Aktualitet

Zëri i Amerikës “kryqëzon” prokurorinë: Ndryshoi qëndrimet gjatë mbledhjes

Duke pasqyruar sot mbledhjen e Këshillit të Mandateve për rastin e deputetit Saimir Tahiri, Zëri i Amerikës i ka dhënë një “dush të ftohtë” edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kur thotë se ajo ndryshoi qëndrim gjatë diskutimeve.

“Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve të parlamentit, prokuroria, paraqiti në një seancë me dyer të mbyllura prova shtesë që sipas saj ishin në favor të kërkesës për arrestimin e zotit Tahiri. Ndërkohë gjatë mbledhjes ajo ndryshoi versionin për udhëtimet e zotit Tahiri me automjetin që më parë ja kishte shitur njërit prej vëllezërve Habilaj. Seanca do të vijojë nesër me mbrojtjen e ish ministrit të Brendshëm”, shkruan fillimisht Zëri i Amerikës.

Ndërsa disa paragrafë më pas, shkruan sërish për ndryshimin e versionit nga prokurori Hajdarmataj.

“Prokuroria në kërkesë shprehej se ish ministri kishte udhëtuar katër herë jashtë vendit i shoqëruar nga Artan Habilaj dhe të tjerë. Por duke ju përgjigjur pyetjeve të deputetëve, zoti Hajdarmataj ofroi një version të ndryshëm: “Në tre nga udhëtimet pasqyrohet që ka udhëtuar shtetasi Saimir Tahiri. Në një nga udhëtimet, në kohën që shtetasi Saimir Tahiri ishte në Greqi, Artan Habilaj udhëton për në Greqi, dhe në kthim kthehet me këtë automjet vetë personalisht shtetasi Saimir Tahiri”, thuhet në lajmin e VOA./Tiranapost.al