Videopodcast

Iu luta Zotit 5 vite rresht dhe ai m`u përgjigj në një ditë të ftohtë nëntori

Iu luta Zotit 5 vite rresht dhe ai m`u përgjigj në një ditë

Nga Mira Kazhani/ Orinda është njeriu më i lumtur që kam takuar këto kohë. Por mos e keqkuptoni, nuk ka qenë për të fushë me lule t`ia arrijë kësaj dite. Një fushë me gjëmbaçë, nga ku çeli një trëndafil që mban emrin Atara.

Video podcast-i me të më bëri të mendoj se njerëzit me besim në Zot, kanë një avantazh drejt lumturisë. Sikundër, po aq njerëzit që rrëzohen, kaliten të vlerësojnë shanset e arta të jetës që ndonjëherë ne njerëzit i marrim të mirëqena - si fëmija pas një martese, - që në shumicën e rasteve duket thjesht një çështje radhe. Kështu mendoi edhe Orinda, kur fill pas kurorëzimit në martesë me dashurinë e jetës Turjanin, mori vesh se një bebe po rritej në barkun e saj. Për fat të keq, për arsye që i di Ai lart, zemra e tij pushoi në muajin e tretë dhe më pas nisi një udhëtim 5 vjeçar, sa i dhimbshëm, aq i fortë emocionalisht. Nëse një grua ka kaluar, ose po kalon një fazë të tillë, Orinda është zëri më i mirë për ditën e sotme. Shikim të këndshëm!

Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Kjo kukulla këtu është arsyeja e këtij video podcast-i. Quhet Atara Hyskaj dhe mami i saj para se ta sillte në jetë, gjatë atyre 9 muajve falënderonte shpesh Zotin, me postime të ndryshme, citate nga Bibla dhe herë pas here e kam vënë re që e bën edhe tani. Si thua Atara, do ta prezantojmë bashkë mamin sot? Ndoshta e nis edhe ti njëçik karrierën si gazetare? S`i dihet asnjëherë!

Orinda, ke bërë një gocë siç të ka hije!

Orinda Huta: Faleminderit shumë!

Mira Kazhani: Me ato sytë e kaltër. Është Hyskaj dhe Orinda, është shumë e përzierë.

Orinda Huta: Po, është shumë e përzierë.

Mira Kazhani: Nuk është se s`ka marrë nga…

Orinda Huta: Po, po ka marrë shumë nga babai. E pranojmë. Se unë lotoj sa herë që flitet për Atarën. Edhe para ardhjes së saj. Duhet ta dish, e bëj shpesh, sepse kujtoj momentet e të gjitha, edhe lotoj shumë shpesh.

Mira Kazhani: Fëmijë i bekuar më duket!

Orinda Huta: Besoj që çdo fëmijë është i bekuar. Po për mua ishte shumë e pritur.

Mira Kazhani: Po për atë të kam thirrur në fakt. Kam shumë muaj që e kam menduar se ti do të jesh pjesë e podcastit. Edhe pikërisht për këtë raportin tënd me Atarën, me Zotin. Aq shumë sa u lute ti për Atarën… Kaluan ca vite.

Orinda Huta: Po të vështira shumë!

Mira Kazhani: Ne do i flasim pak ato…

Orinda Huta: Patjetër!

Mira Kazhani: Po e themi paraprakisht, që ti vendose ta thuash publikisht, edhe e vlerësoj shumë që do ta bëjmë me Atarën në sfond edhe me gjyshen e Atarës, që do na ndihmojë me Atarën. Kalon shumë kohë vajza me ty? (largohet vajza)

Orinda Huta: Po, shumë kohë, sepse unë kam zgjedhur që Atara të kalojë shumë kohë me mua. Ndoshta se e kam pritur shumë Atarën, kështu që isha e bindur që do kaloja shumë kohë. Madje pata edhe një dyzim nëse do kthehesha në punë apo jo, sepse më mundonte shumë ideja që nuk do isha. Më mundonte ajo… Prandaj pas lindjes së Atarës kam pasur edhe një diskutim me Turjanin ç`është e vërteta, sepse unë po mendoja që të mos kthehesha në punë. Ndërkohë Turjani donte që unë të kthehesha në punë, sepse më tha: - “Jeta jote nuk do të jetë vetëm Atara. Jeta jote do të jetë puna, do të jetë ajo që ti ke realizuar gjithë këto vite, kështu që është shumë e rëndësishme që ti të kthehesh në punë dhe të vazhdosh jetën, sigurisht me Atarën. Edhe pse jam i bindur që do e shijosh Atarën muajt e parë, vitin e parë, por do të të mungojë puna shumë. Kështu që do të jetë një tjetër mungesë.”

Mira Kazhani: Më pëlqen Turi. Të ka dhënë këshillën e duhur. Prandaj ka funksionuar. (qesh). Po edhe në aspektin menaxherial, prandaj ka funksionuar Turjani.

Orinda Huta: Në fakt ai ka insistuar shumë. Unë e kam pasur shumë të vështirë muajt e parë. Ndoshta këto do të ishin të vetmet momente që mund t`i quaj “Baby Blues”. Në momentin që isha akoma në muajin e parë me Atarën, mendoja “Unë do kthehem në punë?!” Ndërkohë që unë s`po shijoja momentin dhe ky ishte problemi më i madh. Po më mundonte gjithmonë ideja që do kthehem në punë. Si do ia bëj me Atarën? Si do ia bëj me gjirin? Ishin shumë gjëra. Unë doja t`i shërbeja deri në fund.

Mira Kazhani: E ke gjetur ekuilibrin tani?

Orinda Huta: Po, po e kam gjetur tashmë. Unë që në fillim, edhe me pompën e gjirit, se ishin të gjithë elementët që i duhen një nëne të re se s`bën, që unë i sugjeroja gjithmonë edhe në faqen time se janë të domosdoshme, të paktën për një nënë që punon. Unë pata fatin që të kem një punë jo 8-orarëshe. Që të kisha mundësi t`i menaxhoja vetë oraret. Edhe pse herë pas here jam e kondicionuar të dal shpeshherë në punë. Të dal edhe tre, katër herë gjatë ditës, por ama kthehem në ato orë që kam mundësi të kthehem. Nuk e çoj kohën dëm në asnjë moment. Asnjë minutë. Unë kthehem menjëherë në shtëpi, aq sa mundem, gjysmë ore, gjysmë ore. Atë gjysmë ore dua ta kaloj se s`bën me Atarën.

Mira Kazhani: Kështu ndodh me gjërat për të cilat lutemi shumë. Ta nis pak me Zotin. Ti beson në Zot, jo vetëm për shkak të mrekullisë, ardhjes së Atarës. Po ti ke qenë gjithmonë besimtare, edhe më herët, apo jo?

Orinda Huta: E vërtetë. Unë jam përfshirë në besim që kur kam qenë në klasë të dytë. Ishte vëllai im që më përfshiu në kishë. Ne jemi familje myslimanësh ç`është e vërteta. Kemi prindër myslimanë. Vëllai kur ishte 18 vjeç u përfshi në kishën “Rilindja”, në kishën Ungjillore. Asokohe unë isha në klasën e dytë edhe mendoj që ishte forma më e mirë, le të themi jo vetëm besimi, por përfshirja me njerëzit në besim, për të më rritur në një ambient që do të më bënte mirë për të ardhmen. Dhe besimi është vërtet i mirë për secilin prej nesh. Zakonisht njerëzit që besojnë… Unë sigurisht ungjillizoj pjesën e krishtërimit, ungjillizoj pjesën që njerëzit duhet të besojnë në Jezus Krisht dhe në Zot, por gjithsesi mendoj që çdo njeri që beson tek diçka, e ka më mirë rrugën përpara. Kështu që vëllai ma bëri këtë gjë dhe jam e bekuar që e bëri që në klasën e dytë. Në fakt kur ka qenë puna për pagëzim - se po tregoj një histori të shkurtër - kemi qenë të gjithë si grup të rinjsh në plazh, sepse zakonisht pagëzimet ndodhnin nëpër plazhe, jo nëpër vendet siç janë kishat katolike apo orthodokse…

Mira Kazhani: Shtëpia e Zotit është besimi, është shpirti i njerëzve, kështu që…

Orinda Huta: Po Zoti është kudo. Dhe i them vëllait: “Dua të pagëzohem edhe unë sot”. Ai nuk ishte dakord. “Jo” – tha, - “Nuk jam dakord. Sigurisht që ti mund të pagëzohesh, por ti nuk e kupton atë që po pranon, tha. Kështu që besoj se akoma ti nuk e kupton. Unë dua që ti të pagëzohesh atëherë kur ta kuptosh vërtet atë që po bën”. Unë qava, sepse isha shumë e vogël. “Ok, mund ta bësh” – tha -, “pa diskutim”. Dhe ai ka qenë pagëzimi i parë. Po në gjithë këto vite, shpeshherë deri 14 vjeç, kur unë vërtet isha e bindur për besimin tim, më ka ndodhur ta pranoj edhe dy herë të tjera Jezusin, në zemrën time, sepse shpeshherë mendoja se isha larg. Se nuk e kisha kuptuar. Më ka ndodhur dhe vetë kjo gjë. U them edhe njerëzve që duhet ta hapim zemrën karshi Jezusit apo karshi Zotit. Më ka ndodhur në shumë momente. Kur jemi të vegjël ka pak momente për ta kuptuar, po ama kur bindemi vërtet, ai është momenti që duhet ta hapim zemrën dhe ta pranojmë. Kështu që unë jam shumë e lumtur që kam besuar dhe kam ecur në besim. Ka një gjë. Tundime, momente të vështira, momente që kam dyshuar, sigurisht që kam pasur shumë. Momente mëkatare, padiskutim që kam pasur shumë. Askush nuk është pa mëkat. Po besoj që Zoti më ka ndihmuar që të frenohem në shumë gjëra. Besimi më ka ndihmuar që t`i mendoj ndoshta më shumë gjërat.

Mira Kazhani: Po edhe t`ia falësh vetes ndoshta.

Orinda Huta: Po padiskutim edhe t`ia fal vetes.

Mira Kazhani: Se njeriu ka nevojë edhe ta falë veten.

Orinda Huta: Padiskutim edhe këtë.

Mira Kazhani: Kryevepra e besimit tënd tek Jezusi, tek kisha jote, tek besimi yt, është Atara. Tani hyjmë pak në temë dhe e themi historinë. Unë e di pak a shumë, se ne kemi folur dhe për këtë histori jemi sot.

Orinda Huta: Eh, Atara. Në fakt unë do e nisja që prej martesës tonë, ose ndoshta përpara. Ne vendosëm që ta lidhnim jetën me njëri-tjetrin. Kishim dy vjet që kishim vendosur që do përfundonim me njëri-tjetrin. Por gjithmonë, duke pasur një 10-vjeçar të mirë bashkë, ia pata thënë gjithmonë që unë i dua gjërat me radhë. I dua gjërat që të ketë një propozim, të ketë një martesë, sigurisht ne kishim bashkëjetesë përpara, sepse doja që të bindeshim për atë që po bënim me njëri-tjetrin, sepse besoj shumë tek bashkëjetesa. Të ketë një fejesë, një propozim dhe pastaj një martesë dhe pastaj vjen bebi edhe gjithçka është shumë bukur. Tha, ok, ndërkohë që Turi nuk ka qejf kështu me radhë. I donte gjërat pak më përpara. Për shembull bebin mund ta kishte nisur pak më përpara Turjani, por jo. Unë nuk doja. Kështu që pritëm atë 2-vjeçarin për martesë, ndodhi martesa edhe thamë ok, tani jemi gati për të ndërtuar familje. Nuk kishim tentuar asnjëherë, kështu që ishte momenti. Ndodhi. Ndodhi që unë mbeta shtatzënë shumë shpejt, menjëherë pas martese… (qan). Kam menduar që nuk do kisha momente të tilla për këtë... Ia kam thënë edhe shoqeve që e kanë humbur bebin e parë, që ajo gjurma nuk ikën kurrë. Asnjëherë!

Mira Kazhani: Ndoshta nuk jam njeriu i duhur për ta bërë këtë ngushëllim, por jam grua edhe mendoj që jeta është e tillë, që sjell dhurata të tilla, që e bën atë të jetë aty, të jetë një kujtim edhe ta vlerësosh atë që ka ardhur. Siç ndodhi me Atarën.

Orinda Huta: Pritja e ëmbël, ato tre muaj, se në krye të 3 muajve unë e humba… Isha shumë e lumtur sigurisht. Ka qenë periudhë Pashkësh në fakt kur unë e kam marrë vesh që isha shtatzënë, edhe atë e prita si bekim të madh nga Zoti. Mbaj mend që kam pas kënduar edhe këngën “Somewhere over the rainbow”. Gjatë gjithë kohës isha me këtë refren. Qëndroi 3 muaj me mua dhe pastaj nuk ishte më. Zemra e tij pushoi. Kështu që aty pësova një thyerje të madhe dhe në momentin e parë kur doktoresha ime më tha: “Orinda, unë nuk po i dëgjoj zemrën”, - i thashë: “Urdhëro”, - më tha: “Nuk po i dëgjoj zemrën”. Ndërkohë që unë vizitat i kisha shumë të shpeshta, sepse ishte e para dhe kisha shumë merak. Dy ditë më parë kisha qenë tek ajo, sepse kisha një merak, dhe ishte çdo gjë ok. Dhe pas dy ditësh, i thashë: “Nuk kam më të përziera sot. Nuk e di si ndihem”. Më tha: “Hajde direkt, mos e vrit mendjen”. Shkoj edhe thotë: “S`po i dëgjoj rrahjet e zemrës”. Ndërkohë tha është i formuar fiks sikur të ishte dje. Që dje ka qenë, sot nuk është. Pra ishte fiks me moshën. “Si nuk e ndjen?”, i thashë. “Nuk e ndjej. Nuk është më Orinda”, më tha. Ok, i thashë çfarë duhet të bëjmë? Në atë moment isha shumë e ftohtë. “Duhet të procedojmë”, tha. Ok, kur? Nesër i thashë. “Ok, nesër. Kur të duash ti”, tha. Mbaj mend që i kam çuar mesazh Turjanit, që e humbëm. Sigurisht që ishte alarmuese, por e mbajti veten. Kur jam kthyer në shtëpi jam mbyllur në vetvete. U mbylla në dhomë. Nuk qava. Akoma nuk po e kuptoja ndoshta. Nuk u futa në atë… Të nesërmen kur kam shkuar për të bërë ndërhyrjen, kam qenë atëherë me Merita Alushanin që më ka ndihmuar, edhe i kisha të gjitha koleget e saj aty që më thoshin: “Mos u shqetëso. është vetëm hera e parë. E di sa herë ndodh një gjë e tillë? Shumicës së grave u ndodh që të kenë humbje. Jo vetëm një, dy. E rëndësishme është që ti do kesh një bebe. Prova u dha. Ti mbete shtatzënë”. Në atë moment unë isha vetëm në lot. Unë shpërtheva përpara operacionit, ndërkohë që nuk duhej të shpërtheja në lot përpara operacionit. Ato vazhdonin të më thoshin do kalojë. “Do vijë mrekullia e parë. Do ta shikosh”. E mora veten. Mbaroi gjithçka. Në fakt, në atë periudhë, kur unë e kisha humbur, dolën lajmet e shtatzënisë, që isha shtatzënë.

Mira Kazhani: Kujtoj diçka, që doli diçka nëpër portale. Ja kjo është ajo fatkeqësia e madhe…

Orinda Huta: Askush nuk të merr të pyet. Kjo ndodh. Dhe ndërkohë unë isha përgatitur shpirtërisht që do ndodhte kjo gjë, që do shkruanin, por jo të paktën pa më pyetur mua, pa më kërkuar të paktën a ka gjë, a s`ka gjë. Unë mund të jepja një përgjigje në atë moment se realisht nuk kishte gjë. Do thoja jo, nuk kam gjë. Kujtoj që dikush më ka marrë. I kam thënë që jo, nuk ka asnjë gjë. Unë nuk jam shtatzënë dhe e ka shkruar. Më duket se ka qenë Anabel. E shkruajti Anabel dhe vazhdonin pas asaj.

Mira Kazhani: Edhe pas konfirmimit?

Orinda Huta: Vazhdonin me muaj të tërë. Dhe unë nuk e di, sa herë që dilja apo shtoja ndonjë kilogram, unë për të gjithë isha shtatzënë. Nuk e kuptonin. Kjo ndodh rëndom dhe në njëfarë forme i lëndojnë njerëzit. Unë e kërkoja atë shtatzëni. Unë e doja atë shtatzëni. Gjatë gjithë kohës më gërmoje aty ku unë e kisha plagën të hapur… Akoma.

Mira Kazhani: Ky është çmimi i jetës publike. Kjo është pjesa më e errët e jetës publike. Nuk e kuptojnë kurrë njerëzit e thjeshtë, të zakonshëm, ata që shijojnë një koment apo që klikojnë dhe lexojnë tituj të tillë. Është një gjë që koha e ka sjellë. Një Zot e di si do ta shërojmë këtë. Edhe kjo do vaksinë. Duhet gjetur vaksina edhe për këtë. Ja për shembull, tani që ti po tregon këtë histori, unë nuk e kam kuptuar kurrë, se ti je një njeri solar në Instagram, në rrjetet e tua sociale. Nuk ke bërë kurrë komente. Nuk ke replikuar. Gjë që ta vlerësoj. Është shumë mirë. Karvani ecën përpara.

Orinda Huta: Do kalojë…

Mira Kazhani: Kjo gjë besoj ka zgjatur shumë kohë.

Orinda Huta: Shumë kohë…

Mira Kazhani: Ndoshta diku për katër vite.

Orinda Huta: Po, për katër vite ndodhi e njëjta gjë. Në momentin që morëm vesh që po prisnim Atarën, shyqyr për ato muaj kishin heshtur. Unë shkoja pesë muajshe edhe…

Mira Kazhani: Po ti nuk ia tregove askujt. Vetëm ti dhe Turjani?

Orinda Huta: Po është e vërtetë.

Mira Kazhani: Po mami i Turjanit?

Orinda Huta: Po, prindërit e dinin. Po dihej që nëse do dilte, do dilte nga prindërit pastaj. S`kishte më…

Mira Kazhani: Jo vetëm nga prindërit që nuk del Orinda Huta. (qesh)

Orinda Huta: Jo, nuk del asnjëherë. Kështu që e mbajtëm vetëm për vetëm brenda familjes.

Mira Kazhani: E kishe treguar herën e parë?

Orinda Huta: Po e treguam dhe ndoshta kjo është.

Mira Kazhani: I beson këtij supersticionit që populli nuk i thotë kot disa gjëra?

Orinda Huta: Më parë nuk i besoja, por aty ndoshta brenda meje thashë: Mbase duhet t`i besoj këtyre gjërave.

Mira Kazhani: Duhet respekt për disa gjëra…

Orinda Huta: Po, është e imja dhe duhet të jetë e imja të paktën në ato muajt e parë, deri në momentin që e ndjej që lëviz. Siç thonë zakonisht që në momentin që e ndjen atëherë është ok… E mbajtëm të fshehtë dhe lavdi Zotit në atë kohë nuk u prononcua askush në isha shtatzënë apo jo, megjithëse me peshën kam qenë njësoj.

Mira Kazhani: E vërteta nuk i rri online-it. Nuk rri në Google e vërteta. Jo, jo, jo. As në Facebook. Është bezdi ajo.

Orinda Huta: Por lajmi për ardhjen e Atarës ka qenë një mrekulli. Ne e kemi marrë vesh në nëntor. Në fillim të nëntorit. Madje unë kam edhe një fotografi. Kam qenë atë natë me Xhemin në shtëpi. Edhe të dyja kemi qenë së bashku. Ka qenë e premte kur e kemi marrë vesh. Pastaj të nesërmen unë dola me Covid-in e famshëm. Ajo ka qenë një tjetër goditje, po ama stafi i Gliozhenit, djali i tij, se kam qenë gjithë kohës me djalin e Orionit në komunikim asokohe, më tha: “Mos u shqetëso! Shumica e mamave këtë kohë kanë dalë pozitive. Kështu që nuk i bën asgjë bebit.” Me shumë përpjekje e kalova këtë, ok, nuk do t`i bëjë gjë. Nuk do t`i bëjë gjë. E kalova atë dy javëshin e Covidit në shtëpi. Unë e kam shijuar shtatzënë pafund. Kam shijuar lëvizjen e Atarës.

Mira Kazhani: Edhe Turjani e ka shijuar si një mami dhe si një babi. E di ç`më ka pëlqyer mua? Që kur linde në maternitet, ju fjetët të tre bashkë. Nuk e shoh shumë. Edhe pse nuk e kemi parë më përpara. Se tani po shoh shumë ndryshim tek çiftet e rinj. Po shoh shumë djem të rinj tek liqeni që shtyjnë karrocën dhe mami nuk është aty. Familja ka marrë një nocion shumë të bukur. Ajo ka qenë fotoja juaj më e dashur, që i thoshte të gjitha. Nuk e di ç`mendon ti?

Orinda Huta: Momentin përpara lindjes ne e kishim vendosur të dy që unë do lindja me operacion, me çezarian. Në fakt ka qenë vendimi i Turjanit, jo i imi. Kur Dr. Orioni më tha: “Do lindësh me operacion? Pse? Ti gjithë kjo gocë.”

Mira Kazhani: Këtë thonë të gjithë mjekët.

Orinda Huta: “E bën vetë, çfarë problemi ke ti?” Në fakt, i thashë, unë e bëj, nuk e kam problemin ta çoj deri në fund, por nuk do të rrezikojë Turjani për asnjë lloj arsye.

Mira Kazhani: Turjani sikur do shkonte vetë tek salla e lindjes.

Orinda Huta: Turjani ka pasur në fakt një eksperiencë jo fort të mirë në maternitet. Ka ardhur për të vizituar nusen e vëllait tim, në momentin që lindi dhe dëgjoi shumë gra që ulërinin nga dhimbjet. Dhe më tha: “Kjo gjë nuk ndodh me ty”. U ul në karrige, sepse i ra vilani. Turjanit, jo mua. I thashë: Turjan, mund të ndodhë. Nuk ndodh me ty, më tha. Operaciom, tha. E kanë shpikur doktorët. Ka evoluar gjithçka, kështu që s`ka arsye pse ta kalojmë këtë gjë. Kështu që ato minutat përpara ndërhyrjes dhe ardhjes në jetë të Atarës, unë kam bërë dhe një video të Turjanit. Ai është gjithë kohës duke u dridhur. Nuk e kthen kokën as nga unë, vetëm rri kështu. Ka qenë shumë në siklet. Ka ndodhur për një kohë të shkurtër ndërhyrja. Atarën ia sollën Turjanit në dhomë, kështu që ka qenë një moment shumë i bukur. Ai mendonte se nuk do ta mbante Atarën në krahë, sepse kishtë shumë frikë, kishte siklet.

Mira Kazhani: Kjo është shumë e dukshme, nga gjithë gjërat që ke treguar, kam përshtypjen që nuk i kemi punët mirë me Turjanin.

Orinda Huta: Jo është ok tani. Ia ka marrë dorën. Në momentin që mamia që ishte prezent tha: “Lindi goca, erdhi goca.” Ku? Ja, tha. Dhe ia hodhi. “Mos ma hidh”, tha. Dhe ka qenë kështu… Në momentin që e ka marrë në dorë tha, aty ishte lumturia më e madhe. Fitova edhe besimin që mund ta bëj këtë, mund ta mbaj gocën.

Mira Kazhani: Gaboj apo Atara është afër ditëlindjes, se diku në verë ke lindur?

Orinda Huta: Po. në 15 korrik.

Mira Kazhani: Çfarë do t`i bëni për ditëlindje? Diçka që të jetë krenare kur të rritet ajo kur të shohë fotot?

Orinda Huta: Unë që kur lindi Atara, i kam bërë vetëm një tortë për 1 mujor. Nuk kam bërë këto tortat muaj për muaj që shoh shpesh tek nënat. I bëra vetëm për shenjë, meqë kisha edhe motrën aty dhe do më ikte në Irlandë pas një jave. Thashë ok, po i bëj për shenjë një tortë në shtëpi. Kështu do ia bëj edhe 1-vjetorin. Me një tortë në shtëpi. Do t`i bëj një tortë të bukur, do t`i vë ca tullumbace dhe do festojmë të gjithë të lumtur në shtëpi.

Mira Kazhani: Nuk do bësh një festë nga këto të mëdhatë?

Orinda Huta: Jo, nuk do bëj, sepse unë mendoj që Atara nuk e kupton tani. Jam ok me prindërit dhe familjet që e festojnë dhe e bëjnë të madhe. Nuk kam gjë kundra, por unë nuk e shoh të arsyeshme. Të paktën 1-vjetorin, 2-vjetorin, këto momentet që nuk kupton gjë, pa u përfshirë dhe socializuar me fëmijët e tjerë, që të ketë mundësi të ftojë ata që ka qejf dhe të shijojë, them që nuk ia vlen. Mendoj që do jetë në shtëpinë tonë.

Mira Kazhani: Më pëlqen shumë ky origjinalitet. Shpresoj ta dëgjojnë sa më shumë mamatë e reja dhe në pritje. Unë nuk jam shumë ok me dasmat e fëmijëve. Fëmijët janë aq të vegjël. Kanë nevojë vetëm për fëmijëri.

Të të bëj një pyetje edhe për punën tani, se ka të drejtë Turjani. Të gjitha janë pjesë e jetës, nuk mund të heqim dorë nga vetja plotësisht. Çfarë planesh ke ti për të ardhmen tënde në televizion, si figurë publike? Ke provuar këngën, qëndrove tek moderimi. E çuditshme. Edhe ti, edhe Turjani këngën e latë pas... Ndoshta mirë keni bërë se iu ka ecur shumë kështu.

Orinda Huta: E di pse Turjani e la? Se nuk ka qenë parësore për të. Kurse për mua ka qenë muzika parësore, për një kohë shumë të gjatë. Turjani ishte në grup. Le të themi janë tre çuna që plotësojnë njëri-tjetrin dhe nëqoftëse nuk funksionon njëri, nuk funksionojnë të tre. Grupet kështu janë.

Mira Kazhani: Grupet janë shpërndarë në një moment. Dhe duhet të jesh shumë star që të vazhdosh përpara.

Orinda Huta: E vërtetë. Edhe Turjani e ka tentuar herë pas here të bëjë krijimet e veta, me muzikë e të gjitha, dhe prapë i ka lënë këngët e tij në sirtar, sepse mendon që nuk e ka diçka parësore. Ndërkohë tek unë ka ndodhur që televizioni të merr shumë kohë, nëse do që ta bësh si duhet. Edhe nuk i bën dot të gjitha në këtë jetë. Unë të paktën nuk jam nga ato që mund t`i bëj. Turjani ndoshta edhe mund t`i bëjë. Se e shikoj që i mban disa kunguj nën sqetull. Unë nuk i bëj dot të gjitha.

Mira Kazhani: Çfarë shenje je ti në horoskop?

Orinda Huta: Unë jam Ujor. Mendoj që gjërat duhen bërë mirë. Unë kam nisur disa projekte muzikore, të cilat nuk kanë dalë on air, as me klipe, sepse duke qenë se bëja këngën atëherë kur më pëlqente muzika, e zgjidhja tekstin, realizohej kënga dhe në momentin që duhej bërë klipi fillonim mendoheshim, sepse nuk duhej bërë një klip shabllon. Kështu që ne duke qenë se po dilnim rrallë, unë nuk po dilja shpesh në muzikë, duhet ta mendonim mirë videon që unë do të sillja. Ky procesi i mendimit ishte aq i gjatë sa që edhe puna në televizion merrte kohën e vet të mjaftueshme, sa që secila krijonte një barrë kaq të madhe, sa mua nuk më pëlqente më kënga.

Mira Kazhani: Punë e madhe fort.

Orinda Huta: Këngët tani janë në sirtar…

Mira Kazhani: Ka një kohë. Mund të vijë një moment tjetër. Nuk i dihet.

Orinda Huta: Unë do doja shumë që t`i përkushtohesha për ca kohë muzikës, vetëm muzikës.

Mira Kazhani: Po mund ta bësh.

Orinda Huta: Ndërsa për televizionin, “Jo vetëm modë” ka qenë një rrugëtim shumë i mirë këto katër vite. E kam shijuar shumë bashkë me stafin. Ne jemi staf shumë i vogël. Kemi qëndruar po të njëjtët që prej fillimit.

Mira Kazhani: Tani që Orinda nuk është më vetëm dhe ka një Atara gjërat ndoshta ke nevojë t`i shohësh me risi.

Orinda Huta: Po edhe si projekt e kam menduar që ndoshta do duhej të vinte pak më ndryshe. Çdo vit ka nevojë për një rifreskim.

Mira Kazhani: Ke një ngjasim tani që të shoh me Gwyneth Paltrow. Është ajo e Goop-it të famshëm.

Orinda Huta: Është shumë e guximshme. Unë nuk jam kaq e guximshme. Ti e di Mira. (qesh)

Mira Kazhani: Po mos i bëj të gjitha ato të Gwyneth. Se nuk jemi në LA. Nuk ka problem. Ti bëj në kuadratin e Tiranës .(qesh) Çdo gjë duhet përshtatur me ambientin ku jeton. Nuk thotë kot populli shqiptar, shtriji këmbët sa ke jorganin. Kështu që unë nuk jam dakord të bëjmë si heronjtë. T`i bëjmë gjërat, po brenda shoqërisë tonë.

Orinda Huta: Aq sa na lejohet… Ide shumë e mirë. Do e studioj.

Mira Kazhani: Ku do pushoni këtë verë? Keni një vend në Shqipëri që e do shumë ti, Turjani dhe për rrjedhojë edhe Atara?

Orinda Huta: Jo specifikisht. Aktualisht jemi të lidhur me Lukovën, e duam shumë. E bëjmë shpesh atë rrugë, ndërsa nuk do t`i shpëtojmë, si një familje e re, Turqisë. (qesh). Nuk do t`i shpëtojmë.

Mira Kazhani: Komoditet i madh është atje, pavarësisht.

Orinda Huta: Madje jemi për pak ditë. Do shkojmë të bëjmë një 5-ditësh me Turjanin dhe Atarën. Nuk jemi vetëm ne të tre. Jemi edhe me disa miqtë tanë. Jemi bërë bashkë me njëri-tjetrin, që t`i shijojë edhe secili me fëmijët e vet. Besoj që për një 5-ditësh në Turqi, do e bëjmë edhe ne një rrugëtim në Turqi këtë vit.

Mira Kazhani: Iu takon familjeve!

Orinda Huta: Pastaj do presim motrën time e cila vjen me tre fëmijët e saj dhe do jetë shijim për Atarën më shumë, sepse mendoj do jetë e domosdoshme pjesa e fëmijëve. Isha në Irlandë një javë dhe kur erdhëm Turjani pa një Atarë me super ndryshim. “Sa ka ndryshuar” - më tha – “është rritur shumë”.

Mira Kazhani: Ndoshta ngaqë qëndroi me fëmijët e tjerë. Ndoshta do që t`i bësh ndonjë vëlla ose motër?

Orinda Huta: Po me shumë qejf.

Mira Kazhani: U bëra dhe unë si ato portalet.

Orinda Huta: Me shumë qejf, nëse Zoti na bekon sërish me këtë mrekulli. Lutem çdo ditë dhe e falënderoj çdo ditë kur i ledhatoj kokën Atarës në darkë, them “Faleminderit për këtë mrekulli!” Faleminderit që ma bëre këtë dhuratë të madhe, sepse realisht Zoti më ka bërë një dhuratë, në një moment që ndoshta nuk po e prisja më. Edhe pse brenda meje, ose edhe kur flisja me njerëzit, për t`i inkurajuar, u thosha që do vijë. Do e sjelli gjithsesi. Në fakt kam qenë gjatë gjithë 4-vjeçarit e bindur që Zoti do e sillte një ditë. Në një formë, ose në një tjetër do e sillte. Edhe Turit ia thoja. E bindnim njëri-tjetrin. Pavarësisht se në ato momente, para se të merrja vesh për ardhjen e Atarës, sikur kisha filluar të lodhesha pak. Kjo ndodh besoj me shumë nëna që e vuajnë ardhjen në jetë të një bebeje. Unë e inkurajoj secilën prej grave që mos të dorëzohen. Ta marrin me qetësi. Duken shumë klishe këto. Se edhe mua m`i kanë thënë shpesh, që merre me qetësi! Gjithçka do kalojë!

Mira Kazhani: Mos u dorëzo para një testi që thotë Jo.

Orinda Huta: Mos u dorëzo asnjëherë. Zoti ka një plan për ty. Për mua e kishte një plan dhe erdhi Atara. Shpresoj që të ketë më shumë në planin e tij, por megjithatë unë jam shumë e lumtur, edhe vetëm me Atarën! Gjithsesi inkurajoj secilin prej çifteve që të kujdesen për njëri-tjetrin, për shëndetin mendor të njëri-tjetrit, për atë shpirtëror, sepse nëse janë bashkë në këtë mision dhe nuk bëjnë me gisht apo fajtor, njërin apo tjetrin, gjërat do të vijnë dhe do të bëhen edhe më mirë. Prandaj dua që gjithsecili të mbetet me këtë mesazh që nëse nuk jeni për njëri-tjetrin në çift, të inkurajoni dhe mbështesni njëri-tjetrin, për krijimin e familjes dhe jo vetëm, sepse edhe në punë, në profesion, gjithmonë duhet të jeni bashkë. Familja duhet të jetë gjithmonë bashkë për të mbështetur. Nëse nuk është kjo bërthamë, atëherë besoj që nuk funksionon. Sigurisht që ka edhe gra të vetme që duan të bëhen nëna, edhe unë do e kisha zgjedhur nëse nuk do kisha një burrë, patjetër, por kur je çift, atëherë duhet të funksiononi bashkë në gjithçka. Duhet të funksiononi bashkë për familjen. Duhet të funksiononi bashkë edhe për profesionin, ndryshe gjërat fillojnë edhe humbasin rrugës.

Mira Kazhani: Orinda, faleminderit! Unë të kam ndjekur ty që kur ke qenë 20 vjeçe. Kam pasur disa podcast-e inkurajues, ky futet tek tre më inkurajuesit ndonjëherë gjatë këtij viti. Shpresoj ta dëgjojnë nëna të reja, nëna që janë në pritje dhe kanë frikë për atë që s`po ndodh ende, por të dëgjojnë edhe personazhet e tjerë publikë për këtë çiltërsi, se unë e thashë pak në fillim dhe dua ta përsëris, njerëzit publikë e kanë për detyrë të mos postojnë vetëm jetën e tyre dhe udhëtimet e tyre perfekte, por herë pas here të gjejnë kurajën, të ndajnë një histori personale, siç e ndave ti, sepse sinqeriteti pëlqehet në të gjitha kohërat. Është gjithmonë në modë. Faleminderit Orinda!

Orinda Huta: Faleminderit ty!

Ky podcast u mbështet nga Credins Bank


*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit


Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore