• Shqip
  • English
  • E premte, 23 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Libra Profil Të gjitha

    Zëri i rigjetur i Federico García Lorca


    I pëlqente të shkruante në vapë. Nuk e përdorte ashensorin. Nju Jorkun e përshkruante si me arkitekturë çnjerëzore, ritëm të shfrenuar dhe ankth. Flinte deri vonë në mëngjes dhe i priste gazetarët i veshur me pizhama. Intervistat i urrente, por jepte shumë të tilla. U vra në mënyrë misterioze dhe trupi nuk iu gjet kurrë. 120 vite nga lindja e Federico García Lorcas, të gjithë artikujt janë botuar për herë të parë në një vëllim të vetëm. Përmbajnë fjalë dashurie dhe skandali. Plus, edhe disa mistere.

    Il Venerdi/ Federico García Lorca thoshte se i urrente intervistat, por përgjatë jetës së tij të shkurtër dha shumë të tilla dhe i ruajti të gjitha. Kur në pranverën e vitit 1934 një gazetar shkoi për ta takuar në apartamentin madrilen të Calle Alcala, mbi skrivaninë e tij vuri re një “mal me fletë gazetassh… Diçka impresionuese. E jashtëzakonshme. E vështirë për t’u përshkruar. Të gjitha faqet e gazetave.” Dy vite para se të vritej nga nacionalistët, Lorca ishte i famshëm, ishte shkrimtar-kolos. Nga Spanja në Amerikën Latine fotografët e ndiqnin nga pas, njerëzit e ndalonin në rrugë për t’i marrë autografe. E gjithë kjo situatë duket se e argëtonte pa masë. “Shihni gazetat nesër… Sikur të isha Princi i Uellsit”, i shkruante prindërve. Në Argjentinë punësoi një specialst të PR-it, në Spanjë pagoi një agjenci që t’i bënte përmbledhjen e gjithë sa shkruhej në gazeta. “Në atë kohë nuk mund të hapej asnjë gazetë pa shkruar ndonjë lajm mbi Lorcan”, kujton biografi i tij më i madh, hispano-irlandezi Ian Gibson, duke hedhur poshtë edhe zërat e shumtë sipas së cilëve fama e Federicos u fabrikua pas vdekjes, e ushqyer nga vrasja tragjike dhe tentativa e anti-fashistëve për ta martirizuar.

    García Lorca ishte një folës piroteknik. Teksa e dëgjoje “të jepte një gëzim si kombinimi i një maçoku të lumtur me dritën e fishekzjarrëve”, ka thënë një poet peruan. “Ka theksin e ëmbël andaluzian, por ndryshe nga andaluzianët nuk i ha gjysmat e fjalëve”, shkruante Silvio D’Amico që e njohu më 1935. Në të njëjtin vit e takon edhe Indro Montanelli, i cili më pas do të tregonte: “Nuk ishte ai mashkulli i bukur që thuhej gjithmonë. Me gjatësi mesatare, tipare të rënda dhe të ashpra, me flokë të zinj e të drejtë, vetëm tre gjëra i kishte të mrekullueshme: shikimin shkëlqyes, të qeshurën prej fëmije dhe zërin”. Por ashtu siç ndodhi me sendet e tij, as nga zëri nuk ka mbetur ndonjë regjistrim. Ama nuk duhet përjashtuar fakti se herët a vonë mund të dalë diçka, veçanërisht nga arkivat radiofonike të Amerikës së Jugut që nuk janë eksploruar akoma. Ndërkohë, bashkëbiseduesin e apasionuar të quajtur García Lorca mund ta njohim vetëm nëpërmjet intervistave: në total 133 të tilla, nga vitit 1922 deri më 1936, që së fundmi janë botuar në një vëllim të vetëm me titull “Palabra de Lorca”. Brenda tyre gjendet gjithë personaliteti ngjyra-ngjyra i Federicos: nervoziteti, ekstrvaganca, shpërthime qiellore dhe melankoli funebre. Sepse Lorca thoshte dhe kundërshtonte vetveten duke folur për gjithçka: dashurinë, poezinë, teatrin, kinemanë, politikën dhe një herë, por vetëm një herë, homoseksualitetin. Ndërsa tek artikujt që i përkasin ditëve të fundit, duket një atmosferë shqetësuese, terrore të papritura, paralajmërime të zymta.

    Një fëmijë, një djalosh plot impulse dhe zemër, i prekur nga trishtime të pashpjegueshme. Në imazhin e tij publik, Lorca paraqitet si përzierje e foshnjërisë gjeniale dhe ekzotikes. Dy klishe, por që funksionojnë. Ishte i vështirë për t’u intervistuar, nuk ishte kurrë i sigurt dhe kërkonte t’i rishihte artikujt përpara se të shkonin në shtyp. Ndonjëherë paraqitej me letra ku kishte shkruar frazat që do të thoshte. Herë të tjera, i harronte fare takimet dhe sikundër zgjohej shumë vonë, i priste gazetarët me pizhama: jo rrallë herë pyetjeve iu përgjigjej duke dalë nga dushi apo duke u rruar në tualet. Kishte supersticione të çuditshme, fobi: nuk mund të shtrihej në krevat me këpucë sepse i duket vetja i vdekur; makineritë i kishte frikë, përfshi ashensorët. “Janë vatrat moderne ku ecin shtrigat”, thoshte. Lëvizte si bohem, por pa mëkate: nuk tymoste, nuk pinte. Kurrë nuk e fshehu fëmijën brenda vetes: “Për fat nuk jam i detyruar të jetoj me penën time”, thotë në vitin 1933, “Prindërit ndonjëherë më qortojnë, por janë shumë të mirë dhe në fund më japin gjithmonë para”. Në vitin 1935 rithekson: “Dua të punoj siç gjithmonë kam bërë. Si një djalë babai që nuk duhet të shqetësohet për të fituar me anë të letërsisë dhe të shkruaj kur të dua, çfarë të dua. Nuk do t’i jem kurrë mjaftueshëm mirënjohës prindërve të mi që ma lejuan këtë gjë”.

    Lorca këtu ishte një figurë e këndshme, e lumtur: “Jam gjithmonë i lumtur… Optimizmi im është i pashtershëm. Ajo që më intereson është të dëfrehem, të dal, të flas me miqtë, të flirtoj me vajzat… Për mua letërsia është gjëja e fundit. Kurrë nuk shqetësohem që ta bëj, por në disa momente të caktuara kam një shtytje të parezistueshme për të shkruar. Atëherë shkruaj pa ndalim për muaj me radhë, e pastaj i rikthehem jetës. Të shkruarit më jep kënaqësi. Të botuarit jo. Çdo gjë që kam botuar më është grisur nga botuesit apo nga miqtë.”

    Në vitin 1936, një gazetar i “Heraldo de Madrid” guxon me pyetjen: Federico, çfarë është poezia? Përgjigja: “Është diçka që ikën nëpër rrugë. Që lëviz, që na kalon pranë. Çdo gjë ka misterin e saj dhe poezia është misteri që ndodhet në çdo gjë.” Kur e pyetën se përse shkruante, Federico u përgjigj: “Për të më dashur njerëzit.” Por paralajmëron suksesin, që në vende të tjera nuk është unanim. Tekstet “skandaloze” teatrale të Lorcas përplasen me platenë tradicionale, por në turbullirat e Spanjës së viteve ’30 vinin sulme edhe nga e majta. “Lorca është poet i qeverisë… nuk e pranon marksizmin… mbështetet nga shfrytëzuesit e sistemit kapitalist”, trumbetonte një gazetë socialiste. Por në të njëjtat vite, një e përjavshme e Majorkës e përshkruan Lorcan si “poetin e ardhshëm e të madh të klasës punëtore”. Në atë intervistë ai i thur lavde Bashkimit Sovjetik, ku nuk ka shkelur kurrë, teatrit dhe kinemasë politike. Në të kundërt, Shtetet e Bashkuara i kanë lënë një “ndjenjë dëshpërimi”.

