Aktualitet

Vit i Ri pa mish e pa gjel? Je i sigurt që je shqiptar?

Ke vendosur të braktisësh Vitin e Ri alla shqiptarçe dhe të shtrosh për familjen dhe miqtë një tryezë pa gjelin e detit në mes të tryezës, pa përshesh, pa pilaf me lëng pule, pa mishin e pjekur apo peshkun në tavë? Ne shqiptarët nuk ta quajmë Vit të Ri atë. Por nëse mënyra jote e re e jetesës konsiston në eliminimin e mishit edhe në ditë festash, kjo nuk do të thotë se tryeza jote do jetë për të qarë hallin. Ka ca receta green, aq të shijshme e të shëndetshme, sa nuk do të të shkojë mendja për mish. Po të japim disa ide të rafinuara për pa mish të Vitit të Ri.

Për të pritur të miqtë, bashkë me një pije të mirë, mund të bësh disa lloje qoftesh: me oriz, me perime, me përzierje djathërash apo me spinaq.

Si antipastë mund të përdorësh disa lloje tartash të kripura: me kërpudha, me ullinj, me angjinare apo djathë.

Sufleja është gjithmonë ide e mirë. Janë pak të vështira për t’u përgatitur, por në internet mund të gjesh pa fund receta të përgatitjes të sufleve, që mund t’i zgjedhësh me djathë, me kërpudha apo me lloje të ndryshme kremrash.

Ti nuk je amvisa tradicionale dhe ata që ke ftuar e dinë mirë këtë, ndaj edhe një pure patatesh e kungulli spërkatur me fara do ishte e përkryer si pjatë e parë.

Nëse ke aq durim, mund të përgatitësh krepa me dardhë dhe gorgonzola ose ravioli me bizele të spërkatura me kanellë.

Për pjatë të dytë mund të përgatitësh japrakë lakre me perime dhe oriz dhe luelakra në furrë me fara luledielli.

Sa për ëmbëlsirën, mund t’i befasosh të ftuarit me panetonen e festave, të mbuluar me krem vanilje e çokollatë të bardhë dhe një sallatë frutash.

E ndjetë gjë se mungonte mishi në këtë listë? As qiellza nuk ka për ta ndier fare.

Gëzuar! Tiranapost.al