12 lajmet më të lexuara të vitit në TIP

Në vend të Fifit

Ky është një ndër lajmet më të lexuar të vitit 2021 në Tiranapost.al

Në vend të Fifit

Këtë vit nuk e kam ndjekur "Big Brother Vip" nga shtëpia, por Olti Curri, Anjeza, Tefta, më kanë mbajtur të azhornuar.

Olti Curri meriton medaljon për pushtetin e komentit, ai tregoi që është televizioni vetë! "Big Brother" është një eksperiment social tërheqës. Çfarëdo të thonë moralistët, intelektualët, ziliqarët, xhelozët, të mërzitshmit, ai është formula më joshëse për audiencat. Por çfarëdo të thonë pala tjetër, "Big Brother" nuk është televizion, gjithmonë nëse televizioni është ai që bën Rai, BBC, Canal+.

Fakti që pas telenovelave ne sot i japim shoqërisë tonë (që është kaq me nerva edhe me një artiste si Fifi, që ka problemet e saj) shqyerjen e personaliteteve të njeriut, degradimin, tradhtinë, vesin, sëmundjen, ankthin, depresionin, sidomos dhimbjen, tregon se të gjithë e kemi një krizë, jo vetëm Fifi. Ne gjykojmë dikë që është në dhimbje dhe nuk gjykojmë reagimin ndaj njeriut që ndjehet keq?! Kush është i keqi ose më i keqi?!

Ne gjykojmë një banor dhe jo Shtëpinë?! Ne gjykojmë Shtëpinë dhe jo të zotin?!

Kjo është kriza më e madhe që kemi dhe që i ikim duke sulmuar tjetrin, sepse ashtu e shpëtojmë a fshehim veten. Rrjeti peshkohet lehtë dhe faktet s’i interesojnë kujt sot. Rruga më e thjeshtë është të gjykosh më lehtë një njeri sesa një mentalitet. Padyshim kush futet në një eksperiment social duhet të bëhet gati për kryqëzimin. Kush është njeri publik duhet të kthejë faqen tjetër kur merr shuplakë. Njerëzit me profil publik janë bërë si adresa spitalesh psikiatrike, ku është si e gjithëpranuar që ata të durojnë. Me botën "online" thjesht u bë më masive, sepse gazetat, revistat, televizioni kanë qenë gjithnjë aty, duke ua nxirë jetën, duke ua përshkallëzuar sëmundjet, dobësitë. Dhe sigurisht shoqëria sot nuk mund të mjaftohet as me talentin dhe as punën e një të famshmi, karakteri dhe sjellja është po aq e rëndësishme, por veç duhet të kujtohemi se sot është e vështirë të gjesh artist normal apo shkrimtar normal. Keni parë ndonjë shkrimtar me flokët në anë dhe korrekt? Njerëzit janë produkt edhe i jetës së tyre dhe po aq pasoja të talentit. Le ta duam Fifin për muzikën e saj dhe le të jetë ajo një nga artistet që do të ketë forcën të flasë për shëndetin mendor, sepse një artist është gjithmonë më afër Zotit. Ka çelësa që di të hapë mendjet e njerëzve. T’i prekë në tela

Askush nuk zgjedh të ketë luhatje, të ketë dhimbje. Ato na zgjedhin dhe vijnë nga honet e fëmijërisë, të adoleshencës, shpesh një mbipeshë, shkak për bullizëm, shpesh edhe nga bukuria, shkak për sulme. Shumë shpesh një dashuri, një refuzim… Mijëra arsyeje!

Të gjithë duan të jenë të konfirmuar nga të gjithë, të kenë njeriun që dashurojnë, të kenë punën që meritojnë, shtëpinë që ëndërrojnë. Vetëm se disa gjejnë shtëpinë e gabuar në të gjitha kuptimet.

Nëse ka një gjë për të cilin vlen ky debat është shëndeti mendor. Është për të ardhur keq që psikologët apo psikiatrit nuk janë përfshirë në një debat të gjallë dhe mbyllen në dhomat e terapive vetëm.

Bota online është një pompë toksike dhe përveçse çliron helm, nuk bën asnjë punë të mirë.

Po të isha në vend të Fifit, kësaj artisteje shumë të talentuar, që di të shkruajë e bëjë muzikë aq të bukur, do të doja të bëhesha sot ambasadore e çështjeve të shëndetit mendor.

Uroj që ajo ta lexojë këtë shënim!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]