    Aty ka qenë në vitin 1929, me një bursë studimi, dhe nga ajo eksperiencë buruan vargjet tronditëse të “Poet në Nju Jork”. Nju Jork-u është sublim dhe modern, por Federicon e tremb: “Arkitekturë çnjerëzore dhe ritëm i shfrenuar, gjeometri dhe antkh.” Wall Street është “spektakël i tmerrshëm, por pa madhështi”, “ari vjen si lumë nga çdo cep i tokës, e bashkë me të vdekja… Në asnjë anë të botës si aty nuk ndihet mungesa e plotë e shpirtit”. García Lorca qëlloi në Amerikë gjatë krizës së madhe. “Atë ditë pati vetëvrasje… Ishim në rrugë kur një njeri u hodh nga ndërtesa e madhe e hotel Astorias për t’u shembur në asfalt”. Nju Jork-u nuk është fare në harmoni me ndjeshmërinë jugore të një poeti si Federico: “Kanë ngritur shtëpi e shtëpi, por pa rrënjë në tokë, jetohet lart e gjithmonë më lart”. Gjurmët e vetme të humanizmit i sheh në Harlem: të zinjtë “me trishtimin e tyre janë boshti shpirtëror i Amerikës”, që nëse nuk do të ishin, do të mbetej thjesht “makineri dhe automatizim”.

    Në raport me mjetet e informacionit, “naivi” Lorca dinte të manovronte. Deklaratat më polemizuese nuk i jepte për gazetat e mëdha kombëtare, por për gazetat e provincave apo ato të shtypit të huaj. “Një prej objektivave të teatrit tim është të frikësoj e të tmerroj paksa… Dua të provokoj vjellje dhe të shohim nëse me një goditje të vetme do të villet e gjithë ligësia e teatrit aktual”. Përballë konflikteve që shkundin shekullin, “poeti duhet të përfshihet, e në disa raste të jetë i pandjeshëm… Si mund të mbyllë sytë përpara një tragjedie të tillë të njeriut të shtypur?”, thoshte Federico.

    Në qershor të 1936, pak javë përpara se grushti i shtetit t’i hapë rrugë Luftës Civile, Lorca shprehet: “Jam një spanjoll i vërtetë dhe do ta kisha të pamundur të jetoja jashtë limiteve të mia gjeografike. Por urrej ata që janë spanjollë vetëm për faktin se janë spanjollë. Unë jam vëlla i të gjithëve dhe urrej njeriun që sakrifikohet për një ide nacionaliste abstrakte… Kinezin e mirë e ndjej më të afërt se spanjollin e keq.” Dhe shton me gjysmë zëri: “Në fund të fundit, jam një jo-besimtar i uritur për besim. Është tragjikisht kaq e dhimbshme të zhdukesh përgjithmonë.”

    Dhe me këto ide për vdekjen, Lorca la Madridin për Granadën, ku një muaj më vonë do të pushkatohej për arsye ende të pazbuluara. Nga dita e fundit në kryeqytet mbetet raporti i detajuar që miku i tij poet, Rafael Martinez Nadal, do të japë në vitet ’70.

    Atë 13 korrik bënte një vapë e tmerrshme. Pas dreke, të dy marrin një taksi deri në një kioskë jashtë qytetit. Periferia digjet nga i nxehti, është e shkretuar. Federico është nervoz. Ndryshe nga sa bën zakonisht, pi konjak dhe tymos cigare. “Këto fusha do të mbushen me të vdekur.” Pas dy dopiosh Fundador, kthehen në qytet. Në agjencinë Cook, Lorca prenoton një shtrat në trenin e natës për në Granada. Në shtëpi mbush valixhet duke hedhur brenda veshje, letra dhe libra, aq sa mezor i mbyll. Përpara se të dalë, i jep mikut të tij një pako: “Vëre mënjanë. Nëse më ndodh diçka, shkatërroje. Në të kundërt, ma jep kur të takohemi sërish.” Në stacionin e Atochas, Nadal ndihmon Federicon të sistemohet në vagon. Në korridor kalon dikush. Duke e shmangur, Lorca ngrin i tëri dhe hedh vështrimin nga ana tjetër. “Kush ishte?” “Një deputet i Granadës, sjell ters, njeri i keq. Tani do të mbyll perdet dhe do shtrihem. Nuk dua as të më shohë, e as të më flasë.” Nuk u mor vesh kurrë se kush ishte ai udhëtar. Ndoshta bëhej fjalë për figurën e errët të Ramon Ruiz Alonso, i cilësuar nga shumë si organizatori i arrestimit të Lorcas e më pas pushkatimit të tij? Mbetet një hipotezë.

    120 vite nga lindja – 5 qershor 1898 – Federico García Lorca mbetet ende autori spanjoll më i lexuar në botë pas Servantesit, ndërsa vdekja e tij mbledh rreth vetes shumë legjenda. A kishte gisht politika? Lidhjet e familjes së tij me socialistët? Homoseksualiteti? Apo ekzistonin urrejtje të një lloji tjetër si grindjet, çështje pronësie, plaçke?

    E sigurt është vetëm pakoja misterioze që i dorëzoi Martinez Nadal, ku ndodhej drafti i dorëshkrimit të “El público”, një prej shkrimeve teatrale më të çmendura dhe radikale të shkruara ndonjëherë prej tij. Për shumë kohë u konsiderua e pabotueshme, u publikua vetëm në vitin 1976 dhe u vu në skenë për herë të parë dhjetë vite më pas. “Mendoj se është poema ime më e mirë”, thoshte ai. Aty, ndër të tjera, flitej për homoseksualitetin. Me një lehtësi të paprecedentë, të paktën në veprën lorkiane. Nëpër intervista kjo temë preket vetëm një herë, gjatë bashkëbisedimit me shkrimtarin dhe regjisorin Cipriano Rivas Cherif, që në vitet ’50 e kujtonte kështu: Federico “më siguroi se nuk kishte qenë kurrë me një grua… “Kam njohur vetëm burra. E di, i kthyeri, pederasti më bën të qesh, më argëton me tiparet femërore e të larit, të hekurosurit, të gatuarit, të trukimit, të veshjes së fundeve dhe të komunikimit me gjeste femërore. Por nuk më tërheq.” Dhe vazhdonte: “Normaliteti nuk je ti që shkon vetëm me gra, dhe as unë. Normale është vetëm dashuria pa limite. Sepse dashuria është diçka më shumë dhe më e mirë se sa morali i një dogme, morali katolik… Do të duhej një revolucion i vërtetë. Një moral i ri, një moral i lirisë totale.””

    Kush e di nëse është e vërtetë, por pak përpara se të pushkatohej, ecte tutje tëhu nëpër qeli duke përsëritur: “Po unë nuk kam bërë asgjë… nuk kam bërë asgjë.” Pastaj kërkoi një prift dhe ia gjetën një. “Le të recitojmë aktin e dhimbjes”, tha prifti. “Ma kanë mësuar kur isha i vogël, por nuk e mbaj më mend atë…”, tha Federico duke qarë. “Atëherë përsërit me mua: Señor mío, Jesucristo… me pesa de todo corazón haberos ofendido; propongo firmemente nunca más pecar…”, tha prifti./Federico García Lorca ka qenë poet, dramaturg dhe regjisor teatri, një prej figurave më të spikatura të së ashtuquajturës gjenerata e ’27-ës në Spanjë, një grupim shkrimtarësh që u vu në avangardë të ndryshimeve artistike europiane. Mbështetës i deklaruar i forcave republikane gjatë Luftës Civile në Spanjë, u arrestua dhe u pushkatua nga një grup fashistësh. Sipas dëshmive, trupi i tij u hodh në një përrua dhe nuk u gjet asnjëherë. Arsyet e vrasjes së tij, megjithëse të paverifikuara asnjëherë, mund të kenë të bëjnë me idetë socialiste, prirjet homoseksuale dhe aludimet se i përkiste masonerisë. Në jetën e tij të shkurtër (u vra në moshën 38-vjeçare) publikoi 13 pjesë teatrale dhe një numër shumë të madh poezish. Ky artikull është botuar në revistën italiane “Il Venerdi” me rastin e botimit të të gjitha intervistave që García Lorca ka dhënë. Përkthyer nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al