Aktualitet

Vuçiç nuk shkon në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Deutsche Welle: Pse është mërzitur?

Vuçiç nuk shkon në Asamblenë e Përgjithshme të

Udhëheqësi i Zyrës për serbët në Kosovë, Marko Gjuriç ka zbuluar se Presidenti serb nuk shkon në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe as në takimin në Bruksel dhe se ky i fundit duhet të presë pak për vizitën e ardhshme. Në vend të tij, në mbledhjen e OKB-së në New York do shkojë kryeministrja Ana Brnabiç.

Por pse? Deutshe Welle citon Gjuriç i cili ka thënë se presidenti ka ofruar disa zgjidhje për çështjen e Kosovës, por është kritikuar për idetë e tij. Ai ka thënë se Vuçiç është përballur edhe me sulme verbale, ndaj sipas tij duhet pritur ca kohë që ai të shkojë në takimin e ardhshëm.

Megjithatë në artikullin e shkruar, Ivica Petroviç thotë se nëse zemërimi i presidentit lidhet me idetë e çështjes me Kosovën, mbetet e paqartë për cilat sulme të bashkësisë ndërkombëtare e ka fjalën Gjuriç. Për të, ideja për përkufizimin e territoreve apo shkëmbimin nuk është pritur me entuziazëm nga ndërkombëtarët, por sipas saj është e tepruar të thuhet se për këto ide Vuçiç është përballur me sulme të cilat Gjuriç i quan të tmerrshme.

Më poshtë keni artikullin e plotë nga DW.

Një numër i madh i diplomatëve evropianë ka bërë të ditur - ndonëse me shumë kujdes - se janë të pranueshme marrëveshjet që arrihen mes Prishtinës dhe Beogradit, e shikuar nga shkrimet e mediave serbe, më së paku kundërshtime për këto ide ka pasur në SHBA. Mediat serbe kanë bërë madje gara me shkrimet se administrata amerikane e ka ndryshuar qëndrimin dhe se ajo nuk ka asgjë kundër zgjidhjeve të cilat do të nënkuptonin ndonjë lloj ndarjeje apo përkufizimi.

Po pse është i zemëruar Vuçiqi pra? Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane thotë se "Vuçiqi zemërohet tepër shpesh dhe ne shpesh nuk e dimë fare pse është zemëruar presidenti. Skenarë të ndryshëm për zgidhjen e çështjes së Kosovës janë paraqitur në opinion, por ne kurrë nuk kemi marrë ndonjë konfirmimim zyrtar se cili është propozimi i autoriteteve serbe. Ne vetëm dimë se Serbisë nuk i përgjigjet status quo-ja, që do të thotë se ajo angazhohet për përkufizim, korigjimin e kufijve, shkëmbimin e territoreve - por përgjigjen e saktë nuk e kemi marrë kurrë".

"Ndaj kam frikë se fjalët e Gjuriqit janë vetëm një truk për opinionin e brendshëm. Kjo duhet të bindë qytetarët serbë se Vuçiqi ka bërë gjithçka brenda mundësive të tij, por bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme t'i pranojë kërkesat tona. Ndaj kur të vijë koha e nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve në referendum, sepse ndonjë zgjidhje tjetër nuk ka qenë e mundur", mendon Beshiri.

Brukseli në akull

Gazetari i revistës NIN, Vladan Marjanoviq thotë se Gjuriqi shpesh tingëllon si një komik stend-up dhe si e tillë mund të konsiderohet edhe deklarata e tij. "Thuhet se Bashkimit Evropian do t'i jepet kohë e mjaftueshme që të kuptojë se sa ka gabuar ndaj Vuçiqit dhe qëndrimit të tij heroik për 'zgjidhjen" e çështjes së Kosovës, ndonëse Vuçiqi e ka pranuar në fjalimin e tij në Mitrovicë se ai nuk ka ndonjë zgjidhje. E kur BE ta kuptojë gabimin, atëherë Vuçiqi do të mëshirojë dhe do të shkojë në bisedime. Ndërkohë autoritetet serbe do të bartin me krenari gjithë këtë mllef ndaj mosmirëkuptimit të ideve të Vuçiqit në Bruksel dhe Berlin", thotë Marjanoviq.

Është shumë e qartë që Gjuriqi në këtë rast është vetëm bartës i fjalëve të Vuçiqit. Por duket qartë se Vuçiqi është kaq i zemëruar me perëndimin sa që vendimin e tij e ka kumtuar dikush tjetër, e jo ai vet. Vladam Marjanoviq thotë se me këtë vendim Beogradi sugjeron se "ka qenë i gatshëm për kompromise, por tani për një kohë të caktuar do të ketë qëndrime shumë të ngurta. Kjo nënkuton mundësinë e vazhdimit të mos zgjidhjes së çështjes së Kosovës - që sipas të gjitha gjasave është edhe qëllimi përfundimtar".

Zemërimi është dëshmi i (pa)aftësisë

Aleksandar Vuçiq ka vendosur të mbaj inat me bashkësinë ndërkombëtare, por qytetarët e Serbisë më shumë janë të interesuar të dinë se çfarë mund të arrihet me këtë politikë dhe diplomaci. Ndoshta dikush në pushtetin serb ka menduar se autoritetet perëndimore do të shqetësohen dhe nuk do të flejnë t♪7 qetë pas zemërimit të Vuçiqit, por kjo dëshmon se diplomacia serbe është në një krizë shumë më të thellë sesa që mendohet. A mund të ketë me mjete të këtilla një zgjidhje më të mirë për Serbinë në çështjen e Kosovës?

Naim Leo Beshiri thotë se "me këtë sjellje infantile nuk mund të arrihet asgjë. E gjitha kjo është vetëm për përdorim të brendshëm, me qëllim që mbështetësit e Vuçiqit të mund të thonë se Vuçiqi ka mundësi që të zemërohet me dikë dhe të mos flas me ta. Asgjë pozitive nuk mund të ketë nga refuzimi i bisedimeve, sepse pa bisedime me Brukselin dhe qendrat e tjera ndërkombëtare, çështja me siguri nuk do të zgidhet. Kjo do të thotë se bisedimet duhet të vazhdojnë, madje edhe me ata me të cilët nuk pajtohesh, e nëse bisedimet vazhdojnë, shtohet edhe mundësia e gjetjes së një kompromisi", konstaton Beshiri./ DW, Tiranapost.al Elisa Bajrami.