Aktualitet

Zgjedhjet italiane shënohen nga dhuna që i bën eko, epokës së errët të viteve 70’

Dhuna e motivuar politikisht është një fenomen që po përhapet frikshëm në shoqërinë italiane në javët që i paraprijnë zgjedhjeve parlamentare. Përplasjet mes grupeve neo-fashiste dhe aktivistëve të majtë, por edhe sulmet kundër emigrantëve të motivuara për shkaqe raciale janë shtuar së tepërmi.

Incidentet, një prej të cilave është edhe plagosja e liderit të grupit ekstremist neo-fashist “Forca Nueva” në Palermo, janë reminishencë e një epoke shumë më të dhunshme në skenën politike italiane që filloi në fund të viteve 1960. Periudha e njohur si “Vitet e Plumbit” ka qenë një kohë ku Italia përjetoi rritje të dhunës nga grupimet ekstremiste të majta dhe të djathta dhe në raste esktreme ka pasur edhe akte terroriste.

[caption id="attachment_186876" align="aligncenter" width="960"] Aktivistë të grupit paramilitar neo-fashist "Forca Nuova" që përshëndesin me gjestin hitlerian në një tubim publik[/caption]

Kryetari i Bashkisë së Palermos, Leoluca Orlando ka denoncuar aktin e shëmtuar që bëri bujë mediatike në Itali fundjavën e kaluar, kur një grup aktivistësh të majtë lidhën me shirit ngjitës dhe dhunuan brutalisht, Massimo Ursino një nga liderët e lëvizjes “Forca Nueva”. Orlando e ka cilësuar aktin thjesht një dëshmi të shëmtuar të skenës politike dhe tensioneve të mëdha sociale brenda Italisë dhe ka bërë thirrje që të ndryshohet mendësia. “Nuk mund të mundësh fashizmin me metoda fashiste”- u shpreh ai duke iu referuar incidentit.

Raffaele Marchetti një ekspert i çështjeve të sigurisë kombëtare në Univeristetin e Romës shprehet se akte të tilla ishin të përhapura në vitet 70’, por në kohët e fundit nuk ndodhnin më. Një rikthim i tyre tregon një trend shqetësues për polarizimin e qëndrimeve ekstreme në shoqëri. “Dukshëm, njerëzit janë shumë nervozë përpara një cikli elektoral dhe tensioni i tyre i shtyn ata drejt një esktremi apo një tjetri”- ka thënë ai për “The Guardian”.

Megjithatë, nuk ka qenë ky incidenti më fatkeq i kësaj fushate. Një ish-kandidat për këshilltar bashkie në Ursino, i partisë populiste Lega Nord me një flamur italian të mbështjellë rreth qafës ka dalë në rrugë dhe ka qëlluar mbi të gjithë njerëzit me ngjyrë që i dilnin përpara duke lënë 6 të plagosur. Në momentin e arrestimit ai i ka përshëndetur policët me shtrirjen naziste të krahut dhe u ka thënë “Rroftë Italia”.

Po ashtu si në të gjithë perëndimin, kriza ekonomike dhe ajo e refugjatëve kanë hedhur në llogore dy kampe ekstremistësh kundër njëri-tjetrit dhe për këtë shkak nëse situata nuk menaxhohet siç duhet shumë shpejt mund të kemi, liderë, parti apo regjime esktremiste që do të kenë pushtet duke cënuar paqen e ndërtuar me shumë mund përgjatë viteve të pas Luftës së Dytë Botërore. K.H/ tiranapost.al