Videopodcast

Po çfarë është martesa në të vërtetë?!

Po çfarë është martesa në të vërtetë?!

Nga Mira Kazhani/ Duhen dy të martuar për të folur për martesën, sepse ajo nuk është asnjëherë vetëm përgjegjësia e njërit. Nuk janë burrat apo gratë problemi ndonjëherë, sa është vetë ky institucion i bërë i bukur nga kisha, filmat me dasmat prej ëndrre, por edhe institucioni që mban gjallë celulën më të bukur, ende të pakonkurrueshme të shoqërisë: familjen!

Megjithatë çiftet ankohen kur kalojnë vitet. Pse? Çfarë është kaq munduese?

Sidoqoftë njerëzit nuk ikin lehtë prej saj, qëndrojnë aty, stoikë, por edhe rehat. Në fund, në jetë nuk vijmë të rrimë vetëm si kukudhi, dhe disa sakrifica duhen kudo.

Për këtë temë, këtë javë kemi një çift që janë martesa dora vetë: nuk ranë dakord për asgjë, por duhen shumë!

Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Martesa, ky prag kureshtar për ata që nuk e kanë provuar dhe po aq institucion i diskutuar. Disa thonë se po mbaron, por ende nuk ka dalë diçka më e mirë. Në asnjë rast vetmia nuk mund të jetë më e mirë. Kur pashë shfaqjen “Dhimbje e lehtë”, me regji të Drini Hasanit, mendova: Ja, ata të dy, janë dy të ftuarit ideal për martesën. Një çift në skenë dhe në jetë, Genc Fuga dhe Eni Jani.

Faleminderit që ju kam sot në këtë videopodcast dhe ta sqarojmë pak. Martesa kaq problem është bërë? Pse ankohen njerëzit?

Eni Jani: Në momente të caktuara, edhe themi që quhet problem. Nuk do ta quaja fare problem. Kur e mendoj them, nuk është fare problem. Në momentin që ti e ke vendosur dhe ke qenë e bindur brenda vetes që ky është ai personi me të cilin ti do ndash pjesën tjetër të jetës, nuk mendoj që mund ta konsiderosh problem. Në momentin që do arrijë dhe do quhet problem, atëherë do të thotë që ka ardhur momenti që s`mund të jeni më bashkë, edhe do ktheheni në problem për njëri-tjetrin. Aty pastaj do ishte vërtet gjynah për vetë çiftin, por edhe nëse do kishin fëmijë, do ishte problematike edhe për pjesën e fëmijëve. Për fat të mirë, neve nuk kemi arritur në këtë pikën që ta quajmë martesën problem. Jemi mirë. (qesh)

Mira Kazhani: Ju në jetë jeni çift i harmonishëm. Të paktën kështu duket. Se nga jashtë gjykohet kollaj. Apo jo Genc?

Eni Jani: Kështu, kështu jemi. Është e vërtetë.

Genc Fuga: E para, intensiteti i jetës nuk na lë që të shtiremi (qesh). E dyta, harmonia brenda shtëpisë na ndihmon që të harmonizojnë edhe obligacionet përkatëse. Unë në universitet edhe Eni në televizion. Ndryshe nuk bëhet.

Mira Kazhani: Në këtë kast kam bërë gjithmonë tema dhe një nga temat e preferuara ka qenë martesa. Po ideja më ka lindur kur pashë “Scenes from e marriage”. Nuk e di nëse e keni parë. Është një serial që ka qenë suedez, por është i adaptuar nga Hollivudi. Luan Jessica Chastain dhe Oscar Isaac. Duhet ta shihni.

Eni Jani: Ne nuk e kemi parë.

Mira Kazhani: Kështu që nuk mund ta diskutojmë. Mora shkas nga ky serial, i cili në fakt në fund të thotë që martesa është e mirë. (qesh). I pari nuk ka qenë i tillë. Ka shkaktuar shumë divorce në kohën e vet. Këto teoritë që thonë se martesa është një institucion që po mbaron… Duhet të dalë diçka tjetër… Si vijnë tek një çift të martuarish?

