• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Video nga nisja e gazetarëve Vip me Air Albania/ Batutat, atmosfera dhe emrat që munguan


    Nga Mira Kazhani/Në Rinas njoftohemi se duhet të kalojmë nga VIP Lounge Marubi. Aty zakonisht kalojnë politikanët, biznesmenët, zyrtarët e lartë që vizitojnë Shqipërinë por edhe çdokush që nga Shqipëria ka filluar të përdorë çarterin, si Lori Hoxha apo Fatmir Hysenbelliu.

    Zona Lounge është e rrëmujshme sot për shkak të përzierjes mes reporteresh të thjeshtë, vajza të famshme në Instagram dhe drejtues të lartë. Nga emrat e këtyre të fundit shumë duket se nuk janë zgjuar dot herët në mëngjes për t’iu bashkuar një udhëtimi të thjeshtë me të gjithë. Sokol Balla, vjen i veshur me atlete dhe çantë shpine. “Nuk do e lija kurrë një udhëtim për në Stamboll. Është ndër qytetet qe dua gjithmonë të kthehem”, thotë gazetari i njohur i cili është njeri udhëtimesh.

    Sokol Balla dhe Lutfi Dervishi
    Sokol Balla dhe Lutfi Dervishi

    Nuk ka ardhur Fevziu, i cili ka dërguar një kamera dhe gazetarë për t’i dhuruar shqiptarëve një reportazh në Opinion, por vetë ka zgjedhur mos t’i bashkohet udhëtimit. Po në këto gjurmë duket edhe Bleona Qerreti e cila nuk u pa në avion, as Luana Vjollca, apo edhe Rudina Xhunga janë nga emrat që duket se janë penduar në minutën e fundit pavarësisht konfirmimit të udhëtimit.

    Albana Osmani është e vetmja që u shfaq me një fustan ngjyrë blu të thellë dhe me një valixhe të madhe me bluzat me luledielli të cilat i veshëm të gjithë dhe shkrepëm një foto para se të niste fluturimi. Prezantuesja e Top Channel dhe themeluese e fondacionit “Luleduelli” që i vjen më ndihmë fëmijëve më kancer është e papërtuar dhe i takoi të gjithë një nga një për t’i dhënë bluzat sipas masës.

    Albana Osmani, Mira Kazhani, Anjeza Maja dhe Iva Tiço.
    Albana Osmani, Mira Kazhani, Anjeza Maja dhe Iva Tiço.

    Anila Basha vjen e fundit, e zhurmshme dhe me batuta. “Këtu është gjithë air kazani (bën ironi për median) por ata që nuk erdhën janë Ballë-kazani.” Drejtuesja e Newsbomb.al është e njohur për spontanitetin dhe batutën e drejtpërdrejtë.

    Ndërsa në këtë frymë Lutfi Dervishi që vdes për sarkazëm dhe ironi thotë se “po të kishin ardhur të gjithë dhe nëse do doja të bëhesha dëshmor, sot e gjenim një zgjidhje për median e lirë. Por unë s’dua të bëhem dëshmor dhe këtu ka edhe plot të mirë që s’e meritojnë të fshihen.” Plani “kamikaz” është vetëm një autoironi për hallet e medias. Avioni po niset. Ora 9. Dëgjohemi nga Stambolli./Tiranapost.al