Nga Mira Kazhani/ Ajo erdhi si një skenar me zë. Me bindjen ( kështu më qe dukur nga biseda me të në Whatsapp) se unë kisha interes të flisja vetëm për transformimin në pamjen e saj. Në fakt, ende nuk jam letuar. Me Dalinën do të flisja për filozofinë e 2022-shit. Për median, për kohën ku jetojmë, plot paradokse, drama e suksese, dhe bukuri, sigurisht. Ajo nuk e fshehu se ishte e uritur për një bisedë që t’i dilte nga brinjët e kraharorit, dhe ashtu ngjau. Shkoi në fëmijëri tek lagjja e saj. Një roman, madje më mirë një serial. Në një çast nuk po e ndaja nëse lagjen e krijoi ajo, vetë, e bëri më filmike, apo ishte ajo lagje, familja e saj, rruga “Myslym Shyri”, gratë e rralla të shkallës së pallatit të saj, që e kishin bërë Dalinën atë që ishte sot. Në disa raste e vërteta është edhe çështje stili.
Dalina Buzi po jeton tani në të gjitha dimensionet. Më duket si një vajzë e vogël që del në të gjjtha dritaret e shtëpisë për të parë nga rruga, për të vëzhguar dhe thirrur ndonjërin që po ia fut kot. Dhe shumë mirë që del e flet Dalina. Siç thotë ajo, gazetaria e re është ajo që i duhet shoqërisë. “Gazetarët e Bar West-it, janë plakur”, - thotë ajo. Ishin dikur cool, por s`janë më. Diku pickoi edhe Edi Ramën.
Ia kuptoj nervin, të cilin nuk e ka emocional, as patetik, aq më tepër nevojë për klikime idiote që po i bëjnë të gjithë viktima të 15 sekondave. Kjo ishte edhe pjesa që më frymëzoi për titullin e këtij video podcast-i, por brenda mund të gjesh 10 apo 20 të tillë. Dëshirë të dëgjosh e lexosh të kesh! Sepse siç thotë Dalina, tani drama më e madhe e kësaj kohe është se njerëzit nuk duan të dëgjojnë e lexojnë. Sigurisht, jo për ata si puna jote që tani po lexon këto rreshta:)
Intervista e transkriptuar
Mira Kazhani: Në këtë podcast kam ftuar një kolege për shumë arsye. Së pari, sepse kam respekt për talentin dhe arritjet e saj, sepse është inovatore dhe duhet pranuar se ishte ajo që na mësoi si të shpëtojmë nga pronarët dhe të bëhemi boss-ët, kapitenët e jetës sonë, me gazetari online. Tani kam vënë re që po merret me veten e saj. Ka transformuar totalisht look, por edhe personalitetin e saj mediatik. Nga një fenomen që për shumë vite qëndroi larg dritave, tani Dalina Buzi është kudo. Është në televizion, Instagram, Tik Tok, Ted Talk, frigorifer po deshët ju, po në dietë ama, tek ky i fundit.
Dalina Buzi: Tamam. (qesh). Madje kishte shkruar njëri që po na del gjithandej, u çmendëm. Edhe i thashë që është me PPP. Kam marrë partneritet privat-shtet.
Mira Kazhani: Çfarë ndodhi që vendose papritur të dalësh? A ishte një motiv fakti që u ndjeve më e hollë?
Dalina Buzi: Në fakt nuk është as manifestim…. Ka qenë shumë e çuditshme. Ka qenë një vendim shumë i qartë. Mbarova Snob-in së shkruari. Fillova xhirimet. Në maj, ka qenë një mikesha ime – që u bë më vonë, se në momentet e para ishte fanse - që po më thoshte: “Dalina, unë të dua shumë. Të adhuroj”, domethënë ishte shumë fanse e imja dhe pasi bëri gjithë këto komplimente tha: “Pse e ke lënë veten pas dore? Turp i madh.” Mënyra sesi ma tha kaq direkt, unë thashë: “Po që e ke tamam. Si e kam lënë veten. Unë kam Snob-in, do ta promovoj. Do bëhet premiera e Snob-it një ditë, do jenë të gjithë të rinj dhe unë aty si teze në mes. Pastaj mosha kalon. Nuk dua të jem ajo gjëja. Unë do bëhem tamam për ekran”.
Mira Kazhani: Komplimente! Do dhe vullnet të bësh këtë që ke bërë.
Dalina Buzi: Po unë e kam vazhdimisht.
Mira Kazhani: Do vullnet të duash veten Dalina. E ke vënë re, pse e kemi më të thjeshtë të duam të tjerët? Burrat? Dhe veten tonë në fund fare…
Dalina Buzi: Unë mendoj që ka tre vete njeriu. Ka atë publike, ka atë familjare, ka dhe intimen. Atë që nuk e di njeri. Madje lexova një gjë shumë të bukur para ca ditësh që thoshte se është shumë e çuditshme kur ne themi se jemi vetvetja. Ne nuk jemi vetvetja. Ne sapo dalim nga shtëpia jonë, nga intimiteti ynë, në momentin që shfaqemi në shoqëri, ne prezantojmë gjëra që i kemi marrë, i kemi përvetësuar për t`i pasqyruar në shoqëri dhe për t`u pranuar nga shoqëria. Kështu që vetvetja nuk jemi asnjëherë. Padyshim që në errësirën tonë është shumë e vështirë të futesh tek ato kanalet e brendshme, tek dëshirat e tua, tek dhimbja jote, sepse duhet të hapësh plagë, duhet të hapësh ca porta që ti nuk do t`i hapësh. Është shumë e vështirë për t`u marrë me veten tënde. Puna e vetes është si puna e familjes. E ke parasysh kur ke ndonjë të afërm edhe të thotë: Po si s`na promovove diçka? Si s`na e nxore njëherë emrin?