Genc Fuga: Unë si Genci kam qejf t`i ngatërroj pak gjërat. Vërtet jetojmë në një kohë tepër të vështirë. Martesa ka të bëjë me konsolidimin e kryefamiljarit në vetvete dhe lehtësia me të cilën ti e zhvillon gjithë marrëdhënien brenda shtëpisë tënde. Jo vetëm ne, po gati-gati në rang europian, jetojmë kohët më të vështira për kryefamiljarin. Po ju jap një shembull. Në rast se ka një obligim kundrejt lokaleve që ta zbukurojnë atë me lule, mund të kishte një obligim për lokalet që 30% të tavolinave t`i dedikoheshin familjeve, flas çiftit, por edhe fëmijëve që janë pjesë e pandarë. Në këtë mënyrë ndihmohet kryefamiljari. Dhe për dreq kryefamiljari është ai që paguan kryesisht. Po ta shikoni, gjithë jeta e natës nuk i dedikohet më kryefamiljarit…. tamam, tamam, paguesit. Po ta shikoni vendet e luksit kanë marrë një prioritet shumë të madh, po asnjë nga këto vendet e luksit nuk ofron asgjë për kryefamiljarin. Kështu që kam idenë që shoqëria në strukturat e saj është pak kundër kryefamiljarit.

Mira Kazhani: Po më pëlqen Genci që po u qan hallin burrave të martuar. (qesh)

Eni Jani: Jo mua s`po më pëlqen fare (qesh). E kanalizon tek kryefamiljari. Po nuk ka sesi ta kanalizosh tek kryefamiljari, sepse nuk besoj që ka më gra apo partnere që çdo gjë e lënë dhe e mbështesin tek pjesa e kryefamiljarit. Jo. Janë goxha të zonjat. Punojnë po vetë. Është diçka që është e përbashkët dhe jo domosdoshmërisht duhet të paguajë kryefamiljari.

Genc Fuga: Le të ndahet çeku…

Eni Jani: Ne të dy ndodh që të paguash vetëm ti?

Genc Fuga: Absolutisht jo.

Eni Jani: Atëherë?

Genc Fuga: Unë kryefamiljarin e shikoj një institucion të lidhur me obligimet kundrejt familjes.

Mira Kazhani: Kërkon asistencë sociale nga shteti.

Eni Jani: Genci jo. Edhe obligimet, edhe privilegjet i kemi njësoj. Unë nuk e shikoj të tillë, siç e shikon ti.

Mira Kazhani: Genc, çfarë do preferoje si kryefamiljar ti për shembull? Ndonjë pension nga shteti për vështirësi në punë? (qesh)

Eni Jani: Vështirësitë i kanë partneret më shumë.

Mira Kazhani: Jo, se po ia qan hallin vetes dhe shokëve.

Genc Fuga: Në rast se kemi një grua apo amvisë shtëpiake…

Eni Jani: Kjo është zgjedhje e të dyve. Edhe partneri e ka zgjedhur që bashkëshorten ta mbajë në shtëpi. Se ashtu mendon se është më mirë për ta, që të merret me fëmijët, t`u dedikohet edukimit të fëmijëve. Burri ka zgjedhur që të punojë vetë. Kjo është zgjedhje. Edhe nëse mund të ndodhë, se në jetë ka momente të ndryshme… Mos u çudisni se neve kështu na shkojnë intervistat gjithmonë.

Genc Fuga: Si për 8 mars dukemi. Dukemi çik si për 8 mars?

Mira Kazhani: Jo, fiks si të martuar. (qesh)

Eni Jani: Po këto e mbajnë gjallë ama martesën.

Mira Kazhani: Çfarë e mban gjallë martesën Genci, përtej shakave?

Genc Fuga: Diskutimet.

Mira Kazhani: Biseda.

Genc Fuga: Qarja e hallit.

Eni Jani: Të ndarit të gjërave.

Genc Fuga: Të lënit në gardërobë të egoizmit. Isha gati duke thënë… ajo amvisa shtëpiake, ajo duhet të marrë rrogë nga shoqëria. Duhet të marrë rrogë. Ne nuk jemi në gjendje që ta bëjmë.

Eni Jani: Shkove shumë larg zemër!

Genc Fuga: Ky është koncepti im. Më fole për ndihmën e kryefamiljarit apo jo? Edhe unë me këtë u përgjigja. Duhen dy për një tango.

Eni Jani: Hë pra.

