Aktualitet Politikë Te gjitha

Zyrtari i lartë gjerman qartëson opozitën: Xhafaj dhe Tahiri s’janë kushti për integrimin…


Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Christian Lange në një deklaratë për mediat shqiptare tha se Xhafaj dhe Tahiri nuk janë kusht për integrimin e Shqipërisë në Be. Kështu zyrtari gjerman ka hedhur poshtë aludimet e opozitës se ish-ministri dhe ministri i Brendshëm janë pengesë për integrimin.

Lange tha se e rëndësishme është të luftohet korrupsioni. “Korrupsioni shkatërron ekonominë e tregut, gjë të cilën pata mundësinë të informohem. Investitorët gjermanë më sollën në vëmendje se problemi kryesorë që kanë është korrupsioni. Natyrisht që korrupsioni është shqetësim edhe për jetën publike të qytetarëve shqiptarë, korrupsioni mbështet krimin e organizuar, terrorizmin dhe është risk për aparatin e sigurisë.

Korrupsioni në sistemin e drejtësisë pengon qasjen në gjyqësor, që është baza për sistemin e drejtësisë dhe për një proces të ndershëm. Vazhdimi i zbatimit të procesit të Vetingut është shumë i rëndësishëm. Ky proces jo vetëm duhet vazhduar, por edhe duhet përshpejtuar. Sot nuk mund të jap një përgjigje lidhur me vendimin për hapjen e negociatave. Ajo që mund t’iu them është që progresi në sistemin e drejtësisë, përshpejtimi i reformave është një nga hapat e rëndësishëm që do ketë ndikim në këtë vendimmarrje.

Ky është një vendim unanim që merret nga shefat e qeverive dhe të shteteve të BE. Edhe shtete të tjera anëtare do të hedhin vështrimin nga sistemi i drejtësisë i Shqipërisë, ndaj ky sistem është i rëndësishëm. Bllokadat politike nuk ndihmojnë për progresin e vendit. Ne vijmë nga kultura të ndryshme politike, ne në Gjermani jemi të drejtuar drejt konsensusi, gjë që nuk e konstatoj në Shqipëri.”

* Ky post është publikuar në Tiranapost.al dhe është realizuar nga Eneida Daci.