Çdo fillim shtatori, prindër, studentë dhe mësues, i përkushtohen vitit të ri shkollor. E fillojnë që nga mjetet, librat e deri tek veshja. Na është bërë zakon, ashtu si rastësisht, të na shkojë mendja tek veshja klasike, t-shirt dhe xhinse. Kjo është një nga ato veshje të gardërobës kapsulë, që mund ta veshim shpesh, por si mendoni sikur të dalim paksa nga zona e rehatisë? Le të provojmë diçka të re dhe pak më të guximshme.
Nuk na mungon frymëzimi nga street style, direkt nga javët e modës, duke qenë se sapo kanë filluar sfilatat në New York. Por jo çdo veshje që shohim nëpër rrugët e bukura, mund të vishen në shkollë.

Sezonin që lamë pas kam parë vajza 18 vjeçare, me thonj të gjatë e me ngjyra vibrante. Kanë duar të bukura, ama thonjtë nuk duken as moderne dhe as të kuruar. Sugjerimi i këtij sezoni (dhe i gjithë sezoneve të shkollës), ngelet gjithnjë minimalizmi.

Nuk e di për ju, por mua më pëlqen shumë ky trendi i momentit i flokëve të lidhura. Me një ndarje simetrike në mes, topuz jo të rregullt dhe ndonjëherë shoqëruar me karfica.

Këmishat me jakat e bardha deri në gjysëm të qafës, nuk dalin asnjëherë nga moda. Ditën e parë të shkollës mund ta shqëroni edhe me një palë vathë.

Nëse e ke vendosur të veshësh t-shirt sesbën, mos e kombino me xhinset e mërzitshme. Zëvendësoji me pantallonat e qepura me dy pala dhe me atlete.

Mund të zgjedhësh dhe fustan në vend të pantallonave. Por ama kombinoje me atlete dhe çorape me detaje. “More is more” thuhet sot në rrjetet sociale, por ndonjëherë aksesorët e rënduar më kujtojnë lagjet periferike të Amerikës së viteve ’90 . Ndaj do thoja që më mirë “less is more”, të paktën për orarin e leksionit.

Sa bukur do dukeshin studentet me një xhaketë ngjyrë qumështi, me vathë të bukur dhe ndonjë çantë krejt të thjeshtë, ditën e parë të universitetit. Seç ka kjo veshja që të bën të dukesh sikur ke bërë shopping në Net-a-Porter.

Edhe xhinset nuk përjashtohen, ama harmonizojini me këmisha të bukura dhe çanta njëngjyrshe.

