Mira Kazhani: Shoqëria s`ka pse i jep rrogë askujt. Shoqëria duhet të jetë thjesht gati të pranojë ndryshimet. Për shembull, ju jeni një njeri që besoni shumë tek martesa për vetë faktin që jeni rimartuar.

Genc Fuga: Po.

Mira Kazhani: Pra ju tregoni me shembullin tuaj Genci, që martesa nuk është institucion i dështuar. Martesat dështojnë, por jo martesa si koncept. Pra fakti që njerëzit e ribëjnë tregojnë që ka diçka aty brenda. Më tregoni çfarë është ajo magjia dhe gjëja e mirë e martesës?

Eni Jani: Unë mendoj që e mira është që duke nisur që në mëngjes, ti hap sytë dhe nuk e nis ditën vetëm. Për mua kjo është shumë e rëndësishme. Ose që kur fle, ti nuk fle vetëm. Nuk e mbyll ditën vetëm. Qoftë edhe ato momentet e fundit apo diskutimet e gjërave që nuk ke pasur mundësi t`i diskutosh gjatë ditës dhe ai është momenti yt apo yni për të ndarë dhe diskutuar pjesë të ditës. Pjesë tjetër janë edhe këto “zënkat”, edhe debatet, të qenit kundër me njëri-tjetrin. Nuk diskutohet pastaj ajo që ti trashëgon më të mirën tonën, që janë fëmijët që unë, ne i duam shumë si çift. Se ka njerëz që zgjedhin edhe mos të kenë fëmijë në jetën e tyre. Është e drejta e tyre ta mendojnë ashtu.

Mira Kazhani: Ka edhe që zgjedhin të mos martohen.

Eni Jani: Unë nuk e konceptoja dot veten time. Madje edhe me një fëmijë unë nuk e konceptoja dot veten time.

Mira Kazhani: Ju keni dy vajza. Ti ke dy vajza.

Genc Fuga: Unë kam tre.

Mira Kazhani: Genci ka tre. E quan vajzë tënden edhe vajzën e Gencit nga martesa e parë?

Eni Jani: Nuk ka ndodhur. Unë i thërras në emrin e saj. Edhe kur i drejtohem nuk them vajza, them emrin e Fionës.

Mira Kazhani: Genci, ku ishe? Ku u përhumbe?

Genc Fuga: Unë kam tre, thashë.

Mira Kazhani: Ishim tek e mira e martesës. Ç`të tërheq? Çfarë është gjëja që ia vlen shumë? Se Eni tha, nuk zgjohesh në mëngjes vetëm dhe nuk fle në mbrëmje vetëm. Dhe qëndron mendoj.

Genc Fuga: Në rast se ndërtohet mirë, është streha më e mirë kundrejt cinizmit që na rrethon. Është një cinizëm shumë i madh. Janë sfidat nga mëngjesi deri në darkë. Janë sfida kaq të rënda sa kalojnë në mbijetesë. Jo në një jetesë, por në mbijetesë.

Eni Jani: Kjo quhet jetë. Është pjesë e jetës.

Genc Fuga: Disa mund ta kufizojnë jetë, disa mund ta kufizojnë mbijetesë, të paktën të sigurosh ato orë të ditës, një lloj rrufepritëse nga gjithë këto që merr. Vërtet martesën dhe familjen e konsideroj si të tillë. Në rast se nuk është…

Mira Kazhani: Kur humbet pasioni? Ka shumë që thonë se me kalimin e viteve ndryshon, merr një formë tjetër dashuria, se ç`thonë ca gjëra, po i dinë të martuarit.

Eni Jani: Mendoj që duhet të jetë me faza. Sigurisht në një lidhje kur je dy veta, ke njëri-tjetrin. Në momentin kur vijnë fëmijët, prioritet kthehen fëmijët. Vëmendja është tek fëmijët dhe dashur pa dashur mbase edhe nuk të mbetet kohë. Mund të duket pak e çuditshme në mënyrën sesi e thua, po vërtet ti nuk ke kohë që t`i dedikohesh pasionit. Kur fëmijët janë të vegjël, je në sprint gjithë kohës. Do zgjohesh më herët në mëngjes, do e çosh njërin në shkollë, pastaj do t`i marrësh nga shkolla, pastaj do jenë kurset, pastaj do jenë detyrimet e tua. Se ti nuk ke zgjedhur të heqësh dorë nga karriera jote dhe ky profesioni ynë ka goxha jo provat, jo paraditja, pasditja. Punojmë në vende të ndryshme. Se nuk është se jemi të dedikuar vetëm tek teatri dhe është më e thjeshtë, merresh vetëm me teatrin. Neve na shkon dita vrap gjithë ditën. Dhe jo gjithmonë ke luksin apo mundësinë që t`i dedikohesh vetes edhe partnerit tënd. Mendoj që vjen një moment, me ç`kam dëgjuar nga të tjerë që i kanë kaluar këto faza siç në momentin që jemi ne, që fëmijët rriten, shikojnë jetën e tyre, janë të zotët e vetes dhe atëherë ti kthen prapë vëmendjen tek ajo pjesë që në njëfarë mënyrë edhe e ke harruar disi. Mendoj që është çështje fazash të jetës.

Mira Kazhani: A është arsye divorci në një martesë që ka humbur pasionin, nuk e dëshirojnë më njëri-tjetrin, - të paktën në aspektin intim e kam fjalë – por janë mirë me njëri tjetrin, shkojnë mirë, diskutojnë, kanë fëmijët… Çfarë mendoni për këto raste që kërkojnë dashurinë? Papritur zgjohen dhe kërkojnë dashurinë.

Genc Fuga: Pak para humbjes së dashurisë, aty kanë humbur disa gjëra të tjera rrugës. Pak para kësaj kanë ndodhur gjëra të tjera rrugës që ne i identifikojmë apo i etiketojmë si humbje pasioni, si humbje vëmendje. Kanë ndodhur ato gjërat e vogla më përpara.

Eni Jani: Nuk do ta thoja kështu Genci, se mbase ata prapë janë mirë me njëri-tjetrin, gëzojnë respektin për njëri-tjetrin, që respekti është shumë i rëndësishëm në një lidhje. Sado të kesh pasionin dhe dashurinë në mes, respekti është një hallkë që i lidh shumë mirë këto të dyja. Kjo kam përshtypjen varet çfarë ka prioritet gjithsecili në një lidhje.

Mira Kazhani: E kemi të mirë ne shqiptarët që nuk ndahemi kollaj? Për shembull në botë nuk është e vështirë ta marrësh këtë hap, këtu ka rezistencë.

Eni Jani: Mendoj që do vijmë në këtë fazë, por gjërat tek ne kanë ardhur me hapa më vonë.

Mira Kazhani: E ka bërë më të suksesshme martesën kjo gjë apo në fakt e ka bërë më hipokrite?

Eni Jani: Më hipokrite mendoj. Se pjesa më e madhe e kanë për hatër të… Dhe unë nuk jam dakord me këtë. Që unë të jem mirë në sy të shoqërisë, duhet të sforcohem dhe të shkel mbi veten në të qenin mirë me veten time. Jo këtë nuk do ta pranoja. Mendoj që i ka bërë dëm më shumë.

Genc Fuga: Martesa dhe divorci janë thellësisht të lidhur me mentalitetin e një populli që kryesisht udhëhiqet nga ekonomia e tyre. Ne nuk mund ta gjejmë përrallën një në një million apo dashurinë e vërtetë në një mizerie ekonomike dhe mizerie shpirtërore. Ne nuk mund ta gjejmë martesën si institucion në po të njëjtën mizerie ekonomike dhe të brendshme, emocionale. Sikurse ne nuk mund ta ekzekutojmë divorcin ashtu siç donim në momentin që nuk kemi alternativë tjetër shtëpie, duhet të ndajmë kredinë, janë këto që na përplas shoqëria në fytyrë që më mirë bashkëjetojmë me ato hallet tona dhe ia hedhin pastaj destinit. Ne harrojmë të gjithë të bëjmë pushimet e vogla. Ne nuk e dimë në koncept çfarë domethënë pushim martesor.

Mira Kazhani: Kujt i thua pushime të vogla?

Genc Fuga: Pushimet e vogla si në 9-vjeçare. Ke 45 minuta fizikë, do bësh 5 minuta pushim dhe pastaj do recitosh atë vjershën në lexim.

