• Shqip
  • English
  • E martë, 18 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Bëje me arkitekt Të gjitha

    Zyrën bëje siç je vetë!


    Ingrid Martini, Arkitekte/ Ideja e postit të sotëm, më lindi pas një bisede me një mikeshën time, e cila ka një zyrë por që nuk i pëlqen. Po, nuk i pëlqen zyra që ka! Fare! Dhe nuk ka faj. Zyra e saj është e orientuar shumë bukur në raport me dritën dhe diellin. Por problemi qëndron në orenditë e ngjyrat brenda zyrës, duke nisur që nga skrivania e murrme, karrigia rrotulluese e zezë , tipike prej burrash nëpunës institucionesh, ndriçimi i papërshtatshëm. Ndërkohë që, e zonja e zyrës është kaq speciale e me shije. E duke qenë se kjo zyrë nuk i ngjan aspak, personit solar e plot ngjyra që ajo është, nuk e fton të ulet të punojë apo në një farë mënyre, ta frymëzojë.

    Mund të duket utopike, por është absolutisht e rëndësishme që ambienti i punës, t’ju ngjajë, t’ju frymëzojë, e t’ju bëjë të ndiheni mirë. Po si? Lexoni më poshtë!

    01. Gjej stilin që të pëlqen ose temën që të pëlqen

    Tavolina ideale e punës është ajo që reflekton stilin dhe shijet tuaja.

    Po të blesh çdo aksesor që të kap syri, mund edhe ta bësh të gjithën të ndihet e rrëmujshme.

    E mira do të ishte që të krijoni një ide se çfarë ju pëlqen, ju frymëzon, ju bën të punoni me qejf, ( po, po, se ka edhe kështu rastesh. Dmth që të punosh me qejf, ☺). Puna është të arrini të kuptoni nëse ju pëlqen një skemë e qetë ngjyrash, ton mbi ton, në nuanca neutrale, apo ju keni shije pak më me ngjyrë, e do të donit të miksonit. Pasi ta keni sqaruar këtë, do të keni çelësin për të krijuar atmosferën e duhur.

    Ky do të ishte rasti kur ju keni shije minimaliste, design, të pastra, tipike skandinave. Tone të qeta, linja të pastra, materiale natyrale. I vetmi kontrast krijohet nga kornizat e zeza dhe vetë fotot bardhë e zi. Asnjë tepri në ngjyrë.

    Ky do të ishte rasti kur shijet tuaja, ashtu si edhe të miat, janë pak më eklektike. Që do të thotë se dashuroni artikuj nga prejardhje e epoka të ndryshme. Ndaj tingëllon shumë natyrale, që mbi një mur monoton të bardhë, të mbështetet një tavolinë pune, të paktën 100 vjeçare, e super dekoruar me inserte druri që formojnë motive e dizenjo, me doreza tunxhi, e këmbë të tornuara. E për ta shoqëruar, të zgjedhësh një karrige Kartell, Louis Ghost, që është ultra modern si shije e si finiturë.

    Ndërsa, këtu kemi një ilustrim të një situate kur nuk kemi frikë nga ngjyrat. Gjë që unë e rekomandoj me forcë.

    Të gjithë skemës së qetë, aspak të spikatur të sfondit, tapetit dhe mobilies së bardhë, i kundërvihen, ose më saktë e kompensojnë karrigia rrotulluese në ngjyrë aspak të zakonshme, biles shumë të guximshme, e cila bashkë me pufin e kaltër pastel që i qëndron përballë, janë si një rreze e ngrohtë dielli, në ditë të ftohta dimri.

    02. ORGANIZOHU

    Pasi të kesh përzgjedhur e sistemuar tavolinën tënde të punës, si mobilie, ajo që ka shumë rëndësi, është organizimi. Sepse sado e bukur e harmonike të jetë hapësira e tavolinës suaj të punës, në rast se ajo është e rrëmujshme, e sigurt është që nuk do të duket edhe aq “e bukur”.

    Sigurisht që të qenit të organizuar, për persona të ndryshëm, ka përkufizime të ndryshme, prandaj është e rëndësishme të dalloni në mendjen tuaj nëse  jeni një person strikt e “kuadrat” apo pak më i shkujdesur në rregullin që vendos.

    Çështja e rregullit , nuk është e rëndësishme vetëm nga ana estetike, por studimet kanë treguar se një hapësirë e rregullt (në varësi të asaj që secili prej nesh percepton si të tillë), ndikon në fokusim më të mirë e rentabilitet më të mirë.

    Një hapësirë si kjo sikur të thotë: Hajde, puno, të lutem, ☺

    Jenna Lyons është një nga personat më stylish , sipas mendimit tim modest. Ish-shejfa e Jcrew ka patur një zyrë po aq iknonike, e të rrëmujshme , si në foton më poshtë.

    03. NDRIÇIMI

    Ndriçimi është i rëndësishëm në çfarëdolloj ambienti, por veçanërisht në zona studimi është i rëndësisë primare.

    Në  zona studimi apo zyra, ndriçimi është çështje delikate. Që do të thotë se, duke qenë se ne kalojmë shumë orë të ditës pranë tavolinës sonë të punës, mund të ndodhë që prej mëngjesit herët e deri në perëndim të diellit, fluksi i dritës varion shumë gjatë këtij harku kohor. Do të ishte ideale nëse do të kishit të mundur të poziciononit vendin tuaj të punës pranë dritares për shijuar dritën natyrale e cila është vërtetuar që përmirëson që nga shikimi deri tek humori, e rrjedhimisht edhe produktivitetin tuaj.

    Gjithsesi, është detyrueshme që të mbani afër edhe një ndriçues, i cili kompenson si luhatjet e nivelit të dritës gjatë ditës por edhe të ekranit të kompjuterit tuaj gjatë orëve të errësirës. E rëndësishme është fluksi i dritës që vjen prej saj dhe ngjyra e dritës. Janë rreptësisht të pakëshillueshme dritat e spektrit të bardhë. Kjo pasi është vërtetuar se lodhin syrin, krijojnë njolla në sytë tanë dhe dhimbje koke, gjithashtu. Drita më e mirë e mundshme është ajo që i afrohet asaj natyrale, dritës së diellit.

    Franca Sozzani në zyrën saj.
    Sofia Coppola në zyrën e saj.

    04. SHTO PAK GJELBËRIM

    Këtë ua them nga eksperienca, e të gjithë ata që më njohin ose që kanë ardhur të paktën një herë në zyrën time, e dinë se mbi tavolinën time të punës, nuk mungojnë kurrë lulet.

    Kur them lulet, e kam fjalën për çfarëdolloj bimë të gjelbërt, më së shumti dega manjole, dafine, rozmarine etj. Por kjo nuk përjashton lulet e çelura, sidomos në këtë periudhë të vitit, kur çelin gjithë këto zymbyla erëmirë, e kaq shumë lloje zambakësh.

    Hapësira e punës nuk do të ishte e plotë, pra, pa një bimë të gjelbër. Përsëri janë studimet ata që na tregojnë se gjelbërimi ka shumë efekt mbi ne, pasi arrin të reduktojë agjentët alergjikë, ndotës, por edhe të ulë nivelin e stresit.

    Pastaj se çfarë bime ju vendosni të zgjidhni, varet shumë nga prefencat tuaja e nga niveli dritës që keni mbi tavolinën tuaj të punës. Ama e sigurt është ka bimë që durojnë edhe kushtet më ekstreme të dritës e  lagështirës.

    Këto janë foto të tavolinës sime të punës.

    Ah, edhe diçka të fundit :

    Asgjë nuk e ndërpret rrjedhën e mendimeve si largimi nga vendi i punës. Ndaj për të evituar të gjitha shpërqendrimet e mundshme, është e nevojshme që të keni gjithçka që ju nevojitet me një zgjatje krahu. E me këtë dua të që them, sende të tipit: stilolapsa, lapsa, blloqe shënimesh, fleta të bardha, gërshëre, ngjitëse, kapëse letrash, kufje, karikues, etj.

    Personalisht, mund t’ju them që edhe kupë me fruta të freskëta, pavarësisht se duket një luks, kushton shumë pak e ka një impakt fantastik e shumë intim, sa të duket vetja si në shtëpi./Shfletoni galerinë për më shumë foto./ Blogu – Bëje me Arkitekt/ Copyright Tiranapost.al