Aktualitet

Zgjidhet kriza në Kosovë, Pacolli i bashkohet koalicionit fitues. Do të jetë Ministër i Jashtëm

Mesa duket kriza në Kosovë ka përfunduar. Sot Behgjet Pacolli ka firmosur marrëveshjen me koalicionin fitues PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Në këtë mënyrë AKR e Pacollit do të bashkojë votat me koalicionin PAN, ku fillimisht do të zgjidhet kryetari i Kuvendit e më pas do t’i hapet rrugë formimit të qeverisë së re.

Lidhur me këtë, Klan Kosova njofton se sipas marrëveshjes Pacolli do të mbajë postin e Ministrit të Jashtëm, nisur edhe nga fakti se ai është një biznesmen shumë i njohur si në perëndim, ashtu edhe në lindje, ndaj ky mund të jetë një faktor ndihmues në rritjen e numrit të shteteve që e njohin Kosovën.

“Neve na presin shumë punë. Jam i bindur se do t’i tejkalojmë”, ka thënë Pacolli pas firmosjes së marrëveshjes.

Tashmë pritet që Kryetar i Kuvendit të zgjidhet lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ndërsa kryeministër do të jetë Ramush Haradinaj./Tiranapost.al