Mira Kazhani: Si e ka pushimin Genci, Eni? Na e trego pak.

Eni Jani: Si do ta bënim neve një pushim të vogël?

Genc Fuga: Ne e bëjmë pushimin e vogël, po thjesht nuk e kemi etiketuar.

Mira Kazhani: E bëni me njëri-tjetrin apo doni pushime nga njëri-tjetri? Pra pushim nga Eni apo pushim me Enin?

Genc Fuga: Pushime vetë si Genci.

Mira Kazhani: Ok. Pushim nga Eni pra. 5 minuta.

Genc Fuga: Pse keqkuptohet fjala pushim? Apo jeni dy tani dhe jeni gati…

Mira Kazhani: Jo, jo e keqkuptuam.

Eni Jani: Ishte ideja, këtë pushimin e vogël e bëjmë të dy si çift apo veç unë edhe veç ti? Këtë s`po kuptojmë.

Mira Kazhani: Bëni pushim nga martesa apo bëni pushim nga njëri-tjetri?

Genc Fuga: Nga martesa, nga martesa. Pushim nga martesa.

Mira Kazhani: Unë mendova se pushime të dy. Nuk po e kuptoja.

Eni Jani: Po edhe unë.

Genc Fuga: Këto janë forma dëshirore. Varet sesi e ke paketën turistike. Pse më ngatërroni me këto gjëra.

Mira Kazhani: E shoh që ke nevojë për një lloj trajtimi, pushimi, se the dua të trajtohem në jetën e natës, dua pushim, dua një paketë turistike nga martesa (qesh).

Genc Fuga: Unë jam mirë. Hajde flasim, hajde diskutojmë. (qesh)

Mira Kazhani: Ti je me shumë fat. Ti ke marrë një nga vajzat më të bukura në Tiranë.

Genc Fuga: Çfarë të bëj tani? Të skuqem?

Mira Kazhani: Po je tashmë në pushim. Je në pushim. Ti duke pushuar je me një vajzë si Eni. Mësohesh edhe me të bukurën. Kështu thonë. Një personazh – nuk po ia them emrin, po e ka thënë shumë bukur, është personazh karizmatik – thoshte pas një viti, gruaja më e bukur zbret në nivelin mesatar, pas një viti, gruaja më jo e bukur, ngjitet në nivelin mesatar. Është e vërtetë kjo?

Genc Fuga: Po varet. Në rast se i merr në provim patjetër. (qesh)

Mira Kazhani: Ju duhet të ktheheni në skenë në një shfaqje tjetër, po për martesën, por për anën e humorit, jo dhimbjen e lehtë, gëzimin.

Eni Jani: Në fakt është e çuditshme, ne të dyja herët që kemi qenë bashkë në skenë, flasim për martesën. Komedia e parë ka qenë me Inisin “10 vjet martesë”. Tregonte jetën e një çifti nga fillimi, si u njohën dhe derisa ishin plakur të dy. Dhe “Dhimbje e lehtë” që prapë është raporti i marrëdhënies në një çift.

Genc Fuga: Kjo është 15+ në fakt.

Mira Kazhani: Sa vite keni bashkë?

Eni Jani: Në 2006-ën jemi martuar.

Mira Kazhani: Uuu shumë.

Eni Jani: Kështu që i bie dhe nja dy vite përpara, i bie… edhe 1 vit e gjysmë, se kemi bashkëjetuar pastaj jemi martuar…

Genc Fuga: Më pëlqeu ajo pasthirrma: Uuu shumë. (qesh)

Mira Kazhani: E imagjinoni veten pas shumë vitesh si do jeni me njëri-tjetrin?

Eni Jani: Ja kështu njësoj.

Mira Kazhani: Si do jeni, se a do jeni, duket sikur do jeni me thënë të drejtën.

Eni Jani: Ja kështu gërr-vërr do jemi prapë…

Genc Fuga: Por më të vendosur në pozicionet tona. (qesh)

Mira Kazhani: Me më shumë pushime. Improvizojmë një paketë turistike ideale për një çift që kërkon pushim nga martesa.

Genc Fuga: Mos më pyet në këtë orë të ditës. Nuk di çfarë të them.

Eni Jani: Ti ku do doje për veten tënde të pushoje?

Mira Kazhani: Nuk thotë gjë Eni?

Eni Jani: Unë?

Genc Fuga: Ok. Vdes për mal. Eni vdes për plazh.

Mira Kazhani: Ku do shkoje pa Enin diku, dy ditë?

Genc Fuga: Të marr malet moj.

Mira Kazhani: Marrsh malet (qesh)

Genc Fuga: Ku do shkoj pa Enin? Në mal.

Mira Kazhani: Eni, xhelozi ka mes jush?

Eni Jani: Thonë shpeshherë që xhelozia tregon dashuri. Unë mendoj që çdo gjë ka sensin e masës. Nëqoftëse do kalohet ky sens mase, vetëm dashuri nuk mund të jetë ajo xhelozia. Hë se unë ty të dua dhe prandaj e bëj. Do të kthehet në të kundërtën. Për fat të mirë nuk jemi natyra që ia nxijmë njëri-tjetrit në këtë pjesë. Të përdor termin “t`i nxish”, thjesht për t`u justifikuar se të dua. Jemi shumë të mirëkuptueshëm kundrejt njëri-tjetrit. Jemi tolerantë, ose më saktë arrijmë ta kuptojmë kur ka një ngarkesë secili nga ne dhe ka nevojën e vet për të shkarkuar. Sa të jetë mundësia se e thashë, në fazën që jemi ne, kemi vajzat, edhe të duam të bëjmë këto shkëputjet, nuk i bëjmë dot larg dhe gjatë. Një javë, dhjetë ditë. Nuk rri dot unë e para 10 ditë pa vajzat. Po e ndjejmë dhe nuk është e nevojshme që t`ia shprehim njëri-tjetrit. Këtë e kemi të mirë. E kuptojmë shumë mirë dhe mjafton që njëri apo tjetri të thotë që unë kam nevojë do lëviz, do iki tek kjo gjëja dhe nuk ka më pse, si, qysh, tek.

Mira Kazhani: Si ia bën një çift të martuarish që kanë pak a shumë të njëjtin profesion për të përballuar jetën në Tiranë, shfaqjet, punën, fëmijët? Si ia bëjnë dy artistë që janë të martuar me njëri-tjetrin? Se mund të ishte njëri biznesmen, kryefamiljari.

Eni Jani: Mirë do ishte.

Mira Kazhani: Do ishte mirë, ëë Eni?

Eni Jani: Dhe mos na e hap këtë plagë, se e ka pasur atë drejtim dhe hoqi dorë.

Mira Kazhani: Ashtu? Mund të kishe qenë për shembull një oligark?

Genc Fuga: Jo, deri tek Samir Mane jo. (qesh) Nuk do shkoja deri aty. Ia njoh aftësitë vetes.

Mira Kazhani: Deri ku për shembull?

Genc Fuga: Kam pasur një kompani marketingu për një periudhë 3-4 vjeçare.

Eni Jani: Dhe e ka pasur shumë herët. Mund të them që ka qenë ndër kompanitë e para fare.

Genc Fuga: Pastaj ndryshoi qasja e kompanive ndërkombëtare kundrejt tregut tonë. Ishte momenti kur brand-et nuk kishin më zyra këtu dhe përfaqësoheshin nga distributorët. Ky shkatërrim që iu tregut… etj, etj. Dhe një pjesë e mirë e kompanive të reklamave që punonin me brand-et dolën jashtë loje.

Mira Kazhani: Eni, nëse do ishit më të pasur çfarë mendon që do bënit më mirë dhe do ishte më mirë për familjen tuaj?

Eni Jani: E beson që s`e kam menduar ndonjëherë?

Genc Fuga: Jo, e para s`do merrnim kredi.

Eni Jani: Ok, do ishte kjo.

Mira Kazhani: Kredi marrin gjithë të pasurit.

Genc Fuga: Po, për të blerë kredite të tjera.

Eni Jani: Mbase për të zhvilluar biznesin. Po nuk e kam menduar.

Mira Kazhani: Ja tani që e mendon, për shembull një mendim i shpejtë.

Eni Jani: Po sepse mua më duket që ne prapë shumë mirë jemi. Mbase s`do mundoheshim kaq shumë sa mundohemi. Mund t`i thonim “Jo” edhe ndonjë projekti. Se do ta kisha luksin.

Mira Kazhani: Është e vërtetë. Paraja ta jep një lloj dinjiteti. Nuk mungon as kur ke më pak, por të jep nëj lloj mundësie për të qenë i pavarur.

Eni Jani: Mbase do bënim pushime më të mira. Mbase do kisha mundësi t`i çoja vajzat në vende që s`kam mundësi t`i çoj tani, dhe dëshiroj që ato t`i shohin. Qoftë edhe mbase në ndonjë teatër jashtë kufijve të Shqipërisë që të shikojnë ndonjë musical, gjëra të kësaj natyre. Këto mendoj, që do ishin gjithmonë në shërbim të rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve, edhe të argëtimit, kuptohet.

Mira Kazhani: Genci?

Genc Fuga: Ka shumë gjëra për të ndrequr. Eni në momentin e rastit që ishte mirë financiarisht, çuditërisht tha mund t`i them “Jo” ndonjë projekti. Në fakt unë mund të thosha “Jo” kundrejt punës së përditshme, në rast se ajo krijon shumë presion, edhe t`i thuhet “Po” çdolloj projekti tjetër. Varet.

Mira Kazhani: Po secili e di vetë formulën e gëzimit të vet.

Eni Jani: Mbase po ta kisha mundësinë, do kisha hapur kompani teatrore timen.

Mira Kazhani: E bukur si ide, po nuk i dihet.

Eni Jani: Nuk është se nuk e dëshiroj këtë gjë, po ja tani m`u kujtua kur the nëse.

Genc Fuga: Kompania hapet për 10 minuta, ku do ta shfaqësh?

Eni Jani: Gjenden format dhe mënyrat. Po të rri të mendoj kështu siç thua ti, nuk do bëhesha asgjë Genci. Po duke qenë se s`e kam, them s`e kam mundësinë.

Genc Fuga: Po pse si partizanët ta kam llafin.

Eni Jani: Jo, por po të kisha mundësinë financiare nuk do kisha nevojë të kërkoja diku. Do e kisha vetë dhe do punoja vetë. Edhe aktorin, edhe regjisorin, do e merrja përsipër vetë.

Mira Kazhani: Është impresionuese sesi unë e shoh martesën në dialogjet tuaja.

Eni Jani: Ne kështu e kemi gjithmonë.

Mira Kazhani: Ju falenderoj!

Genc Fuga: Para se ta mbyllim. Nuk e mbarova atë pushimin, se vajtëm direkt tek pushimet e verës. Zakonisht kur mbarojmë pjesën këtu, ne bëjmë njëçik rrugë më të gjatë për të vajtur në shtëpi.

Eni Jani: I biem gjatë vetë. E zgjasim rrugën.

Mira Kazhani: Bëni një shëtitje nëpër Tiranë?

Genc Fuga: Jo. Është Unaza e Re. Erioni e ka si domain, Veliaj domethënë. Na pëlqen që të vëmë një kanal të caktuar radioje, edhe të ecim. E kemi si çlodhje.

Mira Kazhani: Këto janë ato pushimet martesore që folëm më përpara.

Genc Fuga: Dhe pastaj me atë vijë melodike që kemi në mendje dhe me atë relaks, Eni e ka zakon që mblidhet në sediljen e vetë sa që policët e marrin si fëmijë, ka ndodhur edhe kjo. Kur shkojmë pastaj tek vajzat, sado vonë, ne prapë gjejmë freskinë e marrëdhënies tashmë me vajzat. Këto janë ato pushimet e vogla që thashë ne nuk ia kemi manualin. Nuk dimë sesi përdoren në martesë.

Mira Kazhani: Po ju keni manualin e dashurisë. Dhe kjo është një martesë fiks prej të dashuruarisht. Të bëni të mendosh që ia vlen martesa në të gjitha rastet. Faleminderit!

Eni Jani: Faleminderit ty e dashur!

Mira Kazhani: Ishte një videopodcast për martesën. Secili e di vetë të vërtetën dhe jetën e tij. Dikush do të hyjë e dikush do të dalë. E rëndësishme është që jeta të kalohet me dashuri dhe me ato pushimet e vogla që propozon Genc Fuga. Faleminderit!

Ky podcast u mbështet nga Abi Bank

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore