SPORT

Zbulohet fjalimi i Pogba para Argjentinës

Paul Pogba mbajti një fjalim frymëzues përpara bashkëlojtarëve të Francës, kur po përgatiteshin të dilnin në fushë dhe të luanin 1/8 finale kundër Argjentinës së Leo Messit. Ai është futur në mes të lojtarëve të tjerë transalpinë dhe u ka thënë me zë të fortë: “Sot, ne i vrasim ata, Messi apo jo Messi”.

Franca mori titullin e saj të dytë botëror falë fitores 4-2 të së dielës, kundër Kroacisë, në finalen e madhe të Moskës, teksa ndikimi i Paul Pogba në dhomën e zhveshjes ka qenë i dukshëm, edhe në mes të festimeve.

Pogba bëri një numër fjalimesh para skuadrës së “gjelave” në rrugën drejt triumfit përfundimtar në “Rusia 2018”, por spikat ai më frymëzuesi dhe emocionuesi, para fitores 4-3 ndaj Argjentinës së Lionel Messit, në Kazan.

“Unë dua të shoh luftëtarë në fushë, – tha Pogba për shokët e tij, në një skenë të dokumentarit të transmetuar nga TF1. – Nuk dua të kthehem në shtëpi! Do ta mbarojmë të lumtur këtë Botëror, dua të luaj sonte, të vdes në fushë. Të gjithë së bashku, dua njerëz, luftëtarë, ushtarë. Sot, ne do t’i vrasim ata. Messi apo jo Messi, nuk më intereson! Ne kemi ardhur për ta fituar këtë Kupë Bote!”

Mesfushori i Manchester United, Paul Pogba, ishte po i tillë frymëzues me fjalimin e tij, para se Franca të mundte Uruguajin 2-0 në Nizhny Novgorod, për një vend në gjysmëfinale të Kupës së Botës. “Kjo është ajo që duhet të bëjmë, nuk ka kthim më, – tha Pogba. – Do të vazhdojmë përpara, do të shkojmë gjithë rrugës!

Të shohim më 15 korrik, të gjithë së bashku! Sot, Blaise Matuidi, i cili u pezullua për përplasjen e çerekfinales, si rezultat i akumulimit të kartonëve të verdhë, është në stol. Ai është i zhgënjyer, është i mërzitur, dëshiron të luajë më shumë se kushdo tjetër në fushë!

Ky është një sinjal për djemtë, që të luftojnë fort sot! Ai nuk do të jetë në fushë, por do të jetë sikur të ishte me ne. Të gjithë duhet të bëjnë lojën e tyre, edhe për Matuidi! Dhe tani, ne do të luftojmë për partnerët tanë, siç kemi bërë edhe më parë. Të luajmë si ndaj Argjentinës dhe ndoshta më shumë, gjithnjë e më mirë. Duhet të mundim më të mirët për të qenë më të mirët!”

Pogba, shpesh objektiv i kritikëve, është një nga emrat që përflitet si kapiten i mundshëm për Manchester Unitedin në sezonin e ardhshëm, pas pensionimit të Michael Carrick, ndërsa trajneri Jose Mourinho me siguri do të jetë i kënaqur ta shohë yllin e tij të mesfushës që tregon këtë lloj lidhjeje prej lideri. /XH.K