Mira Kazhani: Zëri i Dalinës të tha, “Si s`na promovove pak mi Dalina, Dalinën?”
Dalina Buzi: Duke qenë se prej vitesh kam një rol drejtuesi, në sytë e njerëzve kam një lloj sigurie. Siç më thonë shoqet, ose njerëz që nuk më njohin, një siguri prej luani. Në fakt unë kam një pasiguri shumë të madhe. Vetëm këto vitet e fundit më ka ndodhur një ndryshim i jashtëzakonshëm. Sidomos përballja ime me njerëzit, mungesa e interesit ndaj gjithçkaje që thonë njerëzit… Nuk është se nuk e kam pasur, por e kam fshehur shumë mirë pasigurinë time. Jam shumë e zonja për ta fshehur.
Mira Kazhani: Tani u bëre e sigurt apo po lufton pasigurinë tënde?
Dalina Buzi: Tani më ka ndodhur diçka që nuk e vras fare.
Mira Kazhani: Dalina, unë mendoj që ti në “backstage” ishe një fenomen. Ishe si puna e ajrit. Njerëzit vërtet nuk të shihnin siç të shohin sot – se dhe atëherë ke pasur dalje në ekran dhe në intervista – po ishe fenomen. Kishe batutë, ishe e zgjuar, bëre diçka të re që të tjerët nuk e kishin parë. Ishe e plotësuar. Ti krijove familje gjatë kësaj kohe. Ishe Dalina e suksesshme. Bëre filma të suksesshëm. Bëre një website të suksesshëm. Në dukje i kishe të gjitha. A po bëhet bukuria normë për ditët e sotme, jo vetëm nga eksperienca personale?
Dalina Buzi: E para, unë jam në prapaskenë. Momentalisht kam dy skenare në dorë. Që të dyja do jenë super të famshme. Akoma nuk e dinë njerëzit çfarë do shohin. I kam të dyja paralelisht. Unë kam realisht një jetë hektike. Momentalisht u diagnostikova me tension të ulët, nga pjesa e të qenit në dietë dhe në formë. Se këto kanë edhe pasojat e veta. Kuptova që nuk po haja shumë kripë. Duhet të ha kripë. Duhet të ha sheqer. Duhet të balancoj ushqimin. Sidomos pas të dyzetave duhet të kesh kujdes me këto gjëra. Se nuk zgjohesh me katër orë gjumë edhe je ok. Kështu që padyshim prapaskena është pjesa ime. E di si ishte pjesa e daljes në skenë? Unë do dilja në skenë për Snob-in. Nuk do dilja për televizor. Fati im i jetës ka qenë që kam punuar për çdo gjë time. Unë kam punuar që njerëzit të shohin atë që unë dua të shoh në atë moment. Asnjëherë, përveç dy-tre vetave, qoftë ti, apo realisht 2-3 vetave, që vërtet kanë spikatur, kanë thënë, “Po”, ka thënë Tani, Timo Flloko në një moment, apo Ardit Gjebrea, më shumë Aldo Lipe që më njihte atëherë, të tjerët “Ore kush është kjo?”, duhet të më shihnin disa herë…
Mira Kazhani: Duhet të gërvishtnin që të të gjenin…
Dalina Buzi: Po, sepse jo për ndonjë mburrje, por isha realisht pak më përpara dhe nuk e kapnin atë gjë. Sa ta kuptonin a ecën kjo gjë apo nuk ecën, unë e kisha kuptuar që ecte. Kështu që edhe këtë pjesën e të qenit në formë, të rregullimit të look-ut, të portretit, të flokëve, e gjitha kjo ka qenë nga njëra anë një dëshirë, por nga ana tjetër e mirëstudiuar.
Mira Kazhani: Nuk mjafton që njeriu të jetë i talentuar, i mençur, i suksesshëm? Duhet patjetër edhe dukja, vëmendja, bukuria?
Dalina Buzi: Jo, jo fare.
Mira Kazhani: Bëhet pa këto?
Dalina Buzi: E di si është puna? Ka një sekret më të madh se të gjitha këto. E para njëherë është autenticiteti. Sa interesant je ti. Po diskutoja me një mikun tim para dy ditësh për ish-kryeministrin Sali Berisha, që në atë çmendurinë dhe ato gjërat që thotë, mund të jenë edhe budalliqe, në fund ti, në moshën 70 vjeç, ia heq kapelën që është ai që është.
Mira Kazhani: Afër 80-ës…
Dalina Buzi: Afër 80-ës është ai që është. Unë e kuptoj edhe kur kam parë personazhe të tjerë që kemi pasur dyshimet tona që orë ç`është ky si i çmend, dhe në fund kur e sheh që 40, 50 vjeç i cili është ashtu siç është, ti ke një lloj respekti. Autenticiteti gjithmonë fiton. Në ekran fiton edhe dhënia. Unë kam një problem me njerëzit që e tregojnë në ekran që duan vetëm të marrin. Marr kaq klikime. Kemi bërë kaq lekë. Kemi bërë kaq sponsora. Ti i tregon njerëzve që do vetëm të marrësh nga ata dhe populli nuk është budalla. Populli e di shumë mirë kush jep, kush mundohet. Ti mundohesh me këtë gjë. Ti s`ke pse të bësh këtë gjë Mira. Realisht nuk ke pse ta bësh fare. Nuk ka shumë klikime. Ta them unë me llogari biznesi.
Mira Kazhani: Podcasti im?
Dalina Buzi: Po. Nuk ka shumë klikime. Ti ke një sponsor. Nuk ke pse ta bësh fare. Nuk ke pse të marrësh ti një fizarmonicist. Nuk ke pse të marrësh ti një gjuhëtar. Ta them unë se kë duhet të marrësh. Duhet të marrësh Bora Zemanin. Duhet të marrësh Donaldin. Ti nuk ke pse ta bësh këtë. Nuk të duhet fare kjo gjë në biznes. Por ti e bën. Ti jep. Dhe ky është respekti. Pak nga pak kjo gjë ty të jep. Njeriu ty të kthen energjinë. Të thotë “Faleminderit”. Kështu në këtë bazë unë e kam bërë edhe Anabelin. Unë kam dashur të jap. Unë jap në inbox gjithë kohës. Ndoshta disa herë më pak, disa herë më shumë. Në Tik Tok jo, sepse aty nuk u jap dot të tërëve.
Mira Kazhani: Unë s`jam aty për shembull…
Dalina Buzi: Por që jap. Bëj një humor. Mundoj të emancipoj me një shaka që e bëj komplet ndryshe. Unë kam dëshirë të jap. Dhe në momentin që jep dhe je autentike, ky është leksioni që kam marrë nga njerëz para meje që kanë qenë autentikë, them, më mirë vazhdoj kështu siç jam. U ngrita tek “Goca dhe Gra”, u ngrita në këmbë. Pata një moment me atë historinë e Librazhdit. Plasi me mediat dhe u ngrita në këmbë. Isha para kamerës. E ndjeva veten… thashë Dalina ulu, varja ngrihu. Lëre. Kur shkoj në shtëpi më thotë burri: Kjo pjesa sikur… I thashë: Lëre s`ka gjë. Lëre, është koha. Nuk ka problem. Unë jam ajo që jam. Le të jem ajo që jam. Në fund të ditës edhe po fola shumë mirë, do më presin gabim atë gjë që s`e kam thënë dhe do ma bëjnë virale. (qesh). Siç ka ndodhur. Gjithçka do jetë rrëmujë. Edhe po iu rerefuan ndonjë gjëje idiote që kam thënë më përpara, do them unë është prerë e gabuara.
Mira Kazhani: Ti ke studiuar jashtë. Unë e them këtë vazhdimisht, që Dalina pati talentin për të bërë disa gjëra të reja, por pati edhe fatin që ishte në Amerikë. Kështu e shoh, që Amerika për kë do që të hapë mendjen, të jep një lloj 10-vjeçari përpara. Je si 10 vite, 20 vite para. Çfarë raporti ke me Shqipërinë? Bën pjesë tek njerëzit që thua, do iki në një moment, ose nuk iki kurrë nga këtu.
Dalina Buzi: Kjo që thua ti ka qenë ajo që kam menduar unë për shumë vite, deri së fundmi. Padyshim që Amerika më ka dhënë shumë. Po për shembull, tek “11 janari”, tek “Edith Durhami”, për herë të parë një zysh ka zbuluar talentin tim në skenar. Kam bërë skenarin e gjithë shkollës. Mendo që atëherë ishte komunizëm dhe shkolla “11 janari” ishte nga më të privilegjuarat. Më kujtoi dhe mami që ti ke bërë skenarin e Vitit të Ri të gjithë shkollës, në klasën e shtatë. Kështu që gjërat i kanë spikatur që këtu në Shqipëri. Janë të njëjtën njerëz kudo. Vetëm se aty të jepet më shumë mundësia që të kesh më shumë degë, më shumë akses, të blesh kamera 8 mm, siç kam pasur unë kur doja të bëja filmin. Babai im ishte shumë i apasionuar pas teatrit. Shihja teatër gjatë gjithë kohës. Teatrin më të mirë e kam parë këtu. Për filmat jo shumë, por shokët e babit si Robert Ndrenika kur vinte apo Anastas Kristofori…
Mira Kazhani: Robert Ndrenika ka qenë shok i afërt i babait tënd?
