Ekonomia

Zhvlerësim i paundit dhe dyfishim i papunësisë: Banka e Anglisë parashikon katastrofën ekonomike pas Brexit

Zhvlerësim i paundit dhe dyfishim i papunësisë: Banka e

“Mund të pësojmë krizën më të keqe pas Luftës së Dytë Botërore.” Është ky alarmi që Banka e Anglisë ka ngritur, duke publikuar edhe pasojat që mund të ketë Britania pas daljes nga Bashkimi Europian.

Në rastin e “no deal”, pra nëse Parlamenti nuk voton marrëveshjen që kryeministrja May arriti me shumë mund me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian, ekonomia e Britanisë do të tkurrej menjëherë me 8% që në vitin 2019, ndërsa Anglia do të humbiste 10,5% të Prodhimit të saj Bruto në pesë vjet. Përtej ftohtësisë së shifrave, kjo do të ishte një goditje e rëndë, nëse kujtojmë se gjatë krizës së rëndë financiare të vitit 2008, Prodhimi Bruto ra me vetëm 6,5%.

Gjithashtu ditë jo të mira do të ketë edhe për paundin britanik, i cili parashikohet të bjerë me 25%, duke u ulur më shumë nga vlera aktuale që është në minimum historik. Çmimi i shtëpive do të ulet me 30%, ndërsa papunësia do të dyfishohet. Një katastrofë e tillë mund të krahasohet vetëm me krizën e vitit 1945 në fund të Luftës së Dytë Botërore./Tiranapost.al