Tech

Dokumenti i WikiLeaks: CIA po na përgjon edhe nëpërmjet televizorit !

Pas rrëfimeve të Edward Snowden në vitin 2013 menduam se nuk kishim për çfarë të habiteshim më. Por në fakt, ka gjithmonë diçka për t’u surprizuar. Ka qenë WikiLeaks që së fundmi ka publikuar 8761 dokumenta të cilat tregojnë të gjitha rrugët që inteligjenca amerikane, CIA, ka ndjekur për spiunazhin jo vetëm të politikanëve, por edhe të qytetarëve.

Në këtë adresë është e mundur të navigohet në databazën e quajtur Year Zero, pjesë e programit Vault 1 i cili premton se që tani deri në muajt në vazhdim do të tregojë të gjitha strategjitë e ndërmarra nga CIA që nga viti 2001 dhe nga Qendra Kibernetike e Inteligjencës për zhvillimin e programeve që do të mund të dhunonin sistemet kompjuterike. Praktikisht, një ushtri e tërë hakerash kompjuterikë.

Pjesa më e madhe e punës së Qendrës Kibernetike të Inteligjencës është analizimi i sistemeve të ndryshme kompjuterike me qëllim gjetjen e hapësirave të sigurisë për të marrë informacione. Por ka edhe më shumë. Ekziston edhe një repart tjetër, i quajtur Grupi i Zhvillimit Inxhinierik, i cili ka për detyrë krijimin e programeve malinje dhe viruseve të cilat mund të futen në të gjitha pajisjet teknologjike si celularë, tablet, kompjuter por edhe televizorë.

Sipas dokumentave të WikiLeaks asnjë pajisje nuk mund t’i shpëtojë sulmit të këtyre programeve të krijuara nga CIA. iPhone, iPod, Androit, kompjuterat Windoës, macOS apo Linux, të gjithë herët apo vonë bien pre e goditjeve të CIA-s.

Televizorët Samsung janë agjentë!

Është i çuditshëm fakti se televizorët Samsung, ata inteligjentë dhe me kamer, shërbejnë si agjentë të devotshëm të CIA-s. Në fakt, televizorë të tillë u mirëpritën nga publiku pasi ishin shumë komodë, ofronin shërbime të lidhura me internetin dhe komunikim me anë të kamerës. Por për fat të keq e gjithë kjo teknologji është shfrytëzuar nga inteligjenca amerikane për të qenë “Big Brother” që vëzhgon gjithçka. Nëpërmjet një virusi malinj, i quajtur Weeping Angel, edhe kur televizori është i fikur kamera vazhdon të regjistrojë pamjen dhe zërin duke i transmetuar të gjitha në serverat e zyrave të CIA-s. Mbetet për t’u parë nëse Samsung ka qenë në dijeni të këtij fakti, pasi sipas të dhënave të WikiLeaks do të mjaftonte një azhornim i thjeshtë për t’i dhënë fund kësaj situate.

Baza gjermane

Mesa duket nga dokumentat, Konsullata amerikane në Frankfurt shërbente si bazë e hakerave të CIA-s në Europë. Këta persona dispononin një pasaportë diplomatike dhe quheshin të punësuar në konsullatë për të mos ngjallur dyshime. Nuk përjashtohet fakti që këta persona të kenë punuar edhe në Zvicër, Italinë e veriut dhe Francë, pasi përgjimi ka një distancë maksimale që duhet respektuar.