë nuk kam ndërmend të eksperimentoj dhe të vuaj për një gjë që është shumë normale dhe që nëse dua, në një moment të caktuar, mund ta ndryshoj. Nëse nuk dua, përderisa për njerëzit e mi më të afërt dhe për mua sidomos është ok, është ok.

Mira Kazhani: Kemi nevojë për njerëz që janë rehat me shpirtin e tyre, në trupin e tyre. Duam ta dobësojmë. Duam ta hollojmë. Duam të hamë pasta. Është pjesë e jetës dhe këto formulat klishe të suksesit, të paraqitjes, të imazhit, të të njëjtit penel, të të njëjtës veshje, janë vërtet shkatërruese. Shpresoj që dalëngadalë të reduktohen.

Sara Karaj: Unë mundohem shumë që ta tregoj realisht ashtu siç jam edhe ashtu siç…

Mira Kazhani: Ndoshta është kjo. Prandaj të duan njerëzit.

Sara Karaj: Po mendoj që ka shumë të bëjë mbështjetja e familjes. E di që nuk është gjëja më e rëndësishme, sepse të gjithë njerëzit thonë që duhet të ndihesh mirë me veten në fillim etj etj, por sidomos pas lindjes, në momentin që ke një bashkëshort që të thotë: “E se duhet të dobësohesh njëçik, e se s`je shumë mirë…” Normalisht që nuk do ndihesh mirë.

Mira Kazhani: Po Darti qesh edhe me këtë.

Sara Karaj: Po. Darti qesh edhe me këtë. Thotë: “Je shumë mirë. Kur të duash, nise për vete.”

Mira Kazhani: E përshëndesim Dartin edhe të përshëndes e të falenderoj shumë Sara për këtë bisedë origjinale. Të uroj suksese në linjën e re të kremrave. Se Sara ka nisur tashmë edhe linjën e kremrave për gjithë familjen. Se kështu është Sara, do për të gjithë.

Sara Karaj: Më ka ardhur si ide në fakt që kur kam qenë shtatzënë me Tomasin. Atëherë nisa research-in dhe tani jam shtatzënë me bebin e dytë dhe shpresoj ta mbyllim kompaninë së shpejti.

Mira Kazhani: Ky bebi do t`i bëjë buzët e kuqe apo do vërë vetëm krem?

Sara Karaj: Ky bebi do përdorë këto kremrat e kompanisë së dytë. Të shohim, të shohim… Faleminderit shumë! U kënaqa shumë!

Mira Kazhani: Edhe unë u kënaqa që të kisha në këtë podcast.

Ky podcast u mbështet nga Credins Bank


*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit


Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore