George Floyd dhe shoqëria. Djali i parkut të liqenit dhe shoqëria
George Floyd ka ndezur zemërimin e shoqërisë amerikane.
Ai është sot fytyra e dhunës, e dhimbjes dhe fatkeqësisht e Amerikës vetë bashkë më Statujën e Lirisë. Media sociale, media tradicionale, aktorë e këngëtarë, njerëz me influencë janë përfshirë në debatin që gjithmonë ka vluar në Amerikë: racizmin.
Will Smith ka thënë deri tani fjalinë e madhe: "Racizmi s'po bëhet më i keq, por thjesht po filmohet", duke iu referuar videos së George Floyd, që vdiq nga dhuna policore.
Teknologjia sot na e bën më të lehtë denoncimin dhe amerikanët po shohin dyfytyrësinë e tyre, atë që ka qenë përherë aty mes tyre, megjithëse në Shtëpinë e Bardhë futën një njeri me ngjyrë në vitin 2007. Por gjërat s'kanë ndryshuar dhe vesi del me shpirtin. Përveç filmit dhe ngjarjes të turpshme për njerëzimin nga vendi i lirive, ka një arsye pse "racism is back". Gjuha ndarëse ne dhe ata, stigmatizimi, një lloj fashizmi, siç e përshkruan Isabelle Allende, në Amerikë i frymëzuar nga njeriu më i fuqishëm atje, Presidenti Donald Trump, po jep efektet tashmë të faktuara edhe me video.
Amerika është bërë më egoiste. Po mbyllet dhe po zgjon nga gjumi djallin e saj më të famshëm: racizmin! Gjuha e përjashtimit për emigrantët, latinët, njerëzit me ngjyrë, e ka bërë punën. Donald Trump po çon pas me shpejtësinë e narracionit balistik, një civilizim të tërë. Por në Amerikë ka shpresë se ky skenar i ndyrë mund të frenohet, kjo dallgë e përbindshme mund të pakësohet, sepse në 300 e ca milionë amerikanë, ka një shtresë domethënëse që po lufton me të keqen dhe ky nuk është shteti, por familja, shoqëria dhe personazhet publikë, që po protestojnë dhe s'dihet deri ku do e çojnë këtë revoltë. Po, gjakrat janë të nxehtë dhe ashtu duhet të jenë. Luftërat kanë nisur edhe nga një shpullë! Rendësi ka të luftosh!
Në Tiranë, para disa ditësh, u filmua një mini ngjarje me atë të Amerikës por e ngjashme. Një video, me policë dhe dhunë! Një adoleshent nuk i ndaloi thirrjes dhe kishte dalë me biçikletë! Vetëm kaq bëri.
Ngjarja u dënua, besoj kush e pa videon u ligështua, u tmerrua. A ishte e rrezikshme? A kishte armë? A kërcënoi njeri djali me biçikletë? Pse duhej ai reagim disproporcional.
Por askush nuk u mblodh për një protestë, nuk u organizuan dot. Ndoshta sepse ne si shoqëri po s'na thirri Edi Rama, Lulzim Basha apo Ilir Meta, nuk dalim.
Nëse do vendosnim një hierarki protestash, e para në këto javë në Shqipëri do ishte ‘djali me biçikletë i liqenit’. Por nuk u gjykua kështu! E keqja dënohet me vepra dhe jo me urdhra politikë apo modë, meqë shohim disa që shajnë në Facebook, i bashkohemi korit për kauza që gjysmat s'i njohim nga bien. Të keqen e sheh dhe pyet zemrën çfarë bëhet? Por si fillim duhet ta dënojmë dhunën që më pas të reagojmë. Nuk po them assesi që jemi dhunëdashës, as prehistorikë që nuk bëjmë dallimin, por pse nuk revoltohemi por vetëm grindemi në rrjet?!
Para syve pamë të dhunohej një djalë i ri kot së koti dhe historia e 15- vjeçarit tek liqeni është turp të mbulohet me një video të nënës me pistoletë lodër (që bën një shaka pa kripë), por edhe në qoftë një nënë e pakujdesshme apo fatale, kjo kurrë nuk mund të përdoret si balancë për sjelljen brutale të shtetit (policët). A e di kryepolici se edhe në qoftë se je një fëmijë i rritur në një mjedis të dhunshëm familjar, ai fëmijë ka nevojë për mbrojtje dhe jo dhunë të dyfishtë, jo për t'u masakruar dy herë.
Nuk ka justifikim për dhunën ndaj një minoreni. Nëse një nënë është në burg, çdo të thotë që fëmija duhet të “riedukohet” bashkë me prindin?! Po të ishte vetëm familja s’do ishin krijuar as qeveritë as policët, por shteti është garant i të drejtave të njeriut, në thelb!
As në Amerikë e as këtu nuk janë të gjithë policët njësoj, ka heronj e maskarenj, as atje as këtu s'janë të gjithë qytetarët njësoj, as nënat njësoj, por në fund ndryshimin e bën reagimi. Ky është edhe qëllimi i këtij shkrimi:
-Si reagojnë ata dhe si reagojmë ne? Ku po gabojmë? Nëse i japim përgjigje kësaj pyetjeje, ka shanse të korrigjojmë sa nuk është bërë tepër vonë. Çdo gjë nis me fjalën dhe përfundon tek figura, herë në video e herë si dëshmi e asaj që je në të vërtetë. Amerikanëve po ju vjen turp për Amerikën e tyre në foton e George Floyd. Po ne kur do na vijë turp?
*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]