Aktualitet

VIDEO/ Ku ndodhet familja e Haki Çakos? Policia dhe Kryemadhi replikojnë live me SMS në Opinion

Pyetja dhe dyshimet që kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ngriti mbrëmjen e kësaj të enjte në “Opinion” se ku është familja e kreut të Policisë Haki Çako, kanë marrë përgjigje të drejtpërdrejtë në emision.

Ka qenë një SMS i ardhur në celularin e gazetarit Blendi Fevziu nga zëdhënësi i Policisë Gentian Mullaj që ka sqaruar aludimet e zonjës Kryemadhi.

“Haki Çako është kthyer nga Amerika dhe tani ndodhet në shtëpinë e tij dhe familja e tij gjendet në Shqipëri”, ishte mesazhi i zëdhënësit të Policisë që lexoi Fevziu.

Por po me SMS i është përgjigjur edhe zonja Kryemadhi e cila po ashtu i shkroi gazetarit Fevziu për të vijuar replikat në distancë me Policinë e Shtetit.

“Nuk mund të largohet Drejtori i Policisë së Shtetit në SHBA për një javë, kur krimi është në këmbë. Unë po flas për përgjegjësinë e tij ndaj detyrës. Nuk është koha për të ikur me pushime me familjen.” lexoi Fevziu mesazhin e Kryemadhit

Gjatë emisionit “Opinion” të kësaj të enjte, kryetarja e LSI në një lidhje të drejtpërdrejtë tha se familja e Haki Çakos ndodhet jashtë vendit. E.C/ Copyright TiranaPost.al