Dalina Buzi: Shumë i afërt. Babai im ka qenë në gjimnaz me Saimir Kumbaron. Kanë qenë shumë shokë. Babi ishte i matematikës. I bënte detyrat Saimirit që të dëgjonte për filmat. Se babi nuk kishte mundësi financiare, për t`u bërë aktor. Jetonte në një varfëri shumë të madhe. Kështu që unë jam rritur në shtëpi me “Hamletin”. Babi e ka recituar gjatë gjithë jetës time “Hamletin”. Sa herë që unë zihesha me mamin, i thoshte: “Ç`më deshe nënë? Ti thua ç`mu deshe Hamlet? Ke lënduar fort tët atë.” Kjo ishte poezia që recitonte. Ose poezia “Zgalemi” e Gorkit. Ose “Çohuni shqiptarë”. Babi ka qenë shumë i apasionuar sidomos pas Shekspirit dhe në varrin e vet ka një citat të Shekspirit. Kështu që mua këtë Amerika nuk ma ka dhënë. Ngjyrat që unë kam marrë këtu nga dy fise krejt të ndryshme, nga mami që kishte qenë në Gjermani e vogël, në ambasada, nga babi që ishte 7 kalamaj, të varfër, kishin ardhur nga fshatrat e Mbrostrarit, vetëm një u bë me shkollë. Babi shkruante formulat e kimisë në mur se s`kishte çfarë të hanin. Kurse mami im kishte lodra dhe ka foto kur qante në Berlin, në 1958-ën për një kukull.
Mira Kazhani: Sa interesante. Film!
Dalina Buzi: Film. Dy njerëz, dy pole të kundërta që jetuan bashkë, jo gjithmonë aq të lumtur. Se në një familje aq të madhe… e dimë vetë ne se si ka qenë ajo kohë. Kështu që unë këto lloj ngjyrash i kam parë. I kam jetuar që përpara Amerikës. Amerika thjesht përforcoi dhe më dha mundësinë mua të zgjedhjeve. Amerika më ka bërë një gjë të mirë. Më ka dhënë shumë ngjyra njerëzish. Njerëzit këtu… Megjithatë jo, jo… As kjo.
Mira Kazhani: As kjo jo.
Dalina Buzi: As kjo. Nuk e di a e kam thënë Mira, po unë kam pasur një fëmijëri të jashtëzakonshme. Kam pasur vetëm në pallatin tim mbi 4-5 të divorcuar në kohën e komunizmit. Kam qenë në lagjen më interesante të Shqipërisë. Nuk di si ta them këtë, po unë nuk e di çfarë është komunizmi. Kam pasur gratë më të bukura në lagje, gra që ishin studente në Paris, që ishin njohur në Paris, që bënin torta dhe kishin Chanel 5 në vitet `80. Kisha vajza dhe gra shqiptare të martuara me holandezë, me indonezianë. Kishin dritaret, ballkonet ku flisnin vetëm për çunat. Ku qeshnin “gu-gu-gu”. Kisha lezbike, në komunizëm. Aktore, s`po them emra tani, po kishin ardhur nga Blloku, ndërkohë ishte një nga ministret tona. Ajo jetonte tek Myslym Shyri. Unë kam qenë përballë Rrugicës së Çamëve. Ajo ishte një rrugë ku e lakmonin aktorët. Ishin shumë familjarë që ishin në internim, të ministrave, këto që dilnin nga Blloku dhe vinin dhe ishin të tjera që ishin goca të thjeshta. Nuk e di, ishte një grup gocash tek të 20-tat, shumë të bukura që shkëmbenin rroba me njëra-tjetrën, shkëmbenin kaseta dhe dëgjoja vetëm muhabete çunash. Fjalën k*rvë e kam nëpër lagje gjatë gjithë jetës time aty. Ato qeshnin nëpër ballkone. Nuk e di për çfarë. Unë vetëm i shihja. Mbaj mend një nga ecjet më të bukura të jetës time që më ka futur edhe dëshirën për modën. Ka qenë ora 3 e drekës, mbasi ka ardhur akullorja tek “Myslym Shyri”, kam qenë në ballkon, diku tek 7-8 vjeçe, dhe takat e një gruaje që ecte nëpër rrugën bosh të “Myslym Shyrit”, se s`ka pas makina atëherë, dhe vetëm e kam ndjekur me sy, ka qenë Anisa Markarian, që mua më dukej një nga gocat më stil, me një fund të gjatë dhe ato takat e vogla që ecte në orën 3 a 4 të drekës vetëm dhe unë që e ndiqja me sy në mes të rrugës, dëgjoja zhurmën e takave dhe shikoja veshjen e saj. Nuk e di, ajo ishte një lagje me gra të bukura që visheshin shumë moderne dhe që flisnin gjithë kohës për muzikën, për çunat.
Mira Kazhani: Po pse nuk shkruan për këtë lagjen ti, nuk e kuptoj? Sa mirë që m`i the mua në Podcast. Ja po mos ta bëja unë këtë Podcastin dhe po të rendja pas figurave me shumë klikime, do e humbnim këtë histori.
Dalina Buzi: Jo unë e kam thënë dhe jam munduar të gjej diçka për çfarë të shkruaj për fëmijërinë time, po më është dukur shumë e lumtur.
Mira Kazhani: Gratë e lagjes time!
Dalina Buzi: Po, “Gratë e lagjes time”, fantastike!
