Aktualitet

Zbardhen masat për protestën, 1300 efektivë policie në gatishmëri

Esencë editori/ Nesër opozita do të zhvillojë protestën para Kryeministrisë kundër Qeverisë Rama, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e tubimit dhe shmangien e incidenteve.
Zbardhen masat për protestën, 1300 efektivë policie në

Mësohet se në gatishmëri nesër do të jenë 1300 forca policie. Efektivët e komisariateve të Policisë së Tiranës, por edhe FNSH e RENEA do të jenë në gatishmëri të plotë.

Forcat e policisë do të jenë të vendosur rreth Kryeministrisë por edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit. Gjithashtu përmes një deklarate të para tre ditëve policia e Tiranës njoftoi se do të ushtrojë kontrolle për të ndaluar personat me precedent penal që të marrin pjesë në tubim.

“Përveç deklaratave dhe retorikës së ndezur politike dhe thirrjeve për dhunë, të artikuluara nga disa përfaqësues të politikës dhe medias, Policia e Shtetit ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike”, sqaron policia në njoftim. /Tiranapost.al/