Videopodcast

Fati është karakteri yt

Fati është karakteri yt

Nga Mira Kazhani/ Ermonela Jaho është zëri që çel episodet e reja të videopodcast-eve. A ishte fat apo e kërkova këtë kombinim?! Kur të dëgjoni rrëfimin e sopranos me famë e shkëlqim ndërkombëtar, Ermonela Jahos, ndoshta do ta pyesni veten për atë që kanë nevojë të gjithë, të pasur e të varfër, fatin. Sa rol ka tek fati, karakteri ynë? A janë sakrificat dhe vuajtjet rruga e vështirë që të çon drejt tij? Në rastin e Ermonela Jahos, po. Sigurisht, duhet edhe pak nga ai i pashpjegueshmi, kombinim yjesh në univers, por fati nuk ka pikën e vlerës nëse shkon tek dikush që nuk është gati për pjatën e artë që ai të sjell në dorë. Siç ndodhi me Ermonelën, kur një grip i divës ruse të kohës, Anna Netrebko, ishte punë e fatit. Pastaj, qe Ermonela, e cila para dhe pas atij çasti ka dy jetë të ndryshme, por të njëjtin shpirt, karakter. Kur e takova në Tiranë, kuptova se suksesi dhe fama nuk i nënshtrojnë të gjithë. Disa bëhen edhe më mirënjohës, edhe më të kujdesshëm me familjen, miqtë dhe fjalën që lëshojnë. Me përjashtim të një lirie që ta jep suksesi, asaj për të thënë çdo gjë si e mendon, sepse limfa jote e di që je një diva. Kjo e fundit i dha dorë një prej bisedave më të bukura që kam bërë deri më tani, e denjë për ta quajtur një intervistë jete.

Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Ky është një videopodcast i shumëpritur nga unë. Kam dashur ta takoj si njeri, dhe të dëgjoj më shumë për historinë e saj. Çastet e fatit, por edhe sakrificat që iu deshën asaj si një gocë shqiptare që vinte nga një familje normale, me 5 fëmijë. Ajo, nxënësja e liceut që i hapi të gjitha dyert vetë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Që ngriti në këmbë aristokratë, mbretër, mbretëresha, duke e duartrokitur. Çfarë është Ermonela Jaho më shumë, fat apo punë? Një njeri më afër Zotit apo një njeri më afër tokës? Të gjitha pyetjet e mia sot, i kanë ulur përgjigjet përballë.

Ermonela, mirëseerdhe!

Ermonela Jaho: Faleminderit për ftesën Mira!

Mira Kazhani: Në tavolinat e mia, unë kam përdorur shumë një histori tuajën personale që e kam lexuar apo dëgjuar nga dikush, nuk e kujtoj mirë tani, po kur doja të tregoja që fati nuk mjafton në jetë pa punën, se kur të vijë fati, ti duhet të jesh gati, gjithmonë përdorja historinë tuaj me atë momentin kur ishit gati për të hyrë në lojën e madhe, në skenën e madhe, por prisnit pak fat. Sëmuret sopranoja, diva ruse Anna Netrebko, thirret në telefon Ermonela Jaho, po ajo ishte gati. Atë mbrëmje keni shkëlqyer aq shumë, sa të nesërmen, gazetat u hapën me titullin që “Anna mund të shkojë në shtëpi, Ermonela rri”, diçka e tillë.

Ermonela Jaho: Është e vërtetë! Kur thuhet që pret fatin dhe është ai fati që të bën të shpërthesh dhe të bën të kesh atë momentin… Për eksperiencë personale mund t`ju them që erdhe fati kur të vjen, duhet të jesh gati. Ndryshe mund të jetë fundi i ëndrrës tënde. Përsa i përket këtij episodi, unë isha në New York dhe shfaqja “Traviata” bëhej në Londër. Mbaj mend që marrin në telefon menaxherët e mi edhe i thonë: Kemi dëgjuar që Ermonela ka kënduar gjithandej. Do ishte gati të udhëtonte gjithë natën edhe të nesërmen të vinte në Londër, që nuk dija akoma që ishte anuluar shfaqja. Vetëm të rrijë aty ta kemi të sigurtë, sepse është sold out, mediat etj, etj. Në një moment, kur më morën në telefon isha e shtangur. Ka qenë një moment pakëz emocional, i vështirë, sepse në atë periudhë unë kisha humbur edhe mamin dhe isha e mpirë. Nuk ishte mendimi i parë të thuash që Ok, po shkoj, po e marr këtë okazion. Ose, jo po kam frikë se mos… Nuk i kisha këto gjëra, sepse kur të prek shpirtin një gjë më e madhe fillon e sheh çdo gjë vërdallë teje me një sy tjetër, me një pespektivë tjetër. Kjo është ajo logjika që i kam bërë vetes. Thashë: Unë nënën time e humba, asnjë s`ma sjell. Nëse ky është një shans që kjo të jetë një derë e madhe, apo të jetë drita jeshile që unë të hyj në këtë xhiro të këtyre teatrove të mëdhenj, ta provojmë. Nëse është ajo që kam dëshiruar gjithmonë, ja ku e kam opsionin. Se gjithmonë thoja- që kur kanë filluar ëndrrat këtu në teatër, me zor pres kur të këndoj në këtë teatër, në atë teatër, dua këtë okazion, dua atë. Nganjëherë është ajo ëndrra që të shtyn, entuziazmi. Po kur ndodhesh përballë faktit, gjithmonë njeriu ka një lloj tundje sepse thotë: Jam unë e zonja ta përballoj këtë lloj presioni?

Mira Kazhani: Është kollaj të ëndërrosh, por t`i realizosh ëndrrat dhe të jesh aty tek ëndrra, tek ai minuti i ëndrrës, do kurajë. Do kockë të fortë.

Ermonela Jaho: Shumë të fortë. Mbaj mend kam udhëtuar gjithë natën dhe marrin në telefon: Zonja Jaho, gati? Se ju do këndoni sot. Thashë ok. Shkoj atje dhe nuk them asnjë fjalë. Këta që më shikonin. Se zakonisht kur këndon një rol kryesor ndryshon mënyra sesi sillen, që të japin edhe një “selfconfidence”. Ia bëjnë: Unë erdha tani… (imiton me gjeste). Janë disa mënyra të sjelluri.

Mira Kazhani: I kam vënë re. Kam menduar që janë normale.

Ermonela Jaho: Jo nuk janë normale. Janë ca maniera… Unë vajta atje e heshtur fare dhe këta po më shikonin që ka, s`ka zë kjo tani. Filluam provat. Bëmë vetëm dy orë prova në një sallë të vogël, jo në skenë, sepse skena ishte përgatitur për Operan. Regjia etj etj më thanë do hysh këtej, do dalësh andej. Është kjo, është ajo. Fokusohesh aq shumë sa dukej sikur kisha bërë një muaj prova. Se muzikën e dija, e kisha kënduar operën. Isha gati.

Mira Kazhani: A të pritën ata me dashuri?

Ermonela Jaho: Po, po absolutisht.

Mira Kazhani: Kishe një lloj ngrohtësie aty?

Ermonela Jaho: Absolutisht, sepse i gjithë stafi, sidomos në Londër, por gjithandej, të bëjnë një lloj “terapie”. Se ti je shpëtimi i asaj nate. Ishte “sold out” dhe asnjë nuk e dinte që Anna “kishte fshirë”. Publiku nuk më shikonte. Unë e shikoja. Janë ato truket e teatrit. Del drejtori i teatrit, thotë: “Kërkojmë ndjesë, por sonte artistja, këngëtarja kryesore nuk ndihet mirë, por nuk do ngeleni të zhgënjyer, sepse ne kemi një artiste.” - Për mua ishte debut. Nuk më njihnin në atë teatër. – “E quajnë Ermonela Jaho dhe nuk do zhgënjeheni.” Kur tha emrin tim të gjithë filluan po bënin zhurmë. Ua, thashë, unë as kam kënduar akoma… Se dhe publiku, kur arrin një lloj niveli, janë njerëz që udhëtojnë kastile, nga një vend i botës në një tjetër për të të parë. Një biletë avioni, - t`i marrim gjërat shumë më thjesht - dy ditë hotel, një biletë teatri që atëherë bënte 500, 600, 700, 800 paund për atë shfaqje, është një kosto. Dmth edhe ti ndihesh “si i tradhtuar” që këngëtari për të cilin ti ke vajtur nuk është aty. Edhe të thonë emrin e një artisti tjetër që ti s`e ke dëgjuar. Kjo nuk më bën mua as më të ulët, as më të lartë, por në atë moment, ishte momenti i dikujt tjetër. Dhe një lloj zhgënjimi që tani ç`është kjo… Unë thashë: Uau këta s`më dashkan pa filluar akoma unë. Se fillon autokritikën. Jam e pamëshirshme me veten. Dua gjithmonë më të mirën. Kur pashë këtë lloj reagimi, nuk po them që m`u duk vetja “rejected”, por thashë, ok të shohim këtu si do shkojnë gjërat. Në atë moment u kujtova që nuk më kishin prezantuar me kolegët e tjerë. Se është dialog, që ti këndon me kolegët. U gjenda si puna e atij që e kanë hedhur në mes të oqeanit dhe duhet të gjesh mënyrën për të mbijetuar. Kështu e quajta veten. Del drejtori dhe thotë ok, mbas aktit të parë nëqoftëse nuk është e atij niveli që ju e prisni, do t`ju japim biletat mbrapsht. Del drejtori dhe thotë: Zoti na ndihmohtë që të jetë vërtet kështu. Se as ai s`më kishte dëgjuar. Mbaj mend mbasi ka mbaruar akti i parë njerëzit duatrokisnin. Thashë me vete, iku akti i parë. Kështu vajti deri në fund. Dhe nga një farë shfaqje që u nis të këndoja për të shpëtuar atë mbrëmje, të nesërmen kisha frikë t`i shikoja kritikat. Thashë sidoqoftë, siç funksionon edhe sot, ky PR ndonjëherë edhe paguhet, jo gjithmonë, edhe thashë do thonë që këndoi, e shpëtoi shfaqjen, por “nothing special” (asgjë e veçantë). Kur pashë titujt, më dhanë më tepër shtysë. Thashë asgjë s`është e pamundur. Për fatin duhet të jesh gati. Unë e kisha kënduar mbi 100 herë Violetën. E dija part-in përmendësh. Regjinë nuk e dija, por e mësova për 1 orë e gjysmë, 2 orë e gjysmë, sepse isha e fokusuar. Ishte diçka që unë e doja. Kur e do diçka me aq shpirt, kur ta do çdo qelizë e trupit, nuk ka vështirësi që të ta bëjë të pamundur. Pastaj aty ku është vështirësia më e madhe, është edhe oportuniteti më i madh.

Mira Kazhani: Ermonela, ky ishte debutimi yt i parë në nivel ‘top operash’. Këtu nisi shkëlqimi yt, por para këtij momenti, unë e di që ke vuajtur shumë. Ke sakrifikuar shumë dhe kemi një moment kur ti ishe në moshën 18 vjeç kur ke ikur në Itali. Ke qenë pjesë e një grupi që mentore kishte ish gruan e Pippo Baudo-s, Katia Ricchiarelli, që në një moment të caktuar Katia luante kumar dhe ju la në rrugë. Ti mbete vetëm. Ke pasur një javë që s`kishe ku të flije. Punove si dado. A mund ta tregojmë pak këtë momentin, se ka shumë rëndësi për publikun, për ata që mendojnë që fati i bën punët.

Ermonela Jaho: Është e vërtetë. Unë pata fatin, vitin e dytë që erdhi Katia Ricchiarelli. Të parin e kam bërë në Akademinë e Arteve dhe s`më mori. Nuk e binda vitin e parë. Vitin e dytë e kemi bërë në Opera. Tek holli ka qenë… Gjithë qejf. Dëshira e madhe. Thashë kam rastin të më realizohet ëndrra. Të shkoj në Itali për Bel Canto. Mbasi bëra këtë masterclass-in veror, qe një moment që unë doja të rrija më tepër. Ajo nuk arriti dot të përballonte ndoshta fondet, ose ndihmën që kishte marrë nga shteti. I kishte përdorur për bixhoz, për jetën e saj dhe u gjenda në mes të rrugës. Nuk kisha ku të shkoja. Të kthehesha mbrapsht? Thoja: Nëqoftëse kjo është ëndrra ime më e madhe, me vështirësinë e parë, unë duhet të kthehem mbrapsht? Thashë, jo. Mbaj mend kanë qenë pjesë e familjes së një dirigjenti në Itali që më thanë mua: Dëgjo, kemi një familje që kanë dy fëmijë. Po kërkojnë një “babysitter”. Ata janë në divorc e sipër. Do ti të rrish, të qëndrosh edhe të bësh studimet? Po të punosh për veten tënde?

Mira Kazhani: Edhe ky fat është. Për dikë tjetër do quhej sakrificë, por fati të ka dhënë dorën.

Ermonela Jaho: Çdo gjë që ndodh në jetë Mira, është sepse ti duhet… Mua s`më detyrohen as prindërit, as vëllezërit, as motra, as shoqëria, as Shqipëria. Është fati im. Ne lindim dhe vdesim të vetëm.

Mira Kazhani: Të zotët e vetes!

Ermonela Jaho: Të zotët e vetes. Ato ishin hapat e parë që unë po e shikoja jetën me sy tjetër. Kulturën, edukatën unë e mora nga familja ime, nga ky vend. Tani çfarë do bëja unë me atë? Kështu që thashë ok, patjetër. Po kjo familje kishte problem divorcin. U duhej një javë, sa të mbaronin letrat e divorcit, nuk duhej të futej askush tjetër brenda në shtëpi. Ligjet, secili vend ka të vetat. Më thanë do shkosh në hotel. Unë si krenare që isha, nuk kisha të ardhura, i thashë: Nuk dua të shkoj në hotel. Preferoj në një vend familjar. Po edhe s`kisha mundësi për të paguar. Ata e kuptuan. Pa ma bërë të rëndë. Pa më bërë mua të ndihem keq. Me të njohur, gjetën një familje tjetër. Po aty tek kjo familje ishte një apartament i braktisur. Nuk kishte energji elektrike. Nuk kishte ujë të ngrohtë.

Mira Kazhani: Nuk ka pasur asgjë.

Ermonela Jaho: Po sidoqoftë ishin katër mure. Ndiheshe e sigurt. Gjithmonë duhet të gjesh anën pozitive. Ndoshta e them unë tani! Shkova atje dhe kjo familja më tha: Për një javë mbarojmë problemet e divorcit dhe pas një jave do vish në shtëpi. Në Itali e quajnë “ragazza alla pari” që flinte në një dhomë atje dhe kujdesej për fëmijët, për shtëpinë. Thashë ok, nuk është se ishte ëndrra ime, por ishte një hap përpara për të ndenjur atje. Pastaj me pasaportë shqiptare kemi vuajtur jashtë mase. Mua më ka ndihmuar nga ana e karakterit, nga ana e sakrificës, por ka pasur edhe një lloj haraçi. Kështu që ndenja atje për një javë. Para se të ikte kjo zonja e shtëpisë tha: “Këta janë dyqanet. I ke këtu rreth e rrotull. Për të ngrënë, tha?” Kam për të ngrënë, i thashë unë. Edhe lekë kam, i thashë. Nuk kisha në fakt. Kisha vetëm lekë sa për një kartë telefoni që të qetësoja familjen, t`i thosha çdo gjë është në rregull. Mbaj mend, ajo javë ka qenë… S`di si ta shpjegoj. Unë kam qenë shumë e shëndoshë. Shumë e shëndoshë. Në atë javë rashë nga pesha. Nuk kisha mundësi të ushqehesha, por ushqehesha me muzikë. Kisha një regjistrator të vogël dhe ishte ajo ëndrra, sikur më vije në një peshore. Kjo është ëndrra, ajo muzika baroke, gjithë kohës, gjithë kohës… Ishin akoma ato bateritë e mëdha që mund të mbanin 4-5 ditë. Ana tjetër ishte kthehu në shtëpi, tek gjërat e sigurta në “comfort zone”. Nuk është se nuk doja të kthehesha në shtëpi. Më mungonte familja. Sidomos ne shqiptarët jemi mësuar kaq të lidhur me njëri-tjetrin. Krijohet një lloj empatie që edhe nëse motrën, mamanë, babain e ke në një vend tjetër, ty të mungojnë. Diçka që nuk përshkruhet. Po sikur atë anën shpirtërore ma mbushte muzika. Edhe po zbuloja që ishte një ëndërr që e donte gjithë qenia ime apo ishte një muzikë thjesht për t`u argëtuar? Mbaj mend thashë, jo. Gjersa ëndrra është kaq e madhe, rrugëtimi do të jetë i vështirë. Gjersa ëndrra është kaq e madhe, rrugëtimi do të jetë i vështirë. Ishte diçka që ia thoja vetes. I bëja një lloj terapie vetes. Nuk e di nga më vinte. Ndoshta më vinte sepse isha e rritur nga një baba idealist që ka mbaruar Filozofinë. Apo nga ëndrrat që thurja me tim vëlla, Fatos Jahon, që është mjek në Spitalin e Traumës, neuropsikiatër. Besonim në disa gjëra të jashtëzakonshme. Po fakti që ti i vizualizon, qoftë edhe në ëndërr, kjo nuk do të thotë që ti s`i kap dot. Kjo mënyrë më ka bërë të mbijetoj.

Mira Kazhani: Pastaj u takove me zonjën dhe ata dy fëmijët që kalove dy vjet me ta?

Ermonela Jaho: Po, kalova dy vjet me ta.

Mira Kazhani: Të kanë ndjekur tani ata djem ndonjëherë në ndonjë shfaqje?

Ermonela Jaho: Jo, hera e fundit jemi lidhur kur isha në Romë këtë vit për regjistrim. Panë në gazetë emrin tim. U shkruajtëm. Janë rritur. Më pëlqeu shumë një mesazh që shkruanin, sepse kujtonin në divorc e sipër, kur ishin në atë periudhë, në terapi e sipër, fëmijëve u thonin të vizatonin diçka kur i çonin tek terapistja prej divorcit të prindërve, dhe një nga ata çunat më thoshte: Të kujtohet që ne të vizatonim? Më vizatonin mua dhe një fëmijë të vogël. Se njëri ishte 6 vjeç dhe tjetri 4 vjeç. Më vizatonin që i mbaja të dy për dore. Kjo u kishte ngelur.

Mira Kazhani: Ishte Ervini, shoku yt i jetës, bashkëshorti yt në letra, se jeni shokë fëmijërie dhe shokë gjithë jetën, në jetën tënde në atë kohë? Ishit të dashur?

Ermonela Jaho: Me Ervinin ne kemi mbajtur gjithmonë kontakte me letra. S`ka pasur internet. Po janë ato historitë aq të bukura, sepse të kërkon më shumë impenjim kur shkruan letrën. Kërkon më tepër mendim. Nuk është diçka…

Whatsapp, për gjëra pune, për një shpejtësi përgjigjeje edhe mundet, por për gjëra të mëdha, çdo gjë e mirë ka kohën e vet. Ervini ishte në Amerikë. Unë isha në Itali. Shkruheshim. Më tepër sesa dashuria midis dy njerëzve, ishte dashuria midis dy shpirtrave që ndanim pasionin e muzikës. Edhe Ervini kishte shumë ëndrra për t`u bërë muzikant. Ai merret me muzikë. Merremi bashkë. E kam një nga kritikët më të ashpër, më të mirë, por kishte vazhduar jetën e tij në New York si inxhinier elektronik. Kishte ndryshuar dhe shkruheshim me një lloj admirimi, sepse unë isha njëçik më kokëfortja që thoja pa kompromis, “unë do arrij aty ku dua”. Do vazhdoj me këndimin, do vazhdoj me muzikën.

Mira Kazhani: Po si ia keni bërë Ermonela ta mbani të gjallë lidhjen tuaj? Unë e di, ti udhëton shpesh. Ervinit nuk i pëlqen të udhëtojë shumë. Do të qëndrojë në New York, në shtëpinë e tij. Ti shkon herë pas here. Po një lidhje në distancë prej sa vitesh? Më shumë se 25 ndoshta?

Ermonela Jaho: Po, 26-27 ndoshta. Janë ato dashuritë e forta. Nuk është njësoj. Po na ikën ne ndonjëherë dashuria për prindin? Jo. Për motrën, për vëllain, për fëmijën? Për gjërat që të lidhin? Ajo është dashuria e vërtetë. Është ajo që nuk ka distancë që ta zvogëlojë dhe ta bëjë më pa vlerë, më pak të vlefshme. Ka qenë shumë e vështirë, por ne jemi gjithë kohës në komunikim. Ndoshta komunikimi i letrave e krijoi këtë lidhje, qe një urë zemrash që nëpërmjet letrave vite më parë. Tani është telefoni.

Mira Kazhani: Po karriera jote mund edhe ta kishte dëmtuar. Se ti në një kuptim, iu dedikove karrierës tënde. Ti jeton për skenën. Është kaq e dukshme Ermonela.

Ermonela Jaho: Është e vërtetë. Por mos harrojmë që çdo artist është qenie humane në radhë të parë. Ka nevojë edhe për atë dhimbjen, edhe për atë mungesën, edhe për dashurinë, edhe për zënien që ta japin vetëm njerëzit e familjes, edhe një shok, edhe një shoqe. Artisti i vetëm nuk jeton dot. Sado të fokusohesh, por ti këndon ndjenjat humane të emfatizuara, ndjenjat humane universale. Si mund t`i kesh ti kur nuk ke një bisedë apo një zënie me një koleg. Apo një zënie me prindërit e tu. Apo një përqafim. Artisti po s`pati këto vërdallë, nuk ka çfarë jep. Edhe për mua Ervini është pjesë e suksesit, e karrierës sime, sepse besoj në dashuri të pakushtëzuar dhe koha vërteton është a s`është ai personi i vërtetë. Unë për atë dhe ai për mua.

Mira Kazhani: Duket se koha e ka vërtetuar. Përshëndetje nga Tirana Ervin! Bravo, çfarë fati që ke pasur! (qesh)

Relativisht jeton pjesën më të madhe të vitit vetëm. Jeton në hotele apo që atëherë vendose t`i refuzosh hotelet? Ku jeton? Se ke shumë produksione. Një muaj e gjysmë këtu, një muaj diku tjetër. Je tërë kohës në xhiro.

Ermonela Jaho: Jetoj nëpër apartamente të ndryshme. Shtëpitë e mia, apartamentet që merren me qira janë në të gjitha vendet e botës ku shkoj. Jo se nuk më pëlqen hoteli, por shtëpia të jep atë ndjenjën e një shtëpie. Në çdolloj apartamenti që shkoj, i krijoj vetes një fole të vogël. Një shtëpi timen të vogël, ku hyj e dal, i bëj gjërat siç dua unë. Kam atë ngrohtësinë.

Mira Kazhani: Sa shtëpi mund të kesh pasur ti?

Ermonela Jaho: Nuk e di. Kam pothuajse 30 vjet në karrierë dhe nuk e di. Mund të jenë me qindra. Nuk i kam numëruar.

Mira Kazhani: Diku ekspresi punon mirë. Diku lavatriçja jo.

Ermonela Jaho: Ato që duhet të funksionojnë gjithmonë është telefoni, interneti dhe palestra duhet të jetë afër. Interneti, palestra dhe kuzhina për të gatuar vetë. Këto janë tre gjërat që unë i dua. Mund të jetë edhe një vend i vogël fare. Nuk ka nevojë të jetë i madh. Qoftë edhe një dhomë. Se duhet ta gjesh sa më afër teatrit, ose sa më afër palestrës, jo gjithmonë janë apartamente të mëdhaja në qendër. Po qoftë edhe një dhomë të jetë, një monolokale, mjafton të ketë internetin, se është komunikimi me njerëzit…

Mira Kazhani: Komplimente! Je e palestruar. Sa vite ke që palestrohesh kështu? Se je gjithë muskuj. Nga afër je shumë më e fuqishme dhe e fortë në trup. Më kishe krijuar përshtypjen nga ekrani që ishe më “petite”, më e vogël, por je shumë më muskuloze.

Ermonela Jaho: Kam disa vite. Arsyeja e parë ka qenë sepse nuk doja të hyja në skenë pa një lloj elegance. Ma kanë thënë më parë që në Itali: Ah, vjen nga Shqipëria. Këta nuk kanë gjë. Nuk bëjnë. Flas në fillimet e mia. Artisti ka një klas tjetër. Jo se nuk më pëlqejnë komplimentet, por gjithmonë shihja ku e kisha defektin.

Mira Kazhani: Çfarë zhive? I ke kopjuar, i ke parë të gjitha.

Ermonela Jaho: Që ta përmirësoja. Dhe thashë, ok. Kam qenë rreth 30 kg më shumë. Thashë do filloj me palestrën. Fillova me palestrën avash avash. Më ndihmoi shumë nga ana fizike, por edhe nga ana psikologjike. Se të lodh. Është një lloj terapie. Ti lodhesh fizikisht, edhe nuk ke shumë kohë, edhe gjumin përpiqesh ta bësh më mirë. Se nuk ke atë kohën si më përpara që shkoja në gjumë edhe mendoja: Çfarë të bëj? Si mund t`i ndihmoj njerëzit e familjes? Si mund të arrij atje? Si mund të korrigjoj atë? Si mund ta bëj atë? Fillon truri shkon në superxhiro dhe ti nuk ndalon më.

Mira Kazhani: Bën film truri. Truri i shqiptarëve…

Ermonela Jaho: Ia kalon çdo lloj fantazie. Nga kjo anë më ndihmoi. Më ndihmoi të prezantohesha ndryshe në skenë. Më ndihmoi edhe nga ana profesionale, sepse ne këndojmë pa mikrofon dhe fuqia jote kur je 20 vjeç, 25, ja të themi dhe 30 është fuqia natyrale e të qenit i ri. Më pas, mbas asaj moshe, bie trupi, bien muskujt se është e natyrshme, mbas moshës 30-33 vjeç, masa muskulare fillon e bie çdo vit.

Mira Kazhani: Po, po ligji i rëndesës.

Ermonela Jaho: Saktë.

Mira Kazhani: Gravita, thoshte Cameron Diaz.

Ermonela Jaho: Nuk doja me kalimin e moshës të ndihej edhe në këndimin tim, si shumë kolegë. Kur nuk funksionojnë muskujt e trupit… Se trupi është muskul emocional. Nuk janë thjesht kordat e zërit që prodhojnë tingull. Je e gjitha. Për të evituar shumë koleget e mia, që në një moshë të re, duke pasur një zë të bukur etj etj, mbas asaj moshës së re, fillon zëri yu, yu, yu (imiton), fillon një lloj vibrato që vjen dhe është diçka që nuk shkon. Kam qenë tepër e hapur, e kujdesshme.

Mira Kazhani: Observatore. I ke marrë si sfungjeri. E ke përthithur ujin. I ke marrë gjithë të mirat.

Ermonela Jaho: Jam përpjekur ta përmirësoj veten time pa imituar askënd. Para dy javësh bëra 48 vjeç dhe…

Mira Kazhani: Edhe 100!

Ermonela Jaho: Faleminderit shumë!

Mira Kazhani: Qenke një Gaforre?!

Ermonela Jaho: Gaforre 360 gradë. E kam parë që ritmi i punës që kam është më intensiv se më parë. Nuk shkon duke u rinuar njeriu, por të qenurit në formë më ka ndihmuar jashtë mase. Kështu që më është bërë pjesë e jetës.

Mira Kazhani: Bën shopping në shtëpitë e ndryshme? Në qytetet e ndryshme?

Ermonela Jaho: Raporti me shopping nuk është ai që mund të duket, i një artisti që mezi pret të shpenzojë. Unë për shopping shkoj vetëm kur më mungon diçka. Nuk e di, ta themi në mënyrë të thjeshtë. Më mungojnë një palë geta. Do vesh një fustan në teatër që mund të rrijë pakëz i ngushtë. Getat të shtrëngojnë mirë. Ose kur janë fustanet, jam me fat se për fustanet e koncertit gjithmonë kam preferuar stilistët shqiptarë dhe në njëfarë mënyre më ka zënë shpirti paqe se më njohin. Prandaj ka qenë dhe një përgjegjësi e madhe e trupit, për të qenë në formë, për t`u prezantuar me krijimet shqiptare. Një njeri që ka ndikuar shumë në prezencën time, ka qenë Mirela Nurçe, të cilën e përshëndes. E kam takuar tek Fadil Berisha. Fadil Berisha, fotografi tjetër shqiptar në New York, i cili ka ndikuar në imazhin tim jashtë mase. Se më thoshte: Mirë, ti je në formë, por duhet që fotografitë të jenë të bukura. Ai i bën një publicitet aq të madh, me një dashuri të pakushtëzuar figurës së femrës shqiptare.

Mira Kazhani: Kështu janë edhe Barraka Production që po xhirojnë sot. Kaq bukur po del. (qesh)

Ermonela Jaho: Fantastike! Kështu që herës tjetër jam me juve.

Mira Kazhani: Megjithatë Ermonela, ke të drejtë për shopping, se në fakt një njeri që investon kaq shumë me trupin, me linjat, me talentin, me punën, një fustan i thjeshtë e bën të duket shumë bukur.

Ermonela, ku ndjehesh ti në shtëpi tani?

Ermonela Jaho: Në këtë moment nuk ndihem në shtëpi në asnjë vend. Të jem shumë e sinqertë!

Mira Kazhani: Ndoshta në skenë?

Ermonela Jaho: Skena po. I vetmi vend ku jepem 100% është skena. Jo se në familje nuk jepem 100%, por ndoshta të ndjerit e të qenurit larg familjes dhe kur kthehesh do të kompesosh. Kthehesh në ekstraxhiro, do të bësh më shumë, më shumë.

Mira Kazhani: Jep më shumë dhe lodhesh më shumë ndoshta.

Ermonela Jaho: Lodhesh më shumë. Se edhe gjërat e bukura, dashuria, të lodh.

Mira Kazhani: Janë shumë të lodhshme. Kërkojnë mund.

Ermonela Jaho: Por aty ku jam vetja ime është skena. Skena është dimensioni im. Skena është ku mund të qaj me të madhe. Mund të qesh me të madhe. Mund të emocionohem me të madhe. Se sikur bën njëçik llogari me veten tënde dhe me gjërat e tua të jetës tënde vërdallë, sepse nuk ndikohesh nga askush. Skena për mua është një lloj kafaz kraharori ku merr frymë. Ndihesh e lirshme. Thua çdo gjë pa asnjë lloj gjykimi. Nuk ndihesh e gjykuar pse the këtë gjë, pse the atë gjë. Të çon në një dimension tjetër. Në një dimension që duhet të shkoj vetëm. Ndjen sikur shpirti të del nga kraharori, sikur nuk ndjen më tokë. Nuk ndjen. Është ai efekti që të bën…

Mira Kazhani: Hyjnore!

Ermonela Jaho: Mund të quhet hyjnore. Çdolloj terminologjie mund t`i vë, por shkon në një dimension tjetër. Me kalimin e kohës, eksperienca e jetës, më ka bërë që këto kohët e fundit, sa herë hyj në skenë, kur dal, puth skenën se them: Ndoshta kjo është hera e fundit. Ka momente që hyj në skenë, shkoj në atë dimension dhe nuk dua të kthehem më mbrapsht. Kjo nuk është e trishtuar. Se nëqoftëse më dëgjojnë familjarët… është një ndenjë që nuk gjej dot fjalët ta përshkruaj. Është shumë e fortë. Një dimension human që të gjithë ne e kemi pa përjashtim. Nuk është se po them unë diçka të jashtëzakonshme. Të gjithë ne e kemi. Po duhet të arrish në atë atë pikë. Ndoshta kam gjetur unë çelësin e kanalizimit të të gjitha ndjenjave të mia. Të të gjitha ngjyrave dhe kur e lë shpirtin të fluturojë nuk e kontrollon. Nuk manipulon asgjë. Është vetja jote.

Mira Kazhani: Takojmë njerëz që e duan punën, po nuk kam takuar ende një njeri që ta dojë punën e vet kaq shumë sa ti. Se punë është skena jote.

Ermonela Jaho: Punë është se bën jetesën. Është e kot t`i vëmë fjalë të bukura. Unë bëj jetesën, por për mua është edhe një lloj terapie. Nëpërmjet punës unë kam zbuluar që është terapia ime. Kur më pyesin për raportin me famën, kur marr ndonjëherë ndonjë lloj komplimenti, ok të bëhet qejfi, por për mua është më shumë se aq. Është një katars total. Është edhe e vështirë, sepse kur shkon në atë dimension është diçka që nuk e bën dot gjithmonë. Jo çdo shfaqje të çon në atë dimension se ndryshe nuk do ishte magjike, nuk do ishte kaq e veçantë. Bëhet edhe një lloj droge, sepse për mua kohët e fundit është bërë një torturë e jashtëzakonshme. Dua të shkoj në atë dimension gjithë kohës, por nuk e bën dot. Se janë shumë faktorë: faktorë subjektivë, objektivë. Se ti nuk je vetëm në skenë. Është bërë një torturë jashtëzakonisht e madhe. Se ngaqë do të shkosh atje, bëhesh “addicted”, si një lloj droge. Sa herë futem në skenë kohët e fundit, rrallë janë ato momente që shkon atje. Momentet e tjera e torturoj veten. Është një torturë aq e madhe se thua, ja sot nuk vajti atje, domethënë unë nuk kam kënduar mirë. S`vajti atje, sepse s`bëra mirë këtë. Fillon edhe është një… s`ta shpjegoj dot.

Mira Kazhani: Betejë e brendshme. Sistematike.

Ermonela Jaho: Agoni. Është një agoni e madhe.

Mira Kazhani: Në fillim bëra një pyetje, Ermonela Jaho: Një njeri më afër Zotit apo më afër tokës? Të dyja i paske këto dimensione. Herë më afër Zotit, herë më afër tokës.

Ermonela Jaho: Të gjithë i kemi. Çdo qenie humane i ka këto dimensione. Çdo qenie humane i ka këto. Pa përjashtim. Është si talenti. Ti arrin majat, por është diçka që ajo që është e veçantë, nuk po them e jashtëzakonshme, është sa je ti, sa forcë ke ti për të luftuar, për t`i nxjerrë jashtë, për t`i prekur këto dy gjëra. Qoftë edhe të qenurit të Zotit, të qenurit human, të dyja i kemi bashkë. Varet sa lufton për këtë gjë. Sa punon.

Mira Kazhani: Çfarë ndodh pas shfaqjes? Si është jeta pas shfaqjes? Si është shpirti yt, si ndihesh kur mbaron një shfaqje dhe ikën në një nga shtëpitë e tua të shumta?

Ermonela Jaho: Një vetmi totale. Një boshllëk që ndonjëherë them: Pse u ktheva prapë në këtë realitet? Pse u ktheva në jetë? Je shumë e mpirë, je shumë bosh. Ndonjëherë në fund nuk dua të marr as duartokitjet. Më ka qëlluar që deri në fund shikon njerëzit që duartrokasin, sheh figura që bëjnë këtë veprim, por nuk dëgjon zhurmën. Je në një gjendje, më duket një lloj dhunë e imja shpirtërore që shkoj, dal e marr duartrokitje. Në atë moment mbaron pjesa që po këndoj. Dua të jem në krevat. Dua të jem në shtëpi. Po edhe kjo është pjesë e jetës. Ke njerëz që të takojnë. Thonë: Bravo!

Mira Kazhani: Pjesë e jetës tënde!

Ermonela Jaho: Fillon e merr në telefon. I them Ervinit që çdo gjë shkoi shumë mirë. I them vëllait. Se vëllai i madh tani që nuk janë prindërit, ai është gjithmonë në atë merakun e motrës së vogël. Do ta dijë si po shkojnë gjërat. Menaxherit, që çdo gjë shkoi në rregull.

Mira Kazhani: Në fund je vetëm.

Ermonela Jaho: Në fund je vetëm dhe mund të rrish gjithë natën pa mbyllur sytë. Se fillon e bën një lloj rezymeje. Fillon jeta nga e para. Pastaj fillon ajo tortura, agonia që thua, prit, i bëra të gjitha unë sot mirë. E bëra këtë? E dhashë atë lloj emocioni? U bë kjo?

Mira Kazhani: Nëse nuk do ishte ndezur drita e madhe jeshile për ty – ti mund të kishe bërë gjëra të mesme, po ndoshta atë shkëlqimin që ti e kërkove me aq shumë punë edhe me shpirtin tënd, mund të mos e kishe arritur – mund të kishte ndodhur që të ishe kthyer në Shqipëri dhe ta kishe jetën këtu. Do kishe pasur të njëjtën karrierë në Shqipëri besoj?

Ermonela Jaho: Do të të zhgënjej pak me këtë përgjigje, por është përgjigje e drejtpërdrejt. S`e kam thënë ndonjëherë. Unë nuk e di a do më fusnin edhe në kor.

Mira Kazhani: Pse jemi kështu ne?

Ermonela Jaho: Jemi një vend i vogël, me talente. Secili prej nesh ka një talent fantastik. Të gjithë lindin me një talent. Nuk ka vend për të gjithë fatkeqësisht.

Mira Kazhani: Po ne jemi kaq pak.

Ermonela Jaho: Po sepse të gjithë duan të jenë numër 1. Nuk ka vend për të gjithë, për të qenë numri 1. Edhe për të vajtur tek ai numri 1, janë gati për t`i pushkatuar të gjithë, për të arritur. Edhe pse ti e sheh, dikush tjetër është më mirë se ty, nuk e pranojmë dot. Edhe nuk e pranojmë dot atë që flet gjuhën tonë. Që kemi ndarë atë bukën me gjalpë apo që jemi ulur bashkë, kemi pirë një kafe. Unë atij nuk ia fal të jetë numri 1. Kjo është logjika jonë. Nuk ta fal! Të vijë dikush tjetër që nuk e njoh, jam gati ta pres. E kam vënë re këtë gjë. Në fillim e vuaja jashtë mase, sidomos për prindërit e mi, për babin, sepse babi ishte shumë i drejtë. Thoshte, ti e ke bërë këtë gjë, pse nuk e thonë në gjuhën tënde që Ermonela ka bërë këtë, këtë, siç po thonë për … I thashë: Babi, nuk ka gjë. Po e vuaja jashtë mase, se shikoja tim atë që vuante. Me kalimin e kohës, e mësova që është pjesë e genit tonë. Siç kemi gjëra shumë të mira, është edhe pjesë e genit tonë. Para se të vdiste babi, i thashë nga njëra anë kjo më ka bërë edhe më të fortë. Unë po të mos kisha këto bërrylat apo çdo gjë, ndoshta nuk do përballoja shumë gjëra.

Mira Kazhani: Inati shpeshherë të bën të shkosh përpara. Është ndjenjë më e fuqishme sesa ëndrra.

Ermonela Jaho: Absolutisht. Se ti nuk e realizon dot ëndrrën po s`pati një inat të atillë. Por inati i përdorur për të përmirësuar ti veten. Jo inati dhe talenti, energjia që ke, për të shkatërruar tjetrin.

Mira Kazhani: Ndoshta është diçka genetike?

Ermonela Jaho: Është genetike, mendoj se edhe sot e kësaj dite. Te mua ka bërë një efekt tjetër, unë kur shoh, një këngëtar…

Mira Kazhani: Kam dëgjuar që i ndihmon shumë.

Ermonela Jaho: Jo vetëm këngëtarë. Gazetare…

Mira Kazhani: Faleminderit (qesh).

Ermonela Jaho: Një artist tjetër, ose kur flitet shqip me këta çuna të mrekullueshëm këtu, ose kur dëgjoj shqip jashtë përlotem, se them shih dhe ne ia arritën. Ke një lloj krenarie sidomos kur ke vuajtur shumë, e kupton se çfarë na është dashur. Kemi paguar haraçet e një jete, e një lloj politike.

Mira Kazhani: E gabimeve të mëdha politike.

Ermonela Jaho: Ti i paguan si popull dhe ne harrojmë që duhet të duam njeri-tjetrin. Ka vend për të gjithë. Bota, fakti që kemi lindur të gjithë do të thotë që të gjithë, secili prej nesh ka vendin e vet. Dhe mendoj se në momentin që do duhemi pakëz më shumë, se kështu jemi të dashur dhe fjalët i kemi në ekzagjerim, “vdeksha unë për ty”, “do vras veten për ty”, “o shpirt, o zemër”, ashtu e kemi edhe urrejten. Por kur merr anën e dashurisë, në momentin që do e duan njëri-tjetrin pakëz më shumë, do e respektojmë, secilin për ato gjëra që bën, bëhemi qenie humane më të mira. Do tërheqësh më të mirën nga secili prej nesh dhe jo vetëm aq, por do jemi një popull më i mirë. Jemi kaq të vegjël. I kemi të gjitha nga ana e natyrës, jemi të bekuar. Nuk e ka fajin vendi, nuk e ka fajin natyra, është mentaliteti. Prandaj i kthehemi pyetjes dhe po të them, që unë nuk e di a do futesha a s’do futesha dot në kor. Unë kur vij për diçka për një koncert apo të jap eksperiencën time e shoh prapë këtë gjë. Edhe e shoh nga njerëz me të cilët ti ke studiuar, me njerëz që ti i thua ‘po secili ka vendin e vet’ dhe është gjë e bukur sepse ti kthehesh në shtëpi. Emocioni është më i madh kur këndon këtu. Unë kur këndoj këtu ndihem e gjykuar nga të gjithë pa përjashtim. Sikur më gjykojnë edhe çfarë këpuce ka veshur. Është veshur me firmë? Si i ka bërë flokët? Është një lloj gjykimi, presioni dhe mendoj se është mirë që të gjithë ne të bëjmë paqe. Sepse të gjithë artistët e kanë, nuk dua të flas me emra, kam folur me shumicën e tyre dhe të gjithë e kanë. Kanë dëshirë për një shprehje, mund të thuhet aprovim, por vlerësimi në gjuhën tënde ka një vlerë tjetër. Ti do thuash je bërë atje artiste e madhe, të respekton gjithë publiku, gjithë bota, kur vjen këtu është ai emocioni…unë hyra këtu, filluam intervistën bashkë, po dridhesha…

Mira Kazhani: Dhe u habita pak pse duhet të dridhesh ti, por të kuptoj.

Ermonela Jaho: Është ajo energjia, është empatia. Unë në këtë vend u rrita me një empati, që u bëra koshiente më vonë.

Mira Kazhani: Ke ndonjë peng nga Shqipëria? Ke ndonjë hatërmbetje?

Ermonela Jaho: Jo. Asnjë hatërmbetje nuk kam. Dëshiroj me gjithë shpirt të shoh mirë e më mirë dhe nuk është thjesht klishe ta thuash.

Mira Kazhani: Tani do bëjmë pak thashetheme (qesh). Ke takuar shumë njerëz figura të mëdha, unë e di që ke pasur në audiencë edhe Mbretëreshën Elizabeth. Ndonjë lule apo kartolinë prej saj? Apo takime me të tjerë mbretër? Kë ke takuar që të ka impresionuar dhe që mund të na e tregosh? Ose edhe dikë që s’të ka pëlqyer shumë.

Ermonela Jaho: Në Londër janë gjërat më zyrtare, monarkie bëhet një përulje…

Mira Kazhani: Mbretëresha nuk takohet, askush s`e takon.

Ermonela Jaho: Më pas janë përfaqësuesit e Shtëpisë Mbretërore që thonë faleminderit artistëve ose një tufë me lule, por nuk është se e dërgon mbretëresha.

Mira Kazhani: Distancimin social Monarkia e ka patur me kohë.

Ermonela Jaho: Ata që kanë qenë më të afrueshëm, që më kanë bërë përshtypje, kanë qenë Mbretëresha në Hollandë dhe Mbreti dhe Mbretëresha Spanjolle.

Mira Kazhani: Letizia. Edhe ajo me palestrën është mirë.

Ermonela Jaho: Ajo me palestrën gjithmonë. Me një lloj distance, sepse sidoqoftë distancën do e mbash.

Mira Kazhani: Po Letizia ka qenë gazetare, e paska harruar.

Ermonela Jaho: Ka qenë gazetare, por me atë vështrimin, jo me atë dashurinë siç ishte Mbreti.

Mira Kazhani: Mbreti Filip?

Ermonela Jaho: Ai përqafime, shumë familjar. Unë kam vajtur kam hapur stinat dy-tre herë në atë teatër dhe e mbante mend dhe tha: “Ti je ajo shiptarja që ka kënduar vitin e kaluar” - shumë i kujdesshëm i disa detajeve për të të lidhur me njerëzit, me artistin. Ai më ka lënë më shumë përshtypje. Përshtypjet më familjare mund të them, se ne i shohim me ato sytë, është monarkia që gjithmonë i kemi parë me atë distancën. Por në Hollandë dhe sidomos në Spanjë kanë qenë më shumë familjarë.

Mira Kazhani: Bravo Mbreti Filip! Tamam Mbret!

Ermonela Jaho: Tamam Mbret! (qesh)

Mira Kazhani: Siç e kemi përfytyruar të vegjël njeri të mirë, të dashur, të bukur, të gjatë. Bukur shumë!

Ermonela Jaho: Ekzakt.

Mira Kazhani: Për ta përmbyllur Ermonela. Si e mendon kapitullin tënd të tretë, jetën pas skenës. E mendon në Shqipëri? E mendon në New York me Ervinin duke ecur në Park, duke shkruar ndonjë libër?

Ermonela Jaho: Kapitulli i tretë… në këtë moment që ndodhem, çdo ditë për mua është si dita e parë dhe e fundit e jetës time. Përpiqem ta jetoj në maksimum. Nuk mendoj për të nesërmen, sepse ndoshta s’kam më ëndrra, nuk kam pengje, kërkoj të përmirësoj veten time maten me Ermonelën e djeshme. Thjesht t’i jap një kuptim jetës me ato mundësi që kam dhe pse jo përpiqem t’i jap eksperiencën time brezit të ri, duke treguar të vërtetën dhe duke u lidhur me këtë të fundit që thashë ndoshta, ndoshta nëqoftëse kthehem, kapitulli i tretë i jetës time do të jetë aty ku fillova, në Shqipëri. Sepse ka shumë nevojë, jo sepse do të sjell unë diçka të re, por është një rrugëtim dhe një detyrim i imi që unë ia dola, edhe ti mundesh.

Mira Kazhani: Të lutem bëje! Kthehu këtu.

Ermonela Jaho: Asgjë nuk është e pamundur, dola me ato vështirësitë që kanë qenë në 93-shin, ja ku jam dhe është një detyrim i imi si qenie humane, si artiste, si qytetare e botës për t’u kthyer aty ku fillova.

Mira Kazhani: Ermonela faleminderit! Është një intervistë, një bisedë, një video-podcast që dua të shkojë shumë sidomos te të rinjtë, por edhe te mosha e mesme, te të gjitha moshat, sepse është një leksion nxitës se si të këmbëngulësh. Po të të kisha pyetur, - e kisha menduar si pyetje, por ti ma dhe -- që cila është filozofia jote në jetë, unë e kuptova: Ta duash shumë punën që bën dhe të mos harrosh kurrë nga vjen. Duket që je ngjitur shumë lart, por ndihet në çdo rresht edhe në çdo qelizë tënden që nuk e harron nga ke ardhur dhe je shumë e thjeshtë. Komplimente për thjeshtësinë tënde dhe për faktin që ke vënë këtë paqe me veten dhe s’kishe fare kështu hatërmbetje apo ndonjë nëntekst. Krejt e vërtetë. Nuk kishe më filtra, mesa kuptova. I the gjërat siç i mendon.

Ermonela Jaho: Faleminderit ty Mira, sepse më bëre të ndihesha sikur fola me një shoqe, që jemi rritur bashkë, me atë natyrshmërinë, sepse edhe të thuash, të jesh e vërtetë, siç e thashë edhe më përpara duhet të kesh personin e duhur, në mënyrën e duhur të komunikimit, të nxjerrin më të mirën, më të vërtetën tënde.

Mira Kazhani: Faleminderit Ermonela! Faleminderit për shembullin tënd dhe për atë që je dhe shumë suksese!

Ermonela Jaho: Suksese dhe ty faleminderit!

Fati është karakteri yt

Podcasti "Zë me Mirën" u mbështet nga Credins Bank

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore