Libra Te gjitha

Video/ Rudina Xhunga i bashkohet Lëvizjes Kombëtare për Lexim, zgjedh të lexojë Përrallat e Pitilushes


Pas ish-kapitetin të Kombëtares, Lorik Cana, një tjetër personazh i njohur i jetës publike iu bashkua Lëvizjes Kombëtare për Lexim, nismë e ndërmarrë nga Ministria e Kulturës. Gazetarja Rudina Xhunga ka zgjedhur të lexojë një pjesë nga Përrallat e Pitilushes.
 
“Çdo vend është i mirë për të lexuar një libër. Shumë faleminderit Rudina Xhunga që i bashkohesh Lëvizjes Kombëtare për Lexim. Vetëm bashkë mund t’ia dalim që t’u kthejmë shqiptarëve të gjeneratës tjetër kënaqësinë e Leximit, domethënë të Kulturimit, domethënë të Emancipimit. Kjo është emergjencë kombëtare”, thotë ministrja Mirela Kumbaro teksa publikon edhe videon e gazetares Rudina Xhunga.
Më herët ministrja e Kulturës në prezantimin e Lëvizjes Kombëtare për Lexim, ka thënë se emra të njohur të jetës publike do t’i përgjigjen thirrjes “Takohemi për një Libër” në kuadër të Lëvizjes Kombëtare për Lexim. Të shohim kush do të jenë të radhës. LKL ka në fokus fëmijët nga mosha 0-14 vjeç dhe edukimin e leximit që në fëmijëri. Lëvizja do të shtrihet në të gjithë vendin. Përfaqësues të saj, përfshi edhe vetë ministren, do të shkojnë nëpër shkolla e biblioteka të qyteteve për të dhuruar libra dhe për të lexuar së bashku. Lëvizja synon edhe përfshirjen e bashkive, me një fond të veçantë për blerjen e librave dhe vënien në funksion të bibliotekave publike apo atyre pranë shkollave.