Ekonomia

Zhvlerësimi i euros, eksportuesit shqiptarë humbasin miliona

Zhvlerësimi i euros, eksportuesit shqiptarë humbasin miliona

Eksportet arritën në 310 miliardë lekë për vitin 2018, sipas të dhënave të INSTAT, duke arritur në një nivel rekord, me një rritje prej 13.7% me bazë vjetore.

76% e eksporteve kishin si destinacion Bashkimin Europian (rreth 236 miliardë lekë), ku tregu kryesor është Italia, që priti 48% të totalit të eksporteve, ku peshën kryesore e zënë tekstilet dhe këpucët. 8.7% shkojnë në Kosovë (27 miliardë lekë), që përdor euron si monedhë zyrtare, duke e çuar në total në gati 85% peshën e eksporteve në monedhën e përbashkët, shkruan Monitor.

Pikërisht bizneset që eksportojnë në vendet e Bashkimit Europian dhe Kosovë janë goditur nga zhvlerësimi i ndjeshëm i euros në 2018-s. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i euros në 2018-n ishte 127.6 lekë, nga 134.1 lekë vitin e mëparshëm, me një nënçmim prej 5%.

Nëse kursi i euros do të kishte qenë i qëndrueshëm, të ardhurat e sipërmarrjeve që eksportojnë në vendet e BE-së do të kishin qenë të paktën 5% më të larta (ose rreth 263 miliardë lekë). Në vlerë absolute, humbja e eksportuesve është rreth 13 miliardë lekë, apo rreth 105 milionë euro, sipas vlerësimeve të Monitor, bazuar në ecurinë e eksporteve të raportuar në lekë dhe kursit vjetor mesatar të këmbimit./Tiranapost.al, lajmi i referohet artikullit të Monitor