Aktualitet

Zgjedhjet në Maqedoni, rezultatet paraprake: Fiton Gruevski. Partitë shqiptare humbasin vota

Zgjedhjet në Maqedoni, rezultatet paraprake: Fiton Gruevski. Partitë

Në Maqedoni po shkon drejt përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u zhvilluan ditën e djeshme.

Deri tani janë numëruar 94% e votave, sipas raportimit të mediave maqedonase, ku vihet re një garë e ngushtë mes partisë VMRO-DMPNE të Gruevksit që ka qenë në pushtet dhe partisë opozitare LSDM të Zoran Zaev.

Nga rezultatet e deritanishme, VMRO-DMPNE ka marrë rreth 38.06% të votave, ndërsa LSDM 36.69% të votave. Liderët respektivë të këtyre dy partive kanë shpallur fitoren, ndërsa sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, partia e Nikolla Gruevskit deri tani ka 2 mandate më shumë se e Zoran Zaevit.

Nga partitë shqiptare, BDI ka marrë rreth 80 mijë vota, Lëvizja Besa 54 mijë vota, Aleanca 33 mijë vota dhe PDSH-ja 30 mijë vota.

Kryetari i PDSH Menduh Thaçi ka marrë përsipër koston e disfatës në zgjedhje. Në një deklaratë për mediat nga Shkupi, Thaçi tha se: “Për humbjen e PDSH-së vet unë mbaj përgjegjësi. I uroj sukseset më të sinqerta Lëvizje BESA, dhe deputetët tanë janë në mbështetje të tyre”.

Të gjitha partitë shqiptare kanë marrë rreth 105 mijë vota. Në bazë të këtyre rezultateve shqiptarët do të kenë rreth 17-18 mandate apo rreth 100 mijë vota më pak në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014, kur vetëm BDI kishte 150 mijë vota, ndërsa PDSH mbi 60 mijë vota dhe një numër të konsiderueshëm të votave parti tjera më të vogla.