Tip Talk

11 pyetje nga TIP/ Sokol Balla mbi ujë

Mira Kazhani: Kujt do t’ia lije çelësin e shtëpisë nga këta njerëz: Edi Ramës, Endri Fugës, Lulzim Bashës, Ilir Metës, Erion Veliajt, Erion Braçes, Ditmir Bushatit, Azem Hajdarit, Sali Berishës... Sokol Balla: Edi Rama do ta humbte, Endri Fugën nuk e kap më dot se është jashtë. Basha? Hmmm, jo ide e keqe, por me kusht që ta mbajë bashkë me çelësin e PD. Ilir Meta do ia jepte Çim Pekës dhe ai do ta kthente në portal dhe tani kam portal vetë. Erion Veliaj është një kandidaturë e mirë, por me 120 takime në ditë, hajde gjeje kur të duhet të kthehesh në shtëpi. Ditmiri është europian i shtëpive pa çelësa e dritare dhe ndruhem se për ketë s’i ka ardhur akoma koha shtëpisë sime. Midis Azemit dhe Doktorit s’do kisha zgjedhje, por meqë “Azemi është gjallë” vetëm në mitingje dhe Saliu gjithë kohës, kam preferuar t’ia jap amerikanëve për 6 vjet. Do ia jepja falas, por ata insistojnë që ta mbajnë me pagesë. Siç tha dhe Lu në intervistë para një viti: “Ne amerikanët bëjmë oferta që ju s’mund t’i refuzoni”. Dhe s’kanë filluar akoma. Duroni...
11 pyetje nga TIP/ Sokol Balla mbi ujë

Mira Kazhani: Pse një spot ‘naked’ një bisedë nën ujë, që dhemb por që prapë del i gjallë?  Ky je ti apo politika/gazetaria, jeta publike?

Sokol Balla: Kjo është e vërteta. Prova më e fortë ka qenë ky vit. E vërteta u fut në ujë, por ajo fliste, e zhveshën, por nuk e turpëruan. E dhunuan por ajo foli e po flet sërish. Unë mendoj kam qenë me krahun e së vërtetës. Kështu që kam ndarë e ndaj dhimbjet me të. Qoftë me një foto vere në pishinë.

Mira Kazhani: Dobësitë mund t’i kthejmë në avantazhin tonë, mund të jetë edhe kjo?

Sokol Balla: Dobësia e së vërtetës është që kur ti e godet, ajo s’të kthen dorë. Por ti kthen kokën dhe ajo është prapë aty. A thua është vallë dobësi?

Mira Kazhani: Po fotoja më pronarin Hysenbelliu? Dobësi? Punë? A nuk është pak e lodhshme të mbash raporte me pronarët? Më duken të gjithë një prerje!

Sokol Balla: Për fat ata mendojnë ndryshe për ne dhe kjo është e rëndësishme. Po të merrem vetëm me portale s’do harxhoja asnjë sekondë kohë me opinione për të tjerët. Por duke filluar nga Frangajt e vazhduar me Grupin H: Pa çmendurinë e tyre në Shqipëri do kishte vetëm RTSH. Unë ndërkohë aty do isha, po them për qindra vajza e djem që duan TV. Po ata?

Mira Kazhani: Ty në të gjitha rastet do të gjeja dhe meqë jemi tek gazetaria sot:

Çfarë e ka mërzitur liderin e opozitës Lulzim Bashën me ju? Fillimisht Meta, pastaj Basha. Në thelb çfarë është kjo që po ndodh mes gazetarëve “Prime time” dhe politikës. O je i njërit, o je i tjetrit!

Sokol Balla: Lut Dervishi e kishte shkruar shumë bukur dhe s’dua t’i shtoj, t’i heq më tepër. Por është një odise 27-vjeçare për mua: Politikanët gabojnë, ne vazhdojmë punën. Ne që merremi dhe ruajmë të vërtetën kuptohet. Zagarët e fjalës së lirë pastaj janë gjë tjetër. Edhe ajo mund të quhet dobësi e të vërtetës? Përse i lë ata të gjallojnë? Përgjigjja: Sepse kështu ajo del dhe më e pastër në kontrast me pisllëkun e tyre.

Mira Kazhani: I shan edhe kryeministri këta shumë, edhe meqë erdh fjala tek Edi Rama, si shofer që nuk është në jetë por ka timonin e qeverisë, si po nget?

Sokol Balla: Makina ecën vetë. Kabineti i fundit është në kontroll të tij dhe vetë Rama duket ka nxjerrë disa mësime. Kjo krizë nuk e nxori atë humbës, por duhet ta ketë futur shumë në mendime. Ka ministra shumë të mirë, por nja dy rrinë aty vetëm se janë gra. Kumbaros për shembull kjo nuk i mjaftoi. Përse duhet t’i mjaftojë Margaritit? Nëse financat nuk shkojnë mirë, dhe ti ndërron vazhdimisht Dogana e Tatime dhe ato prapë shkojnë keq, kë mendon se duhet të ndërrosh kësaj radhe? Por e vërteta është se “lulëzimet” e qeverisë, ato që janë, janë më shumë prej Lulëzimit sesa prej Edit. Për herë të parë në histori jemi zyrtarisht pa opozitë. Dhe këtu s’ka faj Edi, as amerikanët, bile as gjermanët. Kjo është e vërteta lakuriqe. E plagosur, por që po del nga uji e po flet sërish. Si një sirenë e lënduar nga fyerjet. Dhe thuhet se sirenat magjepsnin me zërin e tyre. Ajo ishte arma e tyre.

Mira Kazhani: Kujt do t’ia lije çelësin e shtëpisë nga këta njerëz: Edi Ramës, Endri Fugës, Lulzim Bashës, Ilir Metës, Erion Veliajt, Erion Braçes, Ditmir Bushatit, Azem Hajdarit, Sali Berishës...

Sokol Balla: Edi Rama do ta humbte, Endri Fugën nuk e kap më dot se është jashtë. Basha? Hmmm, jo ide e keqe, por me kusht që ta mbajë bashkë me çelësin e PD. Ilir Meta do ia jepte Çim Pekës dhe ai do ta kthente në portal dhe tani kam portal vetë. Erion Veliaj është një kandidaturë e mirë, por me 120 takime në ditë, hajde gjeje kur të duhet të kthehesh në shtëpi. Ditmiri është europian i shtëpive pa çelësa e dritare dhe ndruhem se për ketë s’i ka ardhur akoma koha shtëpisë sime. Midis Azemit dhe Doktorit s’do kisha zgjedhje, por meqë “Azemi është gjallë” vetëm në mitingje dhe Saliu gjithë kohës, kam preferuar t’ia jap amerikanëve për 6 vjet. Do ia jepja falas, por ata insistojnë që ta mbajnë me pagesë. Siç tha dhe Lu në intervistë para një viti: “Ne amerikanët bëjmë oferta që ju s’mund t’i refuzoni”. Dhe s’kanë filluar akoma. Duroni...

Mira Kazhani: Kujt ia beson një sekret sot, apo sekreti nuk ndahet?

Sokol Balla: Nëse ka interes publik, lexuesve. Nëse s’i hyn askujt në punë, e harroj. Tashmë kam aq pak gjëra të paditura për mua, saqë nuk lodhem më fare t’i ruaj vetëm për veten time.

Mira Kazhani: Çfarë ka mbetur reale në Tiranë?

Sokol Balla: Real Story është një prej tyre. Fillon në News 24 të hënën më 16 shtator, katër herë në jave, nga e hëna deri të enjten në ora 21:00. Vetëm Zoti e di kur ndalon.

Mira Kazhani: Cili do të ishte i ftuari i parë që do kishe dashur të nisje sezonin e ri në News 24, por rrethanat s’ta lejojnë?

Sokol Balla: Ibrahim Rugova. Nuk është më mes nesh.

Mira Kazhani: Çfarë të gëzon?

Sokol Balla: Çdo ndryshim. Ndodh vetëm për mirë. Dhe dy fëmijët e mi që po rriten ashtu siç duhet.

Mira Kazhani: E padurueshme për ty është...?

Sokol Balla: Ata që gënjejnë dhe thonë që flasin për të vërtetën.

Mira Kazhani: Cila është e vërteta që meriton Shqipëria? Kuptimi i jetës për të cilin ia vlen të luftojmë të gjithë që do jetojmë këtu.

Sokol Balla: Kuptimi është të fillojmë të kemi një vend më të mirë pas pak muajsh, prangash, burgjesh. Të heqim një president të keq dhe të vendosim një normal. Që të kemi një opozitë normale në Kuvend e bashki, e jo një tufë amorfe që mendon se SHQUP-i është qendra e botës. Një vend ku kriminelët të rrinë në burg, pavarësisht nga prejardhja e tyre, Laprakë, Kuvend apo Presidencë. Shqipëria një vend normal. Kam kaq vite që e them. Por besoj ka ardhur koha ta shohim realitet. Kuptim kanë gjërat reale, ato të vërtetat. Të tjerat? Do ngrohen në diell.....

*Sokol Balla është gazetar, si dhe autor e moderator i emisionit të tij “Real Story”, “News 24”.

Mira Kazhani për rubrikën “11 pyetje nga TIP”/Tiranapost.al