Mira Kazhani: Ti do të jetosh në Shqipëri dhe mendon që Shqipëria i ka të gjitha gjërat që kërkon ti? Për një njeri që ka lindur dhe është rritur këtu…
Dalina Buzi: Nuk të jep asnjëri asgjë, nëse nuk di ta kërkosh edhe nuk e merr vetë. Për mua është “mindset” e gjitha. Unë kam takuar njerëz të palumtur në Amerikë, që flasin vetëm për bills (faturat), shqiptarë diskutojnë gjithë kohës për të kursyer. Nuk është as ajo jetë. Siç ka edhe shqiptarë shumë të lumtur në Amerikë. Siç ka edhe shqiptarë të lumtur kudo. Janë ca njerëz sikur kanë lindur në Suedi. Janë ca shqiptarë që nuk kanë qenë kurrë për këtë vend. Kanë qejf të merren me… nuk e di… të ndjekin një Yogi nga mbrapa… Unë kam parë një Shqipëri shumë të lezetshme. Atë Shqipëri nuk dua ta humb.
Mira Kazhani: Ke emocione politike ti Dalina? Si e ndjek politikën? Se të shoh që në Anabel, në ngjarje të rëndësishme, futesh dhe i ndjek, por nuk e ke pjesë të përditshmërisë tënde.
Dalina Buzi: Jo nuk e kam, sepse nuk jam shumë… Unë natyralisht jam e majtë nga familja ime. Se kështu u rrita që në kohën e komunizmit, edhe gjyshi, edhe babai kanë punuar për qeverinë, kanë pasur poste të larta. Babai im e braktisi pastaj, mbas ikjes së Nanos, me ardhjen e Ramës. Mbaj mend, gjëja e fundit që ka lexuar para vdekjes, i kam lexuar intervistën e parë të Ramës, tek “Zëri i Popullit”. Të nesërmen ai vdiq.
Mira Kazhani: Ka qenë intervista për Erion Braçen.
Dalina Buzi: Nuk e mbaj mend, po e di që ia kam lexuar se ai nuk lexonte dot më. Nuk shihte nga sytë dhe më tha: Ma lexo njëçik intervistën e këtij. “E këtij”, thoshte. (qesh) Se nuk mendonte që kishte bërë ndonjë gjë në Tiranë. Thoshte ato rrugë ishin. Ai i hapi, u prishën, edhe i bëri prapë ashtu siç ishin. Ishte më shumë i afeksionuar mbas Nanos. Pastaj tek pjesa e familjes, aty u zhgënjye.
Mira Kazhani: Po ti?
Dalina Buzi: Unë nuk kam pasur asnjë afeksion të them të drejtën. Fare! Herë pas here bëj shaka me Ramën. Ti për shembull bën shaka, shumë njerëz… për shenjën e horoskopit bëjnë shaka me Ramën. (Dalina është Gaforrja si Rama) Herë pas here më duket shumë interesant, herë të tjera… Edhe nuk ka faj se është 365 ditë, në kaq shumë vite. Duhet të mbash atë gjënë që duhet ta mbash dhe nuk je gjithë kohës… Vë një maskë, e mban atë maskën, por herë pas here nuk e mban dot atë maskën. Është shumë e lodhshme të mbash atë maskën. Mua më pëlqen shumë Rama në kohë krizash. Më pëlqen shumë në kohë tërmetesh. Aty më duket shumë i vërtetë. Aty më duket sikur adrenalinën e ka të vërtetë. Unë e besoj, sepse mua më ndodh kjo gjë, që në kohë krizash, jam fantastike. Pastaj më pëlqen pak tendenca e Ramës për artin, për mbështetjen. Më pëlqen shumë Anri Sala dhe artistë të tjerë që janë të jashtëzakonshëm dhe bravo i qoftë. Po kjo tendenca që të asociohet vetëm me atë grupin është kështu si “ju nuk më doni mua, unë dua këta”. Nuk më pëlqen kjo gjë.
Mira Kazhani: Do krijesat e veta, mendon ti?
Dalina Buzi: Do krijesat e veta dhe janë këto dhimbjet që unë nuk i kam pasur në familje, se thashë kam pasur dy familje ekstreme. As nga mami, as nga babi, nuk kam pasur… e thashë babi im nuk e ka çarë kokën kurrë. Ishte shumë krenar që ishte nga fshati. Po nuk e kam pasur këtë pjesën që e kam vërë re tek shumë veta, e kam vënë re edhe në gazetari shumë, tani kanë rënë, se u plakën në njëfarë mënyre, nuk kanë çfarë të bëjnë, po kanë atë pjesën e dëshirës për të qenë elitarë. Këto portat e larta, këto budalliqet, për t`u ndjerë me këta që janë më cool. Unë nuk po flas vetëm për veten, po e di sa njerëz cool ka këtu që… Ka njerëz të jashtëzakonshëm. Ka të rinj që vijnë tek mua që janë të jashtëzakonshëm. Ti nuk e ke idenë se çfarë lloj aplikacionesh, çfarë lloj gjërash po bëjnë edhe nuk dalin.
Mira Kazhani: Po që Edi Rama nuk i sheh dhe ti e ke kuptuar këtë.
Dalina Buzi: Po që nuk i sheh dhe ti gjithmonë thua: Janë shumë të mirë ata. E morëm vesh. Le të jenë edhe ata. Patjetër që janë. Po ka edhe këtu. Janë shumë të mirë. Asociohu edhe me këta, sepse iku kjo koha që “unë jam cool se jam me të jashtmit”, “unë jam cool sepse jam kundër jush që ishit cool këtu, se unë jam cool i huaj”. Siç edhe unë kam menduar si Rama. Që unë nuk jam cool me këta shqiptarët që rrinë tek Bar West-i, si gazetare unë jam cool, kupton? Pas njëfarë moshe nuk je më cool, je “just you”.
Mira Kazhani: Tani t`u tregojmë pak atyre që na ndjekin në këtë Podcast edhe na dëgjojnë se si Dalina Buzi më telefonon mua ose hyn në bisedë në chat. Bën pjesë tek të rrallët njerëz që nukta hapin kokën duke të të thënë: Mira, si je? Dhe ti i thua: Mirë. Dhe ai kthehet pas 5 minutash, një njeri i zakonshëm i kësaj bote dhe shoqërie dhe i duhet dy orë, me çengel, të të tregojë çfarë halli ka.
Dalina Buzi: I kam shumë bezdi unë ato. (qesh)
Mira Kazhani: Dalina futet në temë. Direkt menjëherë tek fjalia kryesore: Çfarë tha ky personazh, di gjë? Je dobësuar gjë ti? Unë kam blerë këtë blender-in, ma sugjeroi Elvana. Është më i miri në botë.
Dalina Buzi: Shumë i mirë është.
Mira Kazhani: Dhe duhet të themi që ne në telefon flasim o për punë, o për dieta, veshje. Nuk ështe se kemi ndonjë bisedë të madhe.
Dalina Buzi: Ose të marr për ndonjë rast. Ka qenë për koronën. Kur është ndonjë gjë e madhe.
Mira Kazhani: Kur ra tërmet. Kur ka ngjarje. Kur ka zgjedhje.
Dalina Buzi: Unë mendoj se ti di më shumë gjëra. (qesh)
Mira Kazhani: Kur ka zgjedhje politike, gjithmonë telefonon Dalina.
Dalina Buzi: Po, po.
Mira Kazhani: Se mendon që unë duhet ta di. Si të jam përgjigjur? Kam qenë kështu e saktë në përgjigje apo…?
Dalina Buzi: Jo, patjetër që je e saktë, se s`do të merrja në telefon më.
Mira Kazhani: (qesh) Je kurioze për pas 30 vitesh, si e imagjinon veten ti, duke folur në telefon me mua apo me Elvanën më shumë?
Dalina Buzi: E di çfarë më ka ndodhur këto ditë? Se dua ta ndaj. Unë kam filluar meditimin.
Mira Kazhani: Bravo! Unë s`do ta bëj kurrë.
Dalina Buzi: Do ta bësh.
Mira Kazhani: S`besoj.
Dalina Buzi: Do ta bësh.
Mira Kazhani: Okay.
Dalina Buzi: Nuk e bëj mirë. Para dy ditësh, mbasi mbarova meditimin i ulërita gocës, se nuk po çohej. Nuk funksionoi. Po po punoj. Jam duke punuar me meditimin. Atë ditë nuk funksionoi fare. (qesh) Po mua më del gjithmonë një gjë në meditim. Më del një cep shtëpie me një verandë. Një makinë shkrimi. Dy fëmijë që rrotullohen me balonë, që duhet ta kem parë në ndonjë film nga ata të vjetrit. Pra më del një bahçe. Veranda shumë e bukur. Një tavolinë me lap topin dhe fëmijë të vegjël që vrapojnë. Unë kam kuptuar që ajo është ëndrra ime. Atë dua. Mbas 30 vitesh unë nuk e di me kë do jem shoqe. Unë e di që do jem shoqe me të shkruarin. Ëndrra ime është që të rri, të kem mundësi që të delegoj gjithçka. Se njerëzit mendojnë që suksesi është të marrësh Oscar. Suksesi është të bësh atë që do dhe të jesh rehat. Unë kam dua. Dua një cep. Dua shtëpinë time. Dua xhinse, t-shirt. Nuk dua asnjë lloj gjëje. Dua vetëm atë cepin tim. Një pamje të bukur. Mundësisht të kem detin afër dhe të shkruaj. I gjithë biznesi im të bëhet nga njerëz që janë shumë më të aftë se mua. Nga të cilët mua vetëm më vijnë lekët në bankë. Kjo është ëndrra ime. Dhe unë nuk dua t`ia di fare. Ata njerëz kanë marrë përqindjet. Janë futur, kanë vazhduar.
Mira Kazhani: Sa bukur! Do kesh bërë filma? Do e kenë kapërcyer Shqipërinë?
Dalina Buzi: Filma do kem bërë.
Mira Kazhani: Kështu e imagjinon, e përfytyron veten tënde?
Dalina Buzi: Unë çdo gjë që e kam imagjinuar me shpirt, që vërtet e kam dashur, ka ndodhur dhe unë patjetër që do bëj filmin. Nuk e di se ku do shkojë. Po unë nuk dua që ta bëj filmin për të shkuar andej. Unë dua të bëj një film që ta duan edhe këtu. Nëqoftëse e duan këtu, shkon edhe andej. Nuk e di pse kanë këtë konceptin që duhet ta bësh filmin për andej. Nuk ka sesi ta bësh për andej. Duhet të rrijë këtu. Të jetë i vërtetë.
Mira Kazhani: Ka vlerë fama në Shqipëri? Njerëzit mendojnë se është një treg i vogël. Po s`ia vlen për këtë... Po s`ia vlen për atë… Po tani ne këtu jetojmë. Ne shqiptarë jemi.
Dalina Buzi: E di çfarë mendoj unë, sidomos për pjesën e artit, të krijimtarisë? Atë që thashë në fillim, që duhet të japësh pak. Mënyra sesi ti jep, kur ke mundësi, nuk ka asnjë lloj justifikimi marketingu, nuk ka asnjë lloj justifikimi leku. Nuk ka asnjë lloj justifikimi që të mos bësh më të mirën për të respektuar formën e artit dhe publikun tënd. Nuk ka asnjë lloj justifikimi. Ose ti jepe. Bëj filmin bëj teatrin apo serialin tënd edhe fute në një cep aty, tek një kinema e vogël që këtu nuk ekziston dhe aty tregoje për studentët, mbaje në YouTube. Po nuk ka justifikim të dalësh në televizor dhe të thuash që do ta shkatërroj unë gjininë. Do t`i bie me shkelm. Do ta dhjes gjininë. E di që shkele buzën, po mua kjo fjalë nuk më duket ndonjë gjë kur dua realisht…
Mira Kazhani: Jo s`e kisha për fjalën… Për ndjesinë që më dha mendimi…
Dalina Buzi: Do ta shkatërroj këtë gjë, qoftë edhe këngë, sepse kështu bëj lekë. Është bërë leku edhe ndryshe. Kjo është mungesë kreativiteti dhe papaftësi për mua. Ky është një problem që kam unë me njerëz që e gjejnë gjithë arsyen pse e prishin një formë arti, e gjejnë gjithë arsyen tek pjesa e lekut.
Mira Kazhani: Po të ishe e pasur Dalina Buzi çfarë do bëje?
Dalina Buzi: Unë gjithmonë kam qenë e pasur në njëlloj kuptimi. Kam bërë çfarë kam dashur vetë. Gjithmonë. Vetëm se charter-in nuk e kam timin. Burri im ka mundësuar që nëpërmjet punës së tij, pa paguar gjë ne kemi shkuar në skafet më të mira, në jahtet më të mira. Çdo gjë bëhet në jetë. Është e çuditshme. Çdo gjë. Kjo është gjëja më e mirë e imja, që kam jetuar në pasuri gjithmonë. Për shembull, unë dua të blej një shtëpi tani dhe nuk kam një kokërr leku. Nuk kam lekë, por do ta blej. Do ta gjej. Do vijë gjëja. Mua më vjen.
Mira Kazhani: Si vjen meqë ra fjala? Se unë mendova kredi në bankë. Si të vjen ty? Apo krijohet?
Dalina Buzi: Më dalin gjërat.
Mira Kazhani: Ke një lloj bekimi ndoshta. Një lloj fati.
Dalina Buzi: Po kam ca bekime. Janë ca bekime. Po në çdo lloj rasti – se unë e kam menduar këtë që janë ca bekime, ishte babi, mund të kesh toka, nuk është kjo. Ka njerëz që i kanë të gjitha dhe jetojnë si të varfër.
Mira Kazhani: Çfarë mendon për ata njerëz? Kanë energji negative? Nuk kanë fat? Nuk janë njerëz të mirë?
Dalina Buzi: Unë kam arritur në përfundimin që edhe këtë energjinë negative e kanë për veten e tyre. Thjesht mos rri. Se edhe të analizosh energjinë negative të njerëzve, thjesht të merresh me ta, fillon të kap ty energjia negative e filanit. Njerëzit që kanë energji negative i kanë për veten e tyre. Edhe ndoshta ata janë shumë të lumtur me energjinë e tyre negative. Nuk e di. Unë nuk e kuptoj këtë marrëdhënien me lekun kaq… Kujdes, se u prish makina. Se morëm këtë. Harxhuam kaq karburant… Nuk shkojmë dot… Se po t`i mbledhim këto lekët. Unë s`e kam kuptuar kurrë këtë. I kam bërë një pyetje mamit tim, sepse kam bërë ca shpenzime ndonjëherë shumë të mëdha, jashtë normës, dhe i kam thënë mamit tim, çfarë ndodhi në jetë? Çfarë ndryshoi në jetën tënde për ato lekë që unë harxhova pa dashje, që ishin lekë për të paguar shkollën time dhe unë i mora dhe bleva xhinse e bëra pushime me shoqet e mia? Çfarë ndodhi një gjë e madhe? A shpëtoi babi? Ne si u bëmë nga shëndeti? Asgjë – tha – s`ndodhi. I thashë motrës, çfarë ndodhi në jetën tënde me ato lekët që bleve diçka dhe nuk të eci? Tha, asgjë. I thashë, asgjë nuk ndodh me lekët. Realisht nuk ndodh asgjë. Ndodh me mënyrën sesi e marrim ne nga jeta çdo ditë. Çfarë marrim nga marrëdhëniet njerëzore. Si e marrim të tashmën. Ka njerëz që janë uf-puf tërë ditën. Unë këtë dua që të bëj terapi. Ore jam në dush. Pse duhet të mendoj në dush unë? Unë dua të shijosh dushin. Kur më pyeste Ervin Kurti njëherë: A je e lumtur? Ka një pyetje të vetën Ervin Kurti.
Mira Kazhani: Ua bën të gjithëve, e di.
Dalina Buzi: Unë nuk e kuptoj. Unë isha e lumtur se erdhi blenderi. Isha e lumtur me blenderin. Po ky është sekreti i jetës. Ji i lumtur me blenderin. I ke parë kalamajt që merren me atë gjënë e kanë atë lumturinë e atij momenti, atij tullumbacit. Ishte ai momenti. Kurse ne duke parë tullumbacet themi, aman se do rrijë aty tek toka tani dhe do vijë ai tjetri, ai tjetri ka provat. Pastaj ku do iki unë. Ku ta çoj tullumbacen. Dhe ti merresh se ku do ta çosh tullumbacen. Nga erdhi tullumbacja. Pastaj jo se këtu jam tek teatri. Gjith kjo gjë është një idiotësi e madhe. Ne në 90% të kohës e harxhojmë duke menduar budalliqe.
Mira Kazhani: Fëmijët janë të lumtur se nuk analizojnë.
Dalina Buzi: Nuk jemi idiotë të bëhemi fëmijë prapë. Po ndoshta meditimi, që unë po mundohem shumë që ta bëj, mbase më ndihmon pak mua që të kem pak më shumë përqendrim. Megjithatë unë thashë, jam mes këtij meditimi dhe të shkruarit.
Mira Kazhani: Unë mendoj që i shkuam në fund Podcastit. Ishte si një skenar përmbyllës ky Dalina Buzi. Është një bisedë që mendoj se njerëzive duhet t`u vlejë.
Dalina Buzi: Uroj t`u vlejë, por mua më pëlqen më shumë fakti – dhe të them të drejtën ndihem shumë keq sepse kam refuzuar shumë intervista kohët e fundit – nuk e thashë këtë si personazh Big Brother-i, po më duket se harxhoj kohë, duke u bërë gati, duke bërë gjithë gjënë, duke folur. Ndërkohë që edhe Snob 2 nuk ka dalë akoma. Nuk kisha asgjë. Po unë e shijoj shumë Podcastin tënd. Ta kam thënë gjithmonë. E shijoj shumë. Bravo të qoftë! Unë nuk besoj që intervista ime është më interesantja në Podcast. Kam dëgjuar ca intervista fantastike. Më kanë pëlqyer ca dhe ta kam thënë kush më ka pëlqyer, por që këtë bëje. Bëje sepse ne nuk dëgjojmë më. Ky është problemi, nuk dëgjojmë më, nuk lexojmë më. Ka gjithçka për të lexuar dhe asnjë nuk lexon dhe dëgjon më. Dëgjon vetëm 15 sekonda. Jeta nuk është 15 sekonda. Në ato 15 sekonda ti mund të jesh në gabimin më të madh. Mënyra sesi kalojnë gjërat, sesi qarkullojnë në Tik Tok, në rrjete sociale… Sesi qarkullon ti në rrjete sociale, sesi copëtohesh, sesi çfarë je, për një njeri mund të jem një kuzhiniere shumë e mirë, po ndërkohë ka qenë e rastësishme që kam qenë në një kuzhinë. Për një njeri tjetër mund të jem kaq e shpërbërë.
Mira Kazhani: Për dikë mund të jesh një *urvë e mirë. (qesh)
Dalina Buzi: Po *urvë e mirë.
Mira Kazhani: Ah Google.
Dalina Buzi: Me ndarjet 15 sekondëshe je kaq i shpërbërë sa askush nuk të formëzon dot, se askush nuk ka më kohë të të formëzojë dhe të të bëjë atë puzzle-in. Kurse ti i jep mundësinë njerëzve që të të bëjnë atë puzzle. Dhe kjo është ajo “struggle” që kam unë me televizionin. Që ti mund ta bësh këtë gjë dhe mund ta bësh shumë interesante, sepse këta janë bërë viktima të 15 sekondëshit të gjithë. Se nuk dinë si ta bëjnë mirë. Po kjo mund të bëhet shumë mirë, që ti po e bën shumë mirë dhe do të bëhet shumë mirë!
Mira Kazhani: Faleminderit Dalina Buzi për gjithë mbështetjen që si kolege ma ke dhënë gjithmonë! Gjithmonë do ta kesh timen. Mua nuk më vjen mirë kur thuhet se: Jo gazetarët me njëri-tjetrin… Ka gazetarë që…
Dalina Buzi: Njerëz të pasigurtë.
Mira Kazhani: Ne me kolegët kemi raporte shumë të mira.
Dalina Buzi: Ajo është për të pasigurtit dhe ata që nuk bëjnë, nuk bëjnë gjëra.
Mira Kazhani: Do bëjmë një foto të bukur tani që ta postojmë dhe të marrim like-s? (qesh)
Dalina Buzi: Po.
Ky podcast u mbështet nga Abi Bank
*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